1 janar, 2024 – fundi i izolimit!

02 janar 2024 | 01:21

Nga: Fatmir Curri

Sot është dita e fundit kur mund të vendoset një vizë turistike shengen në pasaportë të Kosovës. Që kur ka fillu proçesi i liberalizimit të vizave për të gjithë rajonin tashmë janë bërë 15 vite. Derisa për shtetet tjera në rajon ky proçes ka zgjat 2-3 vite për Kosovën nga pranimi i udhërëfyesit ky proçes ka zgjat plot 11 vite. Ndërsa ditën kur do të udhëtojmë sërish pa viza e kemi pritur më shumë se tri dekada. Si student e deri më sot i kam ndrru 6 pasaporta e kam apliku e pajis me mbi 50 viza Shengen. Secili aplikim ka qenë tregim e mundim në vete, sidomos në fillim. Prandaj, data 1 janar, 2024 do të jetë festë dhe mbahet gjatë në mend. URIME!

Sa shumë kohë e para është harxhuar për termine e dokumente, telefonata e e-maila, kontrata pune, llogari bankare e konfirmime nga trusti, çertifikata të lindjes e familjare, dëshmi studentore e profesionale, dëshmi bankare e financiare, ftesa e garancione, rezervime e parapagime, bileta e sigurime e shumë dëshmi të tjera. Aplikimi për një vizë shengen ka qenë kokëqarje e mision në vete.

Secili e secila kemi nga një apo më shumë tregime “interesante” gjatë aplikimit për një vizë. Çdo qytetar/e i/e Kosovës e ka ndje se sa i vështirë, i shtrenjtë e i mundimshëm ka qenë ky aplikim. Ishte veçanërisht poshtëruese kur pas gjithë atij mundi e procesi kërkues t’ju refuzohet viza ose t’ju jepet vetëm për një hyrje ose për datat që nuk ju përshtaten. Kur të kalojnë disa vite do ti kujtojmë gjërat e kota që brezi ynë ka kaluar. Kemi humbur aq shumë kohë, mund e para vetëm e vetëm për diçka shumë bazike. Gjenerata e ardhshme e fëmijët tonë nuk do na besojnë nëpër çka kemi kalu.

Udhëtimi i lirë për të gjithë qytetarët në Evropë është gjëja më normale. Planifikimi i pushimeve, vizitat për festa fetare e ceremoni familjare, pjesëmarrja në koncerte, ngjarje kulturore e sportive e takime biznesi e bile ndonjë udhëtim pa plan janë pjesë e jetës së përditshme. Sa shumë mundësi të zhvillimit personal, mundësi biznesi, e sa momente historike familjare e çaste gëzimi janë humbur. Bllokadë e trurit dhe potencialit tonë ka qenë ky izolim. Nga 1 janari, 2024 edhe për Kosovarët udhëtimi do të jetë diçka e përditshme dhe normale. Do të jemi të barabartë me vendet e rajonit dhe do të na kthehet dinjiteti njerëzor dhe një e drejtë e mohuar.

Po e shfrytëzoj rastin me theksu që udhëtimi pa vizë në zonën Shengen do të thotë e drejtë për vizita afatshkurta turistike e tek të afërmit por jo punësim apo studime afatgjata. Udhëtimi pa vizë përmban disa rregulla që duhet respektuar. Për të hyrë me lehtësi në zonën shengen ju duhet:

– Të keni pasaportë biometrike,

– Të keni nformata dhe dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit,

– Të keni biletën kthyese me të cilën mund të rrini vetëm 90 ditë brenda 180 ditëve,

– Të ofroni dëshmi se ku do të qëndroni gjatë vizitës (në hotel apo tek të afërmit),

– Të keni dëshmi të mjaftueshme financiare për ditët e qëndrimit (cash dhe/ose kartelë bankare).

Liberalizimi i vizave do të lehtësojë kontaktet mes njerëzve e forcojë marrëdhëniet tona me qytetarët e me standardet e vlerat Evropiane. Është gjë e mrekullueshme për të rinjtë e studentët që tani mund të shijojnë e eksplorojnë Evropën; është pë nxënësit të bëjnë eskurzione e marrin pjesë ne gara evropiane, është për artistët që tashmë mund të ndjekin ngjarjet kulturore jashtë vendit e marrin pjesë në ekspozitat e tyre; është për gazetarët të mbulojnë ngjarje me rëndësi në Evropë dhe sjellin storie interesante për ne, është për sportistët që të shpërthejnë me potencialin e tyre, është për ndërmarrësit që tani mund të risin mundësitë e tyre të biznesit e për prindër e gjyshër që tani mund të vizitojnë fëmijët dhe nipat/mbesat e tyre për ditëlindje e festa tjera familjare.

Duke qenë se e kam ndje në lëkurën time dhe të shoqërisë pajisjen me vizë që nga fillimi kam qenë i angazhuar në këtë temë. Në vitin 2009 nga shoqëria civile me studimin nga KFOS “Living in Gheto” nga duke alarmuar që vetëm Kosova po mbetet e izoluar. Pastaj gjatë vitit 2010 e 2011 përmes ESI duke lobuar për marrjen e udhërëfyesit zyrtar e nga viti 2012 si pjesëtar i shoqërisë civile përmes Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian duke mbikqyr zbatimin e kritereve të udhërëfyesit. Gjatë viteve 2012 – 2018 në kuadër të  KCSF përmes programeve të ndryshme të ngritjes së kapaciteteve, monitorimit të zbatimit të reformave e kërkesës për transparencë e lobimit në Komision Evropian që të jepet rekomandimi pozitiv për heqjen e vizave.

Derisa, këto dy vitet e fundit kanë qenë të jashtzakonshme duke punuar drejtpërdrejt nga zyra e Kryeministrit me shtetet anëtare të BE-së e makinerinë e vendimmarrjes në Bruksel, Këshillin dhe Parlamentin Evropian, e deri tek konceptimi dhe realizimi i fushatës për informim të qytetarëve. Faleminderit të gjithëve për kontributin e punën e jashtzakonshme dhe energjinë e pashtershme deri ne kilometrin e fundit sepse kjo maratonë po përfundon. E me 1 janar, 2024 do ta kem kënaqsinë të jam pjesë e grupit prej 50 udhëtarëve që në fluturimin e parë #paviza do ta vizitojmë kryeqytetin e Austrisë, Vienën.

Një barrë të madhe fizike e mendore po e lejm mbas. Qoftë e shkuar e harruar!

Urime liberalizimin e vizave Kosovë!

Udhëtime të këndshme e shëndet në vitin 2024!

#paviza

#bezvize

#visafree

(Marrë nga faqja e tij në facebook).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çiftet e të njëjtës gjini në Estoni janë në gjendje…