Më 1 Maj ndalohen veturat drejt Gërmisë
Policia e Kosovës ka njoftuar se nesër ( e martë) me rastin e Ditën Ndërkombëtare të Punës, ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura, si dhe ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në Prishtinë dhe jashtë saj.
“Meqenëse kryeqyteti gravitohet nga një numër i madh automjetesh dhe qytetarësh, si dhe nga analizat e bëra nga e kaluara është konstatuar se përveç qytetarëve të kryeqendrës, parkut të Gërmisë do t’i drejtohen edhe qytetarë nga qytetet e tjera të vendit. Edhe këtë vit Policia e Kosovës në bashkëpunim me komunën e Prishtinës, për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, aksidentet eventuale, për të mundësuar një transport publik të qytetarëve në suaza të normales, do të veprojë në të gjitha rrugët të cilat lidhen me rrugën kryesore që lidhë qytetin me parkun e Gërmisë, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka bërë me dije se do t’i ndalojë dhe ridrejtojë të gjitha veturat përveç atyre të banorëve të lagjeve që lidhen më parkun “Gërmia” (‘Sofali’, ‘Tauk Bahqe’), autobusëve të Trafikut Urban, automjeteve të Emergjencës, të Hortikulturës, KRM “Pastrimi”, Drejtorisë së Inspeksionit të komunës së Prishtinës, KFOR-it, EULEX-it, si dhe veturave të Policisë së Kosovës, të cilat janë të angazhuara në këtë operacion.
Ndalja dhe ridrejtimi i të gjitha veturave do të bëhet në kryqëzimin e rrugëve: “1 Tetori”, “Nazim Gafurri” dhe “Ymer Lutfi Paçarizi”, kryqëzimin “Velani”, kryqëzimet e rrugëve “Nazim Gafurri”, “ Xhavit Ahmeti” dhe “ Dr.Lec Gradica”, si dhe kryqëzimin e rrugëve “Dr. Shpëtim Robaj” me atë të “Sofalisë” në drejtim të Pishinës dhe parkut “Gërmia”.