1 Maji, Krasniqi: Si shtet dhe shoqëri ende nuk kemi siguruar trajtim meritor për punëtorët
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka uruar punëtorët me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Me këtë rast, Krasniqi ka thënë se si shtet dhe shoqëri “ende nuk ka arritur të sigurojë trajtim meritor për punëtorët”.
“Për më shumë, sfidën e madhe të emigrimit masiv të të rinjve tanë që kërkojnë një perspektivë larg Kosovës, duhet ta tejkalojmë përmes angazhimit konkret në krijimin e një ambienti të favorshëm që ofron mundësi të barabarta, vende pune me paga konkurruese dhe vlerësim të drejtë për kontributin e punëtorëve”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Sot, më 1 Maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, shpreh mirënjohje për rolin dhe kontributin e secilit punëtor në shoqëri, duke u zotuar për krijimin e kushteve më të mira të punës, respektimin e plotë të të drejtave të tyre, paga dinjitoze dhe mundësi më të shumëta për të gjithë.
Si shtet e si shoqëri ende s’kemi arritur që të sigurojmë trajtimin meritor për çdo punëtor, në cilindo sektor që punon. Për më shumë, sfidën e madhe të emigrimit masiv të të rinjve tanë që kërkojnë një perspektivë larg Kosovës, duhet ta tejkalojmë përmes angazhimit konkret në krijimin e një ambienti të favorshëm që ofron mundësi të barabarta, vende pune me paga konkurruese dhe vlerësim të drejtë për kontributin e punëtorëve.
Urime 1 Majin të gjithë punëtorëve në Republikën e Kosovës!