1 mijë raste me fruth që nga qershori
Këtë vit në Kosovë ka pasur epidemi fruthi. Që nga muaji qershor prej që është paraqitur ky virus, ka prekur 1,005 persona ku prej tyre 552 janë hospitalizuar në Klinikën infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Kështu i tha “Radios Evropa e Lirë”, Hamdi Ramadani, drejtor i Klinikës infektive, sipas të cilit të prekurit nga ky virus, janë kryesisht fëmijë, por që është përhapur edhe te të rriturit dhe ka prekur moshat deri në 50 vjeç.
“Dy raste që janë në trajtim në Klinikën infektive, janë mjaft të rënda. Gjatë këtyre muajve prej kur është paraqitur sëmundja, dy raste kanë përfunduar me fatalitet. Kapacitetet tona kanë qenë në nivel, si me ilaçe, po ashtu edhe me staf profesional, pavarësisht rasteve të shumta që ka prekur ky virus”, ka thënë Ramadani.
Fruthi është një sëmundje ngjitëse dhe serioze e shkaktuar nga një virus që përhapet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë dhe përmes ajrit.
Ky virus mund të përhapet shpejt, sidomos në ato vende ku vaksinimi është nën shifrat 95 për qind të popullsisë.
Bazuar në një studim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe institucioneve tjera, viteve të fundit, sëmundja e fruthit është rishfaqur në Evropë, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007, është trefishuar.