1 milion euro investime në lumin Sitnica në Lipjan
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, të premten ka vizituar Komunën e Lipjanit, me ç’rast është takuar me kryetarin Imri Ahmeti dhe nënkryetarin Fauz Xhemajli.
Gjatë këtij takimi, ministri Matoshi dhe kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, kanë diskutuar për katër projektet e financuara nga MMPH-ja që kanë për qëllim përmirësimin e gjendjes së mjedisit në këtë komunë.
Pas takimit, ministri Matoshi, kryetari Imeri dhe nënkryetari Xhemajli, kanë përuruar fillimin e punimeve të projektit “Rregullimi i shtratit të lumit Sitnica në Lipjan”, segmenti nga ura në fshatin Rufc i vjetër deri në fshatin Rubofc, projekt ky i cili financohet nga MMPH-ja në vlerë prej rreth 1 milion euro. “Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në mesin e 70 projekteve të infrastrukturës në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në Kosovë, të buxhetuara dhe të planifikuara për vitin 2019, ka edhe projektin e shtratit të Lumit Sitnica”, ka thënë ministri Matoshi
I pari i MMPH-së ka pohuar se ka ardhur momenti që të kujdesemi për mjedisin dhe natyrën. “Me kryetarin Ahmeti kemi rënë dakord që pas një muaji të jemi në fshatin Vrellë për përurimin e ujësjellësit që e kemi përfunduar dhe po ashtu u dakorduam edhe për tri projekte të tjera kapitale të rëndësishme për Komunën e Lipjanit që kanë të bëjnë me pastrimin e shtretërve”, ka deklaruar Matoshi.
Ministri Matoshi ka thënë se MMPH-ja është duke punuar ngushtë me Qeverinë Gjermane dhe atë të Zvicrës për rregullimin e kolektorëve të cilët do të lidhin qytetin e Prishtinës.
Gjatë këtij takimi ministri Matoshi ka folur edhe për investime në Shpellën e Gadimes e cila është një monument natyror që tërheq shumë turistë nga vendi dhe bota.
Ndërsa kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, gjatë këtij takimi ka falënderuar ministrin Matoshi duke thënë se projekti për rregullimin e shtratit të Lumit Sitnica ka rëndësi për qytetarët e Lipjanit. “Është jashtëzakonisht e nevojshëm ndërtimi i kolektorit për trajtimin e ujërave të zezave që kap vlerën rreth 1 milion euro dhe që është financim tërësisht i MMPH-së. Është ndër investimeve më të mira që e mirëpret Lipjani për shkak se deri tash Sitnica ka qenë ujëmbledhës i ujërave të zeza. Falënderoj ministrin edhe për projektet që priten të implementohen”, ka thënë Ahmeti.
Këtë vit në Lipjan sipas buxhetit të miratuar do të fillojmë se realizuari edhe këto projekte: “Pastrimi i shtratit të lumit Sllovi-Lipjan” në vlerë prej 200 mijë euro, “Ndërtimi i shtratit të lumit Janjevë” në vlerë prej 400 mijë euro dhe “Ndërtimi i shtratit të lumit Magure” në vlerë prej 300 mijë euro.
/Epoka e re/