1. PRAKTIKA E TASHME E REKOMANDIMEVE ËSHTË JOKORREKTE

12 korrik 2018 | 10:37

Hajdin Abazi

PROBLEME THEMELORE TË PUNIMEVE STUDIMORE (7)

(Autori është prof. ass. dr. dhe ka ligjëruar për shumë vjet lëndët Shkrimi akademik dhe Metodologjia e hulumtimit shkencor)

Një problem tjetër serioz lidhet me atë që është bërë shumë popullore – me “rekomandimet”. Thuaja nuk ka punim studimor, të të gjitha niveleve, që nuk përmban, krejt në fund, rekomandimet. A është e mirë kjo? Një përgjigje e qëndrueshme kërkon një shtjellim më nga afër, gjë që do të bëhet në vazhdim.

Pyetjes se a duhet të ketë rekomandime apo jo, mund t’i jepet përgjigje: po, por vetëm atëherë kur ato janë vërtet të nevojshme. E pikërisht këtu edhe shfaqet problemi: kur duhet të ketë rekomandime?

Për të arritur deri te kjo përgjigje duhet shqyrtuar më parë se prej nga duhet të rrjedhin, të burojnë rekomandimet, sepse pa e pasur këtë të qartë – ato do të mbeten ashtu sikurse janë në të shumtën e rasteve: “gjymtyrë” të amputuara, domethënë shtojca që i bashkëngjiten disi artificialisht.

  1. Rekomandimet që nuk janë rrjedhim i studimit

Shumica e punimeve universitare përmbajnë “rekomandime”. Shpesh atyre u kushtohet vëmendje shumë e madhe dhe paraqiten me pompozitet, thua se i tërë kontributi studimor qëndron pikërisht te rekomandimet.

Po të lexohen të shkëputura rekomandimet, duken mjaft të qëlluara edhe për një njohës superior të fushës që i përket studimi. Madje, duhet pranuar, shpesh duken shumë të pjekura. Dhe, afërmendsh, edhe krejt të duhura.

Atëherë, ku qëndron problemi?

Problemi mund të hetohet vetëm po qe se lexohet punimi, po qe se lexohet me vëmendje, u mor vesh. Kur të mbërrihet në fund të leximit, “rekomandimet” vijnë si befasi. Si një shtojcë, e bashkëngjitur si me zor. Sepse rekomandimet nuk rrjedhin nga studimi, nuk janë rezultat i tij.

Rekomandimet do të ishin rrjedhë logjike nga punimi sikur në të të ishte bërë ndonjë shqyrtim. Po, po të kishte qasje kritike dhe, krejt në fund, si përplotësim do të ishte e natyrshme të jepeshin rekomandime. Një rrjedhim i këtillë ngjanë rrallë, zakonisht si përjashtim.

Duke lexuar punimet, sidomos ato në shumicë që dominohen nga qasja përshkruese, lexuesi i vëmendshëm do të pyeste, prej nga, vallë, janë nxjerrë rekomandimet? Përgjigjja logjike do të ishte – jo nga studimi, jo nga mënyra se si është bërë shtjellimi.

  1. Rekomandimet si përgjigje për çështjet që nuk janë ngritur

Nëse jo nga shtjellimi i punimit, atëherë praj nga vijnë rekomandimet?

Përgjigjja më e zakonshme është se rekomandimet kanë të bëjnë me praktika të ndryshme, me probleme të njohura, me sfida, të meta, karaktere negative, keqpërdorime e patologji të ndryshme.

Pa fije dyshimi, duhet pranuar, kjo është e vërtetë.

Me një përgjigje të tillë do të pajtohej çdo njohës i realitetit shoqëror, por jo edhe një lexues i punimit që i parashtron rekomandimet.

Dhe pikërisht këtu ka një defekt të madh: kjo praktikë e keqe as që zihet në gojë gjëkundi në punim. E pra, aspektet negative, të cilave synohet t’u jepet zgjidhje ose të ndalohen, apo minimizohen ose të eliminohen përmes rekomandimeve – do të duhej të kishin qenë të inkorporuara në punim. Po të ishte kështu, atëherë rekomandimet do të vinin të natyrshme.

Në mënyrën e stisjes së rekomandimeve, ashtu sikurse bëhet në shumë raste, ato janë përgjigje ose propozimzgjidhje për probleme e çështje të cilat nuk janë ngritur në punim, zakonisht as që janë shqyrtuar, rrallë ndonjëherë vetëm përmenden përciptazi.

  1. Një punim mund të ketë karakter shkencor edhe pa rekomandime

Stisja e rekomandimeve prej një burimi që nuk ndodhet në punim, është praktikë jo e mirë. Kjo praktikë duhet dhe është e mundshme të tejkalohet. Duke lexuar punime të shumta krijohet perceptimi se rekomandimet konsiderohen të domosdoshme, të cilat i vulosin karakterin shkencor një punimi. Në fakt, nuk është aspak kështu. Një punim mund të jetë shkencor me ose edhe pa rekomandime.

Duhet të ngulitet mirë në mendjen e secilit studiues, së pari, se nëse duhet të ketë rekomandimet në një punim atëherë ato duhet të rrjedhin ekskluzivisht prej studimit. Nga mangësitë, të metat, gabimet, formalitetet, keqpërdorimet etj. që theksohen në punim do të duhej të rridhnin rekomandimet. Vetëm po qe se bëhen kështu, atëherë po, do të kishte logjikë të shkruhen rekomandime, për të treguar se si do të mund të korrektoheshin apo eliminoheshin dukuritë negative të shqyrtuara gjatë studimit e që janë pengesë, frenues ose dëmtues të objektit të studimit.

Po ashtu, duhet të ngulitet mirë në mendje të studiuesit, së dyti, se jo çdoherë dhe çdo punim ka nevojë për rekomandime. Nëse nuk rrjedhin nga shqyrtimi i bërë në punim është më mirë të mos ketë fare rekomandime. Një studim mund të jetë fare mirë shkencor edhe pa rekomandime.

  1. Dy lloje rekomandimesh

Sa kam vënë re, ka një paqartësi konceptuale të përhapur gjerësisht rreth asaj se çka janë rekomandimet.

“Rekomandimet” janë sugjerime, këshilla apo udhëzime se si duhet bërë ndonjë gjë ose se duhet vepruar në të ardhmen. Rekomandimet mund të luajnë ndonjë rol vetëm po qe se janë rezultat i studimit; përndryshe – ato realisht janë të tepërta dhe të panevojshme.

“Rekomandimet” mund të jenë dy llojesh për nga natyra.

Njëri lloj i rekomandimeve, e që do të duhej të ishte më i zakonshëm, lidhet drejtpërdrejt me punimin. Studimet, edhe pse pretendojnë, zakonisht nuk janë shteruese. Nga një studim i mirëfilltë mund të hetohen disa aspekte të cilat nuk ka mundur t’i mbulojë studimi qoftë për shkak të natyrës së studimit, qoftë për shkak të hapësirës. Aspektet e hetuara, por që nuk janë shtjelluar në studim e që janë ose mund të jenë me rëndësi, autori i nënvizon ato dhe (në “rekomandime”) sugjeron ose tërheq vëmendjen e kolegëve, të atyre që do të donin të studionin të njëjtën temë t’i kenë parasysh edhe aspektet e potencuara (por të pashtjelluara). Me fjalë të tjera, studiuesi u tregon kolegëve të vet që kur të projektojnë ndonjë studim t’i kenë parasysh aspektet që nuk janë shtjelluar dhe që mund të jenë të rëndësishme. Rekomandime të këtilla, për fat të keq, gjenden shumë rrallë. Unë kam parë shumë pak.

Lloji tjetër i rekomandimeve lidhet me aspektet praktike të objektit të studimit. Ndonëse, sikurse u tha më sipër, zakonisht nuk burojnë nga vetë studimi, rekomandimet që janë bërë praktikë dominuese deri më sot janë udhëzime për mekanizma të ndryshëm institucionalë, shoqërorë e shtetërorë, se si duhet të veprojnë ato. Sigurisht se mund të bëhen rekomandime edhe të kësaj natyre, por rekomandimet e këtilla do të kishin kuptim dhe do të ishin të natyrshme, në funksion të karakterit të studimit të punimit, vetëm po qe se ato janë rrjedhim nga shqyrtimi i atyre çështjeve të cilave u referohen rekomandimet. Madje rekomandimet e kësaj natyre do të duhej të ishin udhëzime se si gjetjet e studimit do të mund të zbatoheshin.

  1. Njëri lloj i rekomandimeve ose tjetri ose të kombinuara

Duke mbajtur parasysh faktin se rekomandimet janë të dy llojeve, ashtu sikurse u tha më sipër, besoj se mund të shprehen disa mendime se si mund të arrihet më mirë deri te rekomandimet, dhe kështu të iniciohet një praktikë e re, efektive dhe me karakter studimor.

Dua të theksoj se nuk pretendoj të jap ndonjë formulë magjike, sepse nuk ka të tilla që të ofrojnë zgjidhje të mrekullueshme, si me shkopin magjik. Do të mund të jap vetëm disa sugjerime nga ajo që kam mësuar, të cilat, besoj, janë të duhura për të bërë një hap më përpara. Një qartësi më e madhe do të arrihet kur të flas pak më tutje lidhur me hipotezat, por këtu do të parashtroj disa mendime për të dalë nga kjo gjendje.

Sikurse u theksua më sipër, kryesorja është që nëse do të duhet të jepet ndonjë rekomandim ai duhet të burojë, të rrjedhë dhe të vijë nga shqyrtimi i bërë në punim. Nga vetë shqyrtimi rrjedhin, nëse rrjedhin, rekomandimet dhe të cilit lloj do të jenë ato.

Po qe se studimi ka karakter praktik, përkatësisht lidhet me ndonjë mënyrë aplikative, atëherë rekomandimet duhet të tregojnë se si rezultatet e studimit mund të aplikohen. Rekomandimet e këtilla do të jepnin orientime dhe do ta lehtësonin mënyrën e zbatimit apo përdorimit të arritjeve të studimit.

Lloji tjetër i rekomandimeve mund të jetë ajo që lidhet po me studimin. Studiuesi jep rekomandime për studimet e ardhme të së njëjtës fushë. Hetimet që ai ka bërë, ndonjë aspekt që e ka hasur gjatë studimit, por që ka qenë jashtë domenit të tij, ndonjë aspekt që ai nuk ka arritur ta shtjellojë aq sa është dashur dhe se ka materie për t’u studiuar më thellësisht, më gjerësisht dhe më në tërësi, e që do të ishte me interes shkencor të bëhej. Pa fije dyshimi, jo të gjithë studiuesit, por vetëm ata që janë bujarë, kanë zemërgjerësinë për t’u dhënë të tjerëve ide se si do të mund të realizonin ndonjë punim.

Në punime mund të përdoret njëri ose lloji tjetër i rekomandimeve ose, në ndonjë rast specifik, mund edhe të kombinohen po qe se janë në funksion të studimit dhe rrjedhin nga ai. Po ashtu, do të sugjeroja fort të shmanget pozicioni urdhërues i rekomandimeve e të përdoret gjuha këshilluese.

  1. Kontrollimi dhe kalibrimi i rekomandimeve me studimin

Po si mund të dihet se një rekomandim rrjedhë nga studimi?

Ka shumë mënyra për të kontrolluar një rekomandim, nëse është i duhur apo jo, sidomos nëse buron apo jo nga studimi.

Unë do ta sugjeroja mënyrën më të zakonshme. Pasi të jetë përpiluar një rekomandim, autori duhet ta shtrojë pyetjen: ku referon ky rekomandim? Domethënë në cilin kapitull apo nënkapitull është shtruar një problem apo çështje, që rekomandimi në fjali referon?

Për ta kuptuar qëndrueshmërinë dhe a është i përputhshëm një rekomandim duhet shkuar te kapitulli/nënkapitulli përkatës, aty ku është shtruar e shqyrtuar një problem apo një çështje. Të lexohet se çka është thënë dhe të krahasohet me rekomandimin, a janë të përputhshme apo jo, a është rekomandimi përgjigje apo zgjidhje e duhur për atë që është thënë? Nëse po, atëherë gjithçka është në rregull. Nëse nuk është si duhet, mund të bëhen ndryshime: më e drejtë është të riformulohet rekomandimi që të bëhet i përputhshëm me atë që është parashtruar në studim, dhe kjo është më e lehtë. Natyrisht, mundet edhe në kapitullin/nënkapitullin përkatës të riformulohet problemi apo çështja, por kjo është më e zorshme dhe duhet treguar shumë kujdes që ndryshimi të jetë në përputhje me ato që janë thënë më përpara dhe më pas në studim. Pikërisht për shkak se mund të implikojnë dhe të ndikojnë në rrjedhë të shtjellimit, po qe se ndërhyhet në brendi të tekstit, ato janë më të vështira dhe zakonisht nuk preferohen për shkak të rreziqeve që mund të mbartin.

Një kontroll i këtillë jep mundësi të kalibrimit të rekomandimeve me ato që janë shqyrtuar brenda tekstit të studimit. Duke vepruar kështu, në radhë të parë, do të krijohej një harmoni midis studimit si tërësi, ashtu që çdo gjë të jetë e lidhur dhe e ndërvarur strukturalisht, por edhe përmbajtjesisht. Kjo, po ashtu, do ta bënte konsekuent studimin nga aspekti metodologjik. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkencëtarët kanë thënë se kanë gjetur dëshminë më të hershme…