1 vjet nga fitorja e LV-së, Haziri: Kurti i pavendosur, prisja udhëheqje ndryshe nga Osmani

13 shkurt 2022 | 12:31

Nesër (e hënë) bëhen një vit nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 14 shkurtit 2021 ku Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Guxo e Vjosa Osmanit, kanë arritur një rezultat të paparë deri atëherë në Kosovë duke marrë shumicën në Kuvend.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, vitin e parë të qeverisjes së Kurtit e ka konsideruar me pavendosmëri në udhëheqje dhe hezituese në politikat ekzekutive.

“Me plotë hezitime dhe pavendosmëri në udhëheqjen dhe lidershipin që qeveria e ka në zbatimin e detyrave ekzekutive. Hezitime të mëdha në proceset e mëdha që vendi ka dhe kjo qeveri duhet t’i shtyjë përpara. Natyrisht ka pasur më shumë përpjekje për të kamufluar dhe ankuar të kaluarën se sa përpjekje serioze për të zgjidhur probleme sistemore. […] Gjithçka që ka qenë pritje e madhe nuk është realizuar, ndoshta njerëzit janë në pritje, por faza e dëshpërimit do të fillojë shumë shpejtë dhe ai do të jetë shumë i madh”, ka thënë Haziri për “Kosovapress”.

Më tutje, Haziri ka thënë se ka pritur udhëheqje ndryshe edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

“Kam pritur ndryshe, kam prit reagim dhe udhëheqje krejt ndryshe në presidencë, por këtu jemi. Pas një viti LDK ndihet në satisfaksion të plotë për rolin e vet pozitiv në zgjedhjen e presidentes dhe largimin e krizave të paralajmëruar politike. Pasi ne e kemi kuptuar prej fillimit se në këtë shumicë parlamentare prodhojnë kriza për t’i mbuluar problemet. E vetmja mënyrë për ta larguar vëmendjen e qytetarëve prej problemeve ditore është prodhimi i krizave. A ndihem i dëshpëruar? Nuk e di çka të them, por edhe më tutje besoj se ka hapësirë dhe kohë të ndryshojë. Presidentja duhet të përfaqësojë interesin e të gjithë qytetarëve pa dallim moshe, pa bindje politike dhe etnie. Duhet me qenë e barabartë e drejtë në zbatimin e detyrave kushtetuese”, ka thënë ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se deri në…