10 mijë fidane do të mbillen në Deçan
Deponitë ilegale të krijuara në Komunën e Deçanit tashmë janë larguar dhe këto hapësira do të kthehen në gjelbërim.
Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, ka bërë me dije se 10 000 fidane të reja do të mbillen. Ai ka thënë se brenda kësaj jave do të nis edhe aksioni i mbjelljes së këtyre fidaneve kryesisht pishë, që janë siguruar nga Agjencioni Pyjor i Kosovës.
“Ne si institucion komunal, kemi arritur që falë punës me përkushtim të Ndërmarrjes Komunale ‘Higjiena’ po ashtu edhe kompanive private të cilat në mënyrë vullnetare na kanë ndihmuar të mbyllim deponitë ilegale të krijuara në disa fshatra të Komunës së Deçanit, ndërsa tashmë këto hapësira do t’i pyllëzojmë. Kjo do të bëhet e mundshme duke bashkëpunuar edhe me banorët e fshatrave ku do të bëjmë pyllëzimin”, është shprehur Ramosaj, duke shtuar se mbjellja e fidaneve do të nis në fshatrat Llukë e Epërmen, Llukë e Ulët, Isniq, Baballoq, Prapaqan, ku do të pyllëzohet dhe vendi i quajtur “Podi i Gështenjave”.
“Nga ky aksion do të përfitojnë direkt komuniteti i cili jeton në këto fshatra”, është shprehur Ramosaj.
Ky projekt do të implementohet nga Ndërmarrja Komunale “Higjiena”, institucioni komunal, Drejtoria e Shërbimeve Publike Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtoria e Bujqësisë dhe banorët e atyre fshatrave ku do të bëhet pyllëzimi.
/Epoka e re/