10 tipat e çuditshëm në një vend pune, që nga thashethemexhiu e deri tek të dashuruarit
Shpesh për të qenë të lumtur dhe të kënaqur me punën, nuk mjafton vetëm një pagë e mirë në proporcion me pozicionin tuaj, apo të punoni në kompaninë e ëndrrave, por është aq e rëndësishme të ndërtoni një marrëdhënie pozitive me kolegët në punë.
Të gjithë e dimë, se kjo gjë është më e lehtë të thuhet se të bëhet. Shpesh në punë jemi të detyruar të punojmë me njerëz të cilët nuk na pëlqejnë, me të cilët është e vështirë të ndërtosh një dialog, pavarësisht se i kemi pranë tryezës sonë të punës. Por ka edhe nga ata kolegë, që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka, vetëm e vetëm që të bien në sy të drejtuesve.
Pikërisht me këta persona kalojmë pjesën më të madhe të ditës, se sa me njerëzit e familjes. Është e rëndësishme – për të mos thënë thelbësore – krijimi i marrëdhënieve me personat me të cilët punojmë, dhe, edhe më e rëndësishme, të pasurit e marrëdhënieve të mira me ta.
Më poshtë janë 10 tipa kolegësh që me siguri do t’ju ndodhë t’i takoni në çdo vend pune…
- Thashethemaxhiu
Edhe një agjent i CIA-s do ta kishte zili. Di gjithmonë gjithçka, më parë se të tjerët. Duhet t’i drejtoheni pikërisht atij për të ditur lajmin që po kërkoni, di në detaje se cili është kolegu i ri në punë dhe ka gjithnjë informacion për strategjinë e korporatës. Ose e do, ose e urren, dhe jo gjithnjë, për atë çfarë thotë është i dobishëm, por në mijëra informacionet që tregon, do të jetë gjithnjë ai që do t’ju shërbejë ju. Vendi ideal për të krijuar marrëdhënie me të është pranë makinetës së kafesë, aty ku përditësohet me të gjitha “të rejat”
- Kolegu që shkëlqen gjithnjë
Mund të cilësohet “Tom Cruise i kompanisë”. Nuk e humb kurrë entuziazmin, vrapon nga një departament në tjetrin, të gjithë e duan, veçanërisht shefat. Është e vështirë t’i qëndrosh pas, pasi është ai që merr gjithnjë nismën dhe duket se nuk gabon asnjëherë. Por si është e mundur që ka gjithnjë përgjigjet e duhura? Nuk do ta dimë kurrë. Ky tip personi ka shpesh karizmën e liderit dhe në njëfarë mënyre do të hyni pa e kuptuar në orbitën e tij, të tërhequr prej tij, si nga një Diell.
- Kolegu që ankohet gjithnjë
Ai ka gjithnjë një problem… me shefin, Burimet Njerëzore, pagën e fundit, madje edhe me makinetën e kafesë apo ajrin e kondicionuar. Për të, asgjë nuk shkon siç duhet dhe nuk bën gjë tjetër, veçse e ndan frustrimin e tij me të gjithë. Në pjesën më të madhe të rasteve, këtyre njerëzve përpiqemi t’u qëndrojmë larg, por mund të ndodhë që të ngecim në “rrjetën” e tyre dhe të dëgjojmë gjithë pakënaqësitë që kanë.
- Vjedhësi i zemrave
Ka njerëz që tërheqin vëmendjen tuaj menjëherë sapo i shihni. Ata shndrisin gjithnjë dhe ju nuk do të lodhesht t’i dëgjonit për orë me radhë. Në çdo vend pune ekziston një “vjedhës zemrash” dhe ky tip personi është i vetëdijshëm për bukurinë që zotëron. Shpesh, vjedhësit e zemrave nuk janë një autoritet i vërtetë brenda kompanisë, por i përdorin armët që zotërojnë për t’ju bërë që ta besoni. E vërteta është se këta persona e duan vendin e punës ku punojnë, janë madje të besueshëm e gjithnjë të pranishëm, ata nuk mungojnë asnjëherë në mënyrë të pajustifikuar.
- Kolegu që thotë gjithnjë “po” (yes-man)
Ai i thotë gjithnjë po, çdo propozimi, çdo detyre, çdo qortimi. Nuk humb asnjëherë rastin për t’i bërë përshtypje drejtuesit. Zakonisht “yes-man” formojnë një grup të bashkuar, rrinë dhe flasin vetëm me njëri-tjetrin (dhe me shefin), vijnë të parët në punë dhe largohen të fundit. Ata nuk janë shumë të dashur në mesin e kolegëve të tjerë, pasi shpesh kërkojnë të drejtën t’ju thonë se çfarë duhet të bëni dhe si duhet ta bëni dhe nuk e humbin asnjëherë rastin të shkojnë te drejtuesi dhe të raportojnë se çfarë keni bërë (dhe sipas tyre, çfarë nuk duhet të kishit bërë, ose të paktën jo në atë mënyrë).
- I urituri
E gjeni gjithnjë duke ngrënë diçka… Pavarësisht nëse është uria e shkaktuar prej nervozizmit apo metabolizmi që punon me shpejtësinë e dritës – këtë gjë nuk do ta dimë asnjëherë – e vetmja gjë që dimë është se tryeza e tij e punës është gjithnjë e shtruar (dhe e çrregullt), dhe goja e tij gjithnjë plot. Aromat që shpërndahen në zyrë janë gjithnjë vepër e tij.
- Kolegu gjithnjë i gjindshëm
Nëse keni një projekt për të përfunduar dhe jeni të detyruar të vini në zyrë në orën 6:00 të mëngjesit dhe të largoheni në mbrëmje në orën 11:00, jini të sigurt, se “ai do të jetë”. Kolegu gjithnjë i gjindshëm bën pjesë në atë kategori kolegësh që nuk fle kurrë, janë gjithnjë të gjithnjë të angazhuar. Dhe ju do të pyesnit: po ata, a kanë shtëpi?
- Kolegu simpatik
Ka gjithnjë batutën gati dhe në çdo ngjarje të kompanisë do ta shihni protagonistë të një ndodhie të bukur apo një serie me barsoletash. Nuk ka asgjë që t’ia prishë humorin dhe është në gjendje të shtensionojë çdo situatë. Ju do t’i gjeni gjithnjë pas vetes në momentet më të papritura, për t’ju thënë ndonjë perlë…
- Polemiku
Disa persona përpiqen t’i shmangin diskutimet, ndërsa të tjerë duket se kanë lindur për polemika. Me këta tipa, diskutimi rrezikon të marrë tone të larta. Në takime pune nuk e humbin asnjëherë rastin të nxjerrin në pah që diçka nuk është bërë ashtu siç ata pretendojnë se duhej të ishte bërë dhe mund ta shndërrojnë takimin në një fushë të minuar.
- Çifti i dashuruar
Kur kaloni shumë kohë në një mjedis të caktuar, është e lehtë t’ju hyjë dikush në zemër, që e frekuenton, po aq sa ju, këtë ambient, dikush me të cilin ndani momente pozitive apo negative, dikush të cilin e shihni çdo ditë dhe me të cilin të flisni edhe për tema që nuk lidhen me punën. Disa flirte mbeten të tilla, por dashuria mund të lindë edhe brenda mureve të punës. Disa çifte mund ta thonë këtë gjë, të tjera përpiqen ta mbajnë lidhjen e tyre të fshehtë mes kolegëve. Në këtë rast, dyshimi mund të jetë i bezdisshëm, por gjithsesi privatësia duhet respektuar./gazeta-shqip