10 VJET PAVARËSI

17 shkurt 2018 | 07:57

Sot, më 17 shkurt, Kosova feston dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj, që shënon edhe kurorëzimin e një rrugëtimi shumë të vështirë e të gjatë të popullit shqiptar.

Për një dekadë, shteti më i ri në Evropë është njohur nga 116 shtete.

Për nder të kësaj dite, sot e nesër, do të ketë aktivitete të ndryshme në të gjitha komunat e Kosovës.

Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, sot, në orët e mbrëmjes do të mbajë një koncert në sheshin “Skënderbeu”, cili do të fillojë nga ora 20:00.

Ndërkaq më 18 shkurt (e diele), në orën 13:00, në sheshet kryesore të kryeqytetit do të parakalojnë njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ato të Policisë së Kosovës (PK).

Seanca solemne e Kuvendit të Kosovës për 10-vjetorin e pavarësisë do të mbahet të dielën, në orën 12:00.

Po të dielën, më 18 shkurt, do të organizohet pritja shtetërore për mysafirët vendorë e ndërkombëtarë.

Policia e Kosovës (PK) ka njoftuar se ka bërë të gjitha përgatitjet për garantimin e sigurisë më 17 dhe 18 shkurt.

Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova mbetet ndër vendet më të varfra të Evropës, ndërkaq vazhdon të jetë vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka marrë liberalizimin e vizave.

Dhjetë vite më parë, Kuvendi i Kosovës përmes një deklarate të nënshkruar nga deputetët e Republikës, veç atyre serbë, shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, duke u realizuar dëshira shekullore e shqiptarëve për të fituar pavarësinë. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, me rastin e…