10 vjet shtet, parakalojnë FSK-ja dhe Policia
Për nder të përvjetorit jubilar të shtetësisë së Kosovës, më 17 shkurt në sheshet kryesore të kryeqytetit do të parakalojnë njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe ato të Policisë së Kosovës (PK).
Një ditë më pas, më 18 shkurt, do të organizohet pritja shtetërore për mysafirët vendorë e ndërkombëtarë.
Këshilltari i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Adil Behramaj, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se në kuadër të dhjetëvjetorit të pavarësisë do të ketë edhe instalacione dhe ekspozita të ndryshme.
“Tashmë kemi filluar dekorimin e shesheve, në Prishtinë dhe në qytetet e tjera. E kemi lëshuar edhe flamurin e madh të Kosovës në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Gjatë ditëve të ardhshme do të ketë edhe instalacione dhe ekspozita të ndryshme, në të cilat do të shpaloset e kaluara e Kosovës, por edhe të arriturat dhe aspiratat tona. Do ta kemi një ekspozitë në Sheshin ‘Nënë Tereza’, që nëpërmjet ballinave të medieve botërore tregon rrënjët e shtetit tonë, një rrugëtim të gjatë nëpër dekada. Një ditë do t’i dedikohet ‘Kosovës digjitale’. Pjesë e saj do të jenë shumica e kompanive dhe organizatave inovatore në Kosovë”, ka deklaruar Behramaj.
Po ashtu, ai ka treguar se për nder të përvjetorit të dhjetë të shtetësisë do të organizohet edhe një panair me prodhime vendore, i shoqëruar edhe me forum ekonomik. Po në kuadër të këtij përvjetori, Komiteti Olimpik do të promovojë edhe tri sporte të reja.
Behramaj, duke shtuar se aktiviteti kryesor më 17 shkurt do të jetë parakalimi i njësiteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe atyre të Policisë së Kosovës në sheshet kryesore të kryeqytetit. Ndërsa një ditë më pas, më 18 shkurt, do të organizohet pritja shtetërore për mysafirët vendorë ndërkombëtarë.
“Po ashtu, janë planifikuar edhe disa koncerte gjatë këtyre ditëve dhe çdo ditë do të shfaqen filma në Kinemanë ABC dhe në kinema të tjera. Gjithashtu, do të organizohet edhe një festival multikulturor, me komunitetet e Kosovës dhe folklorin e tyre”, ka thënë Behramaj