100 aforizmat më të njohura të La Rochefoucauld
François De La Rochefoucauld (1613 – 1680) ishte një shkrimtar, filozof dhe aforist francez.
Ai lindi në Paris, në një nga familjet më të vjetra fisnike në Francë. Ai filloi që në moshë të re të shkruajë maksimat e tij, të cilat më vonë u bënë një profesion serioz dhe i mundimshëm. Ato u botuan në një vëllim më 1665 “Refleksione ose fjali dhe maksima morale”, që pasohet nga katër botime të tjera, me disa ndryshime të rëndësishme. Gëzoi sukses të menjëhershëm.
Koleksioni përfshin 504 maksima, të paraprirë nga një premisë autori zyrtar i së cilës është botuesi, pas së cilës sidoqoftë, sipas zakonit, fshihet vetë La Rochefoucauld.
Nga botimi i parë i “Refleksioneve”, autori më pas shpjegoi 74 maksima, të cilave iu shtuan më pas dhe të tjera, të botuara pas vdekjes dhe të marra nga dorëshkrime, letra, botime të huaja, shtesa të botimeve të ndryshme dhe dëshmive të bashkëkohësve të autorit.
Më poshtë, Ekonomia Online sjell një përmbledhje me 100 aforizmat më të spikatura të La Rochefoucauld:
- Secili nga ne ka mjaft forcë për të përballuar fatkeqësitë e të tjerëve.
- Për të pasur sukses duhet të bëjmë çmos që të shfaqemi si njerëz të suksesshëm.
- Urtësia është për shpirtin si shëndeti për trupin.
- Ferri i grave është pleqëria.
- Ai, të cilit i besoni sekretin tuaj, ai bëhet pronari i lirisë suaj.
- Asgjë nuk jepet me aq bujari sa këshillat.
- Grindjet nuk do të zgjasnin shumë, nëse faji do të ishte vetëm i njërës palë.
- Xhelozia lind gjithmonë me dashurinë, por jo gjithmonë vdes me të.
- Virtytet treten në interes si lumenjtë në det.
- Kur veset na braktisin, mburremi se i braktisëm ne.
- Pjesa më e madhe e femrave të ndershme janë thesare të fshehta e të sigurta, ngaqë askush nuk i kërkon.
- Është më turp të mos u besosh miqve sesa të gënjehesh prej tyre.
- Tradhtohet më shpesh prej dobësisë sesa prej dëshirës për të tradhtuar.
- Mund të jesh më dinak se një tjetër, por jo më dinak se gjithë të tjerët.
- Në dashuri, shërohet më mirë ai që shërohet më shpejt.
- Më lehtë heqim dorë nga interesi ynë sesa nga shijet tona.
- Është më kollaj të jemi të mençur për të tjerët se për veten.
- Sado që të na lëvdojnë, asgjë të re s’na mësojnë.
- Atij që s’i pëlqen askush është më i palumtur se ai që nuk pëlqehet nga askush.
- Guximi i vërtetë është të bëjmë pa pasur asnjë dëshmitar atë jemi të gatshëm të bëjmë në sytë e botës.
- Rinia i ndryshon shijet ngaqë i vlon gjaku, ndërsa pleqëria i ruan shijet prej forcës së zakonit.
- Pendesa jonë nuk vjen dhe aq nga keqardhja ndaj të keqes që kemi bërë, sa nga frika e asaj që mund të rrjedhë prej saj.
- Kujdesi dhe dashuria nuk bëjnë për njëri-tjetrin. Ndërsa dashuria rritet, kujdesi zvogëlohet.
- Mënyra më e mirë për t’i mbajtur miqtë është të mos u kërkosh asgjë e të mos u detyrohesh asgjë.
- Të shumtë janë ata që puthin duart që do të donin të kafshonin.
- Rinia është një drithërimë e vazhdueshme, është gripi i arsyes.
- Një femre s’ka ç’i duhet të jetë e re pa qenë e bukur, as të jetë e bukur pa qenë e re.
- Mungesa i zbeh dashuritë e vogla dhe i rrit të mëdhatë, njësoj si era që shuan qiriun por ndez zjarrin.
- Nuk bëhesh qesharak për cilësitë që ke, por për ato që shtiresh sikur ke.
- Nëse akoma nuk është gjetur ana qesharake tek ndonjë individ, do të thotë nuk është kërkuar mjaftueshëm.
- Qartësia e vërtetë qëndron në të thënit e të nevojshmes dhe vetëm të nevojshmes.
- Premtimet e disave janë si rërat thithëse, të cilat, po t’i shohësh nga larg duken të qëndrueshme e të sigurta, por rezultojnë të paqëndrueshme dhe të rrezikshme.
- Përvujtëria është forma më keqe e mendjemadhësisë.
- Vetëm ai që është i denjë për përçmim ka frikë se mos e përçmojnë.
- Shpresa, për sa e gënjeshtërt është, të paktën shërben për të na çuar drejt vdekjes për një rrugë të pëlqyeshme.
- Ka më shumë rëndësi të studiohen njerëzit se librat.
- Është çmenduri e madhe të duash të jesh i vetmi i mençur.
- Ka çmenduri që përhapen si sëmundje ngjitëse.
- Egoizmi i flet të gjitha gjuhët dhe i luan të gjitha rolet, edhe atë të zemërgjerësisë.
- Para se të dëshirosh fort diçka, duhet të shikosh se sa i lumtur është ai që tashmë e zotëron atë.
- Mospranimi i lëvdatës nxjerr në pah dëshirën për t’u lëvduar dy herë.
- Mirënjohja është vetëm pritje për ndere të reja.
- Kush merret tepër me gjëra të vogla, bëhet i paaftë për gjëra të mëdha.
- Si mund të pretendosh që një tjetër të mbajë sekretin tënd, kur ti vetë, duke ia besuar atij, nuk ke ditur ta mbash?
- Heshtja është sjellja më e sigurt për atë që nuk ka vetëbesim.
- Nganjëherë mjafton të jesh injorant që të mos gënjehesh nga një njeri inteligjent.
- Mendjemadhësia e favorizon bisedën më shumë se inteligjenca.
- Secili nga ne fal aq sa mund të dashurojë.
- Xhelozia ushqehet me dyshime dhe shndërrohet në tërbim, ose vdes në çastin që dyshimi kthehet në vërtetësi.
- Ka meritë pa sukses, por jo sukses pa ndonjë meritë.
- Virtyti s’do të shkonte larg, po të mos e shoqëronte sedra.
- Mosbesimi ynë justifikon mashtrimin e tjetrit.
- Njerëzit japin këshilla të mira kur janë shumë të vjetër për të dhënë shembull të keq.
- Mirënjohja është forma më e këndshme e mirësjelljes.
- Në xhelozi ka më shumë egoizëm se dashuri.
- Fati korrigjon shumë gabime që arsyeja nuk mundet.
- Në fatkeqësitë e miqve tanë gjejmë gjithmonë diçka që nuk është krejt e papëlqyer për ne.
- Njerëzit e ndershëm të japin respekt për meritat e tua, të tjerët për pasurinë tënde.
- Nuk ka njeri të mençur, pa një grimcë çmendurie.
- Parapëlqejmë më shumë që të flitet keq për ne sesa të mos flitet fare.
- Nëse njerëzit nuk do të lajkatoheshin respektivisht nuk do të kishte më shoqëri.
- Egoizmi është mikluesi më i madh.
- Nëse një njeri nuk gjen paqe tek vetja e vet, më kot e kërkon gjetkë.
- Vuajtja që i duhet shkaktuar vetes për t’i qëndruar besnik njeriut që do, nuk vlen më shumë se një tradhti.
- Miku i vërtetë është më e mira e të mirave.
- Të gjithë ankohen se nuk kanë kujtesë, askush nuk ankohet se nuk ka gjykim.
- Modestia, që duket sikur i refuzon lëvdatat, në të vërtetë veçse i dëshiron më të rafinuara.
- Ndonëse njerëzit lëvdohen për veprat e tyre të mëdha, ato nuk janë aq shpesh fryt i një projekti sa ç’janë pasojë e rastësisë.
- Është e vështirë që dy persona që nuk duhen më, të grinden me të vërtetë.
- Gjëja më e vështirë për të gjetur në lidhjet dashurore është dashuria.
- Liria e të shprehurit është një prej të drejtave më të vlerësuara të njeriut.
- Ka një lloj dashurie të vetme, por me mijëra versione të ndryshme.
- Nuk kemi guximin të pohojmë se jemi pa të meta, e që armiqtë tanë nuk kanë cilësi, por na duhet fare pak që ta besojmë.
- Lajka është një monedhë e rreme që qarkullon vetëm falë sqimës sonë.
- Mendja lejon gjithherë që të nëpërkëmbet nga zemra.
- Veset janë pjesë përbërëse e virtyteve siç janë helmet pjesë përbërëse e ilaçeve.
- Shumë thonë që e përçmojnë pasurinë, por janë të paktë ata që ua japin të tjerëve.
- Kënaqësia e dashurisë është të dashurosh.
- Sinqeriteti gjendet në pak njerëz dhe shpeshherë është më i mprehti mashtrim, pasi disa tregohen të sinqertë që të fitojnë mirëbesimin dhe të depërtojnë në sekretet e tjetrit.
- Jemi të prirë të quajmë dëgjues të mirë vetëm ata që ndajnë të njëjtat mendime me ne.
- Shumë të rinj mendojnë se janë spontanë, ndërkohë që janë thjesht të paedukatë.
- Bashkë me këshillat nuk mund të jepet dhe urtia për t’i ndjekur.
- Nuk dëshirohet kurrë me zell gjëja që dëshirohet vetëm përmes arsyes.
- Gjejmë gjykim të matur vetëm në ata persona që e mendojnë si ne.
- Shpesh, dhimbja që na shkaktojnë të tjerët, nuk është aq e madhe sa ajo që ne i shkaktojmë vetes.
- Shakaxhiu do të gjendej shpesh në siklet po të mungonin budallenjtë.
- Në jetë na ndodh të gjendemi në rrethana, në të cilat, për t’ia dalë, duhet të jemi pak të çmendur.
- Zakonisht njerëzit lëvdojnë që të lëvdohen.
- Kush mendon se mund t’ia dalë pa botën, gënjehet shumë; por kush mendon se bota nuk mund t’ia dalë pa të, gënjehet shumë më tepër.
- Zilia jonë zgjat më shumë se lumturia e atyre që kemi zili.
- Është më mirë ta përqendrojmë mendjen tonë në përballimin e fatkeqësive që na kanë ndodhur sesa në parashikimin e fatkeqësive që mund të na ndodhin.
- Pasionet janë të vetmit oratorë që joshin gjithmonë.
- Nuk jemi kurrë aq të lumtur apo të palumtur sa ç’mendohet.
- Qëndrojmë më gjatë me dashurinë e parë, kur s’është e thjeshtë të gjejmë një të dytë.
- Për të njohur mirë gjërat, duhet të njohim mirë detajet e tyre; por duke qenë se detajet janë pothuajse të pafundme, njohuritë tona janë gjithmonë sipërfaqësore dhe jo pa të meta.
- Ndershmëria e femrave është shpesh kujdes ndaj emrit dhe rehatisë së tyre.
- Pak njerëz dinë të jenë të moshuar.
- Në dashuri, të mos duash tepër është një mjet i sigurt për t’u dashur nga partneri.
- Një person i sjellshëm mund të dashurohet si një i çmendur, por jo si një budalla.
- Mirëbesimi e ushqen bisedën më shumë se inteligjenca.