100 fitore në Formula 1, Hamilton: Triumfi erdhi në një garë të çmendur

27 shtator 2021 | 12:19

Piloti britanik Lewis Hamilton korri suksesin numër 100 në karrierën e tij në Formula 1, duke triumfuar në garën ruse të zhvilluar në pistën e Sochi. Një sukses që erdhi mes shumë vështirësish, në një garë ku gabimet e rivalëve dhe shiu ndikuan në rezultatin përfundimtar.

“Garë e çmendur, me shiun që na befasoi të gjithë. M’u desh shumë kohë që të arrija të fitorja numër 100 në karrierë. Madje nuk besoja se do të arrija deri këtu, të paktën jo në këtë garë. Shiu ndryshoi fatin e garës”, ka thënë Hamilton.

“Nuk e dija se si do të përfundonte kjo garë, por në fund i jam mirënjohës skuadrës time, pasi falë atyre sot jam këtu ku jam, me 100 fitore. Më vjen keq edhe për Norris, që bëri një garë të shkëlqyer”, ka shtuar Hamilton.

Piloti britanik i Mercedes, falë këtij suksesi, u rikthye në krye të renditjes së botërorit për pilotë. “Në provat zyrtare bëra mjaft gabime dhe nuk isha i kënaqur. Kisha dhimbje në qafë, por bëra shumë fizioterapi për të qenë gati. Gjithsesi, botërori është i fortë, pasi Verstappen u rendit i dyti. Kjo do të thotë se deri në fund do të jetë një sfidë e hapur mes nesh”, ka deklaruar Hamilton. /Telesport/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njësitet e KFOR-it kanë arritur në zonën neutrale në mes…