100 prokurorë angazhohen për zgjedhjet e 6 tetorit
Koordinatorja nacionale e projektit “Mbrojtja e votës”, Laura Pula, ka bërë me dije se 100 prokurorë do të jenë kujdestarë në të gjithë Kosovën në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Kryeprokurori ka emëruar prokurorët për regjionet e tyre dhe 24 orë do të jenë në zgjedhje. 100 prokurorë do të jenë kujdestarë në Kosovë. Të gjithë prokurorët së bashku me Policinë e Kosovës do të qëndrojnë në zyrat e tyre në regjionet e caktuara. Prokurori i Shtetit aty për aty vendos për ndalimin e personave dhe kërkon nga gjyqtari kujdestar shqiptimin e masave qofshin me burgim. Në rast se kur veprat penale kryen policia njofton prokurorin. Në qoftë së vepra penale kryhet gjatë personave në ushtrim të detyrës zyrtarë policia njofton prokurorin për ndalim të menjëhershëm. Në momentin se kur ndodh një rast në Prishtinë prokuroi ka emrin dhe numrin e vëzhguesit”, ka deklaruar Pula në tryezë me temën “Mbrojtja e Votës” ku është diskutuar për angazhimin e institucioneve përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Ajo ka treguar se koordinatorja do të mbikëqyrë mbarëvajtjen e zgjedhjeve në tërë Kosovën nga zyrat dhe do të komunikojë në teren me KQZ-në, policinë dhe komisionin për ankesa.
“Nga kjo zyrë do të përcillen edhe informatat e medieve. Dhoma operative e kryeprokurorit të shtetit do të pranon çdo informatë sidomos të veprave penale. Nëse kemi informacione që është duke u kryer vepra penale dhe në qoftë se nuk lajmërohet është sanksionuar sipas kodit penal të Kosovës. Policia dhe prokuroria do të ndalojë çdo personat që bien ndesh me ligjin”, ka theksuar Pula, duke shtuar se Prokuroria e Shtetit do të përcjellë edhe portalet për të gjitha informatat e publikuara.
Sipas saj, kushdo që përdor forcën dhe kërkon nga personi tjetër të tregoj se si ka votuar dënohet me 1 vit burgim, në qoftë së këtë e kryejnë anëtarët e komisionit zgjedhor sanksioni rritet prej 1 deri në 5 vite burgim.
Ndërkohë drejtori i operacioneve në Policinë e Kosovës, Afrim Ahmeti, ka thënë se policia do të caktojë ekipe monitoruese në të gjitha komunat e Kosovës.
“Policia do të monitorojë siguri për të gjitha tubimet. Ditën e zgjedhjeve policia do të ofrojë siguri në të gjitha vendvotimet dhe derisa kutitë të dorëzohen. Do të caktojë ekipe monitoruese në të gjitha komunat e Kosovës. Kemi forca të mjaftueshme për sigurinë e vendit. Njësitë speciale do të jenë në gatishmëri të përgjigjen për çdo rast. Kërkojmë nga subjektet politike që fushata zgjedhore dhe zgjedhjet të kalojnë të qeta. Kërkojmë që subjektet politike të respektojnë ligjin e zgjedhjeve”, është shprehur ai.
Kurse koordinatorja e Këshillit Gjyqësor, Fatime Dërmaku, ka deklaruar se Këshilli Gjyqësor ka caktuar 15 gjyqtarë për procesin zgjedhor.
“Këshilli i Kosovës do t’i del zot zotimeve të veta në bashkëpunim me prokurorët, KQZ-në dhe policinë. Këshilli Gjyqësor ka caktuar 15 gjyqtarë në të gjitha gjykatat e Kosovës”, ka theksuar ajo.
Ndërsa koordinator i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mul Desku, ka bërë me dije se deri më tani kemi pranuar 89 ankesa dhe 86 janë shqyrtuar.
“Paneli Zgjedhor për Ankesa ka pranuar 89 ankesa dhe ka shqyrtuar 86 ankesa. Këto kanë të bëjnë me fushatën. Stafi i punës do të punojë me orar të zgjatur. Afatet e ankesave gjatë fushatës janë 24 orë prej momentit të shkeljes”, ka thënë ai.
Ndërkohë drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se polica do të jetë mbështetëse e fortë në këtë proces.
“Policia e Kosovës do të jetë mbështetëse e fortë e procesit zgjedhor. Në bazë të vlerësimeve të deritashme është një situatë mjaftë e qetë. Policia e Kosovës do të ketë shumë angazhime dhe nuk do të lodhemi kurrë që Kosova të del e suksesshme”, është shprehur Qalaj.
Ndërkaq përfaqësues i Ambasadës së ShBA-ve, John Bush, ka thënë se Amerika vazhdon të mbështet zgjedhjet dhe inkurajon të gjithë për të raportuar parregullsitë.
“Ju inkurajojmë të raportoni për të gjitha parregullsitë. ShBA-ja vazhdon të mbështet projektin e juaj”, ka deklaruar ai.