100+ punë të mira në sport, art e trashëgimi për 18 muaj, në shërbim të të rinjve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës
Një përmbledhje e punës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për periudhën 24 mars 2021 – 24 shtator 2022.
1. Koncept dokumenti për kulturë
Reforma më e madhe në kulturë po realizohet, pas konsultimeve e analizave nga viti i kaluar, koncept dokumenti për art e kulturë është miratuar në qeverinë e Kosovës, duke hapur rrugë për një kornizë të re ligjore dhe institucionale për kulturën.
2. Themelimi i Operës së Kosovës
Opera e Kosovës tashmë është funksionalizuar përmes hartimit të akteve përkatëse ligjore dhe angazhimit të stafit administrativ, ndërsa po zbaton me sukses programin vjetor artistik.
3. Konkurs ndërkombëtar për dizajn të Teatrit të Operës dhe Baletit
Teatri i Operës dhe Baletit do të ndërtohet sipas të gjitha standardeve dhe kritereve ndërkombëtare. Së shpejti do të hapet konkursi ndërkombëtar për hartim të projektit të Teatrit të Operës dhe Baletit.
4. Themelimi i Këshillit Inicues të Muzeut të Artit Bashkëkohor
Muzeu i Artit Bashkëkohor është institucion i rëndësisë së veçantë që do të ofrojë mundësi të reja zhvillimi dhe promovimi për artin dhe artistët tanë bashkëkohorë. Është themeluar Këshilli Inicues që është duke punuar në: themelimin e institucionit, zhvillimin e konceptit programor, vendosjen e kornizave për pasurimin e koleksionit, sugjerime për ndërtesën e MAB, dhe konsolidimin e strukturës menaxhuese.
5. Bursa për studime në profilet deficitare në kulturë
Duke marrë parasysh kërkesat për profilet profesionale që mungojnë në kulturë, ka nisur programi i mbështetjes financiare për studime në profilet deficitare me qëllim të krijimit të kapaciteteve të reja profesionale. Këto profile do të ndihmojnë në përforcimin e institucioneve kulturore dhe të skenës së pavarur kulturore.
6. Ligji për Arkivat
Është miratuar Ligji për Arkivat Shtetërore, i cili parasheh rregullat themelore për organizimin, administrimin dhe funksionimin unik të shërbimit arkivor si dhe përgjegjësitë e organeve për krijimin, pranimin, ruajtjen, mbrojtjen, përpunimin dhe shfrytëzimin e materialit arkivor të shtetit tonë.
7. Ligji për Kinematografinë
Projektligji i ri që rregullon fushën e filmit është hartuar, ndërsa në fund të vitit 2022 pritet të miratohet në qeveri dhe të dërgohet në Kuvendin e Kosovës. Ligji i ri siguron mbështetje të rritur për filmbërësit, menaxhim efikas të QKK, themelim të Rrjetit të Kinemave, fuqizim të industrisë dhe tërheqje të investimeve në film.
8. Ligji për Kulturën
Me bazë në koncept dokumentin për Art dhe Kulturë është duke u hartuar ligji i ri për kulturën, i cili do të shfuqizojë masën më të madhe të legjislacionit ekzistues me synim deburokratizimin e kulturës dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik me artin dhe kulturën si kontribues në mirëqenie shoqërore.
9. Strategjia shtetërore për kulturën
Me bazë në koncept dokumentin e miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ka nisur hartimi i Strategjisë shtetërore për kulturën. Ky dokument do të finalizohet deri në fund të vitit dhe do të jetë udhërrëfyesi strategjik i politikave, institucioneve dhe programeve kulturore.
10. Fondi për blerjen e veprave të artit
Më shumë se një milion euro janë ndarë për blerje të veprave të artit nga artistët vendorë për pasurimin e Koleksionit publik të artit dhe nxitjen e tregut të artit në Kosovë. Përmes këtij fondi deri tani janë blerë 80 vepra arti në vlerë 300 mijë Euro. Veprat nga ky fond do të ekspozohen në hapësira publike për të qenë të qasshme nga qytetarët.
11. Renovimi Teatrit Kombëtar të Kosovës
Është në proces hartimi i projektit për renovimin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës me mbështetjen profesionale nga Universiteti i Prishtinës, përmes të cilit do të arrihet funksionalizimi i plotë i hapësirave të ndërtesës në shërbim të komunitetit teatror dhe qytetarëve. Përgjatë periudhës së renovimit programi i TKK-së do të shfaqet në hapësira alternative dhe në teatro të qyteteve.
12. Hapësira të reja pune për Filharmoninë, Operën dhe institucionet e tjera
Pas marrëveshjes së arritur me Pallatin e Rinisë, po vazhdojnë punimet renovuese në hapësirat kushtuar funksionimit më të mirë të institucioneve të kulturës. Me këto ndërhyrje do të sigurojmë zyre të reja për administratën, kushte më të mira për ushtrime dhe mjedise profesionale për program publik.
13. Qendra e Kulturës në Han të Elezit
Kanë përfunduar punimet dhe është përuruar hapësira kulturore dhe rinore e Hanit të Elezit. Kjo qendër kulturore do të jetë në shërbim të komunitetit artistik dhe të të rinjve të kësaj komune duke akomoduar shumë funksione me amfiteatër, hapësira për ekspozim, bibliotekën e qytetit, sallë sportive e dedikuar për mundje, si dhe salla dhe zyra ndihmëse.
14. Rritja e mbështetjes për institucionet publike të kulturës
Institucioner publike të kulturës janë duke përfituar nga buxheti i rritur, mbështetja për nevojat organizative, përmirësimi i kushteve infrastrukturore me nisjen e projekteve kapitale për renovime dhe nisjen e projekteve të reja të ndërtimit.
15. Rritja e mbështetjes financiare për skenën e pavarur
Skema e mbështetjes financiare për skenën e pavarur është ristrukturuar për të siguruar rezultate më të mira. Deri në shtator të vitit 2022 janë ndarë më shumë se dy milionë euro nga të gjitha thirrjet e përfunduara. Me thirrjet që vazhdojnë të jenë të hapura, deri në fund të vitit parashihet të ketë ngritje të mbështetjes financiare dy herë më të madhe krahasuar ne vitin 2020.
16. Mbështja nëpërmjet fondit të mobilitetit për kulturë
Mbështetja për artistët e pavaruar për të dërguar artin e tyre nëpë botë për promovim dhe paraqitje ndërkombëtare, po bëhet me anë të fondit për mobilitet. Organizata dhe individë po mbështeten financiarisht për të lehtësuar sfidat e depërtimit në skenën ndërkombëtare të artit.
17. Kalendari kulturor
Është miratuar kalendari kulturor me strukturën e re ku përfshihen 134 masa në formë të aktiviteteve fizike dhe online për të shënuar datat e rëndësishme vendore dhe ndërkombëtare të kulturës, ngjarjet e rëndësishme shtetërore dhe për të përkujtuar sistematikisht figurat e rëndësishme të artit dhe kulturës në Kosovë.
18. Programi Europa Kreative
Kosova është bërë pjesë e programit të ri Creative Europe për periudhën 2021-2027, program ky i Bashkimit Europian për mbështetje financiare për sektorët krijues, kulturor dhe audiovizuel në Europë. Kjo platformë mundëson promovimin dhe ndërlidhjen e artistëve tanë me skenën ndërkombëtare të artit, përmes mbështetjes së mobilitetit kulturor në projekte kulturore evropiane.
19. Fondi për rikuperimin e lëndimeve për përformuesit në art
Fondi për Shërimin dhe Rikuperimin e Lëndimeve ka lansuar mbështetjen financiare për mbulimin e shpenzimeve të shërbimeve mjekësore për shërim apo rikuperim në rast të lëndimeve fizike që ndodhin përgjatë aktivitetit përgatitor apo përformues të artistëve.
20. Marrëveshja për bashkëprodhim filmik me Francën
Është thelluar bashkëpunimi kulturor me Francën me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëprodhimit filmik gjatë Festivalit të Kanës. Kjo marrëveshje u ofron mundësi dhe mbështetje shtesë filmbërësve të Kosovës për bashkëpunime kinematografike me partnerët francezë.
21. Marrëveshja për bashkëprodhim filmik me Izraelin
Si nismë e bashkëpunimit shtetëror me Izraelin, mes marrëveshjeve të tjera, është nënshkruar edhe marrëveshja e bashkëpunimit për bashkëprodhime filmike mes kineastëve kosovarë dhe atyre izraelitë.
22. Fuqizimi i shkëmbimit kulturor me Shqipërinë
Është nënshkruar kalendari i përbashkët kulturor Kosovë-Shqipëri me aktivitete të shumta të përbashkëta ndërinstitucionale në kulturë duke forcuar bashkëpunimin e ndërsjellë. Një mori marrëveshjesh të reja bashkëpunimi janë nënshkruar mes institucioneve përkatëse të kulturës e trashëgimisë kulturore. Është rritur ndieshëm shkëmbimi kulturor mes Kosovës e Shqipërisë.
23. Renovimi i ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare
Është inicuar procedura për hartim të projektit për renovim të tërësishëm të ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ky është edhe një projekt i rëndësisë kapitale që synon përmirësimin e kushteve për stafin, studentët, hulumtuesit dhe gjithë shfrytëzuesit e shërbimeve të Bibliotekës.
24. Programi shtetëror i artit në shkolla
Programi i hartuar gjatë vitit 2022 do të testohet fillimisht në komunat e rajonit të Pejës, ndërsa nga viti i ardhshëm do të zgjërohet në komunat e tjera. Synimi themelor i programit është të sigurojë pjesëmarrje të rregullt rë nxënësve në aktivitete kulturore.
25. Zhvillimi i Rrjetit Bibliotekar të Kosovës
Projekti tripalësh (MKRS, MASHTI, MAPL) i Platformës së Shërbimeve Bibliotekare mundëson një rrjet funksional të bibliotekave të vendit tonë përmes automatizimit të shërbimeve, në mes tjerash nëpërmjet ndërtimit të katalogut të përbashkët, huazimit ndërbibliotekar kombëtar dhe ndërkombëtar duke synuar ngritjen e cilësisë së shërbimeve të bibliotekave në Kosovë.
26. Ligji për të drejtën e autorit
Pas një pune dhe analize të gjatë është hartuar ligji i ri për të drejtën e autorit, i cili është në proces të konsultimeve paraprake dhe parashihet të votohet sivjet në Kuvendin e Kosovës. Ky ligj do të krijojë mundësi të reja për mbrojtjen e të drejtave të autorit, një standard i domosdoshëm europian.
27. Pavijoni i Republikës së Kosovës në Bienalen e Venecias
Është ndryshuar praktika e përzgjedhjes së artistëve që e përfaqësojnë Kosovën në Bienalen e Venecias, duke e shndërruar në përzgjedhje përmes një procesi të hapur dhe konkurrues. Shtetin tone në Bienalen e Artit në vitin 2022 e përfaqëson artisti bashkëkohor Jakup Ferri.
28. Bashkëorganizimi i Bienales nomade Manifesta 14 Prishtina
Bienalja Nomade Evropiane e Artit Bashkëkohor po mban edicionin e 14-të të saj në Kosovë. Kjo është ndër ngjarjet më të mëdha kulturore në Europë dhe nuk është mbajtur asnjëherë më herët në shtetet e Ballkanit, ka prezentuar 103 artistë nga 30 shtete. Ministria e Kulturës, duke qenë mbështetësja kryesore financiare e bienales, ndër tjerash ka mundësuar rijetësimin e aseteve të trashëgimisë kulturore duke i aktivizuar në funksion të promovimit të artit.
29. Anëtarësimi i Teatrit Kombëtar në Rrjetin Europian të Teatrove
Teatri Kombëtar i Kosovës është anëtarësuar në Rrjetin Europian të Teatrove të Europës. Anëtarësimi është votuar nga 32 anëtarët e rrjetit dhe i siguron TKK-së përfitime në zhvillim profesional, bashkëpunime artistike dhe avokim për teatrin në nivel evropian.
30. Udhëzimi administrativ për procedurat për gërmime arkeologjike
Miratimi i këtij udhëzimi administrativ ka hapur rrugën për standardizim të procedurës duke u bazuar në kriteret shkencore për zhvillim të kërkimeve arkeologjike në tërë territorin e Kosovës.
31. Udhëzimi administrativ për licensimin e operatorëve
Miratimi i këtij udhëzimi administrativ do të sigurojë që ndërhyrjet në asetet e trashëgimisë kulturore të bëhen vetëm nga kompani dhe profesionistë të dëshmuar të fushës, njëkohësisht kështu, duke mundësuar edhe zhvillimin e tregut profesional për fushën e trashëgimisë kulturore.
32. Udhëzimi administrativ për mbrojtjen e trashëgimisë së luajtshme
Unifikimi i tërë ciklit të mbrojtjes dhe menaxhimit të mirëfilltë të aseteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme është përcaktuar përmes këtij akti të legjislacionit sekondar.
33. Rregullorja për përcaktimin e perimetrit dhe zonës mbrojtëse të aseteve
Rregullorja krijon kushte për përfshirjen e trashëgimisë kulturore në dokumentet e planifikimit hapësinor, duke krijuar bazën për një zhvillim të balancuar urban e rural, në mënyrë që të sigurohet integriteti i aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje.
34. Rregullorja për inventarizim dhe procesin e përzgjedhjes për mbrojtje
Kjo rregullore përcakton procesin e inventarizimit, vlerësimit, dhe përzgjedhjes së asteve të trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme dhe të përhershme, duke u bazuar në parimet e konventave ndërkombëtare.
35. Mbrojtja e përhershme e aseteve të trashëgimisë
Pas shumë vitesh është riaktivizuar sistemi i mbrojtjes së përhershme të aseteve të trashëgimisë kulturore. Janë dorëzuar 54 dosje të nominimit në KKTK për mbrojtje të përhershme. Gjithashtu, janë shtuar mbi 20 asete në listën e mbrojtjes së përkohshme, ndër to asete nga trashëgimia arkitekturore, arkeologjike dhe shpirtërore.
36. Ndërhyrjet emergjente në rajonin e Mitrovicës
Në rajonin e Mitrovicë janë zhvilluar ndërhyrjet me karakter shpëtimi në Xhaminë e Mazhiqit, Kishën Katolike Sase në Stantërg, Shtëpinë e Islam Shipollit në Mitrovicë dhe Shtëpinë e Gani Sejdiut në Runik, ndërsa do të vazhdohet me projektet e tjera të masave emergjente.
37. Ndërhyrjet emergjente në rajonin e Prizrenit
Ndërhyrjet emergjente për të shpëtuar trashëgiminë kulturore nga shkatërrimi i tërësishëm kanë vazhduar edhe në rajonin e Prizrenit, ku kanë përfunduar ndërhyrjet në 12 asete, dhe janë duke u zhvilluar punimet edhe në asetet e tjera në rrezik.
38. Ndërhyrjet emergjente në rajonin e Pejës
Në rajonin e Pejës janë shpëtuar këto asete: Shtëpia e Qehjave, Mulliri i Gjikokajve, Kulla e Halil Ali Mavrajt, Kulla e Hamdi Halil Osmanajt, ndërsa punime të reja me karakter të shpëtimit do të vazhdojnë edhe në pjesën e mbetur të këtij viti.
39. Ndërhyrjet emergjente në rajonet e Gjilanit dhe Ferizajit
Përmes programit të ndërhyrjeve emergjente në rajonet e Gjilanit dhe Ferizajit gjatë muajve të fundit janë realizuar ndërhyrje në 13 asete të trashëgimisë sonë kulturore.
40. Restaurimi i ndërtesës së Emingjikut
Një nga asetet më të rëndësishme, i rrezikuar nga neglizhenca për vite me radhë, pas restaurimit të tërësishëm mirëpret ekspozitën permanente për t’i hapur dyert për vizitorët që duan të mësojnë etnografinë e vendit tonë.
41. Restaurimi i Hamamit te Prizrenit
Me shumë kujdes dhe duke i kushtuar rëndësi çdo detaji, po zhvillohen ndërhyrjet restauruese dhe konservuese në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren. Aktualisht po punohet në rehabilitimin e enterierit dhe për t’u vazhduar më tej me fazat e tjera.
42. Restaurimi i Hamamit të Mitrovicës
Kanë vazhduar ndërhyrjet restauruese dhe konservuese në hapësirat e brendshme dhe të jashtme, duke i ruajtur vlerat dhe origjinalitetin Hamamit të Qytetit në Mitrovicë.
43. Restaurimi i Hanit të Haraqisë në Gjakovë
Ka përfunduar restaurimi i Hanit të Haraqisë, pjesë e kompleksit dhe Çarshisë së Madhe të Gjakovës. Pas ndërhyrjeve restauruese të zhvilluara, aseti do të vazhdojë të ruaj origjinalitetin dhe njëkohësisht është mundësuar që këto vlera të transferohen në potencial për zhvillim shoqëror e ekonomik.
44. Muzeu Etnografik në Gjakovë
Janë kryer punimet restauruese në Muzeun Etnografik ku ka pasur nevojë urgjente për ndërhyrje. Ky aset i trashëgimisë kulturore me vlera të jashtëzakonshme dhe pikë reference e turizmit në Gjakovë po merr vëmendjen e merituar nga institucionet.
45. Restaurimi i Kullës së Sheremetit në Pejë
Kulla e Sheremetit në qytetin e Pejës ka shpëtuar nga rrënimi dhe degradimi i tërësishëm. Në këtë aset të trashëgimisë sonë kulturore janë zhvilluar ndërhyrje restauruese dhe konservuese, ndërsa punimet kanë kaluar në fazën e dytë.
46. Restaurimi i Kullës së Tahirsylajve në Isniq, Deçan
Kulla e Sylë Tahirsylajt në Isniq të Deçanit është një prej aseteve të trashëgimisë kulturore me rëndësi të jashtëzakonshme historike e artistike, së cilës iu rikthye integriteti falë punimeve restauruese që u zhvilluan gjatë këtij viti.
47. Nisja e projektit për revitalizimin e rrugës Marin Barleti në Prizren
Rruga Marin Barleti si një prej zonave me gjendjen fizike më të rënduar në Qendrën Historike të Prizrenit, po rijetësohet. Tashmë kanë përfunduar ndërhyrjet restauruese në shtëpinë e familjes Morina dhe ato emergjente në disa shtëpi të tjera në këtë rrugë. Gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm vazhdojnë ndërhyrjet restauruese në shtëpitë e përzgjedhura dhe rehabilitimi urban.
48. Ndërhyrjet emergjente në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz
Është realizuar studimi profesional i vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave brenda kompleksit, dhe janë zhvilluar ndërhyrjet emergjente në shtëpinë e Sala dhe Hamit Jasharit, ndërsa ndërhyrjet në tri ndërtesa tjera do të vazhdojnë gjatë këtij viti.
49. Konkursi ndërkombëtar për projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz
Komisioni i Ekspertëve që në përbërje ka profesionistë të vendit dhe nga jashtë ka përfunduar detyrën projektuese mbi të cilën do të shpallet konkursi ndërkombëtar për master planin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
50. Rijetësimi i qytetit të Janjevës
Ruajtja e trashëgimisë kulturore dhe shfrytëzimi i potencialit të saj për zhvillim ekonomik përmes turizmit rural e kulturor, po realizohet përmes programit për rijetësimin e qytetit të Janjevës, i cili bashkëfinancohet nga Ministria e Kulturës dhe Bashkimi Europian në vlerë prej 3.4 milionë euro.
51. Rehabilitimi i trashëgimisë kulturore përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë
Me programin e përbashkët mes Ministrisë së Kulturës, BE-së dhe UNDP-së janë realizuar ndërhyrje në gjashtë monumente, ndërsa 11 monumente të tjera do t’i shtohen kësaj liste. Programi i përbashkët synon përdorimin e potencialit të trashëgimisë kulturore për të fuqizuar kohezionin social mes komuniteteve në Kosovë.
52. Gërmimet, zbulimet dhe plani i menaxhimit të Ulpianës
Lokaliteti arkeologjik Ulpiana po merr vëmendje meritore shtetërore e ndërkombëtare, duke përfituar nga mbështetja profesionale për kërkime arkeologjike. Puna profesionale në këtë lokalitet po vazhdon, ndërsa plani i menaxhimit tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare.
53. Themelimi i njësisë menaxhuese të Kalasë së Prizrenit
Pas miratimit të planit të menaxhimit për Kalanë e Prizrenit, është themeluar njësia menaxhuese e cila përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Institutit Arkeologjik dhe Komunës së Prizrenit. Njësia menaxhuese është përgjegjëse për administrimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe promovimin e Kalasë së Prizrenit, duke mundësuar shfrytëzimin si hapësirë multifunksionale, në përputhje me vlerat e trashëgimisë kulturore.
54. Themelimi i Komisionit mbikëqyrës për Qendrën Historike të Prizrenit
Janë vënë hapat e parë për zbatim të planit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit. Komisioni Mbikëqyrës përbëhet nga përfaqësues të institucioneve qendrore, lokale dhe të shoqërisë civile, dhe ka për detyrë koordinimin e veprimeve për të siguruar zbatim efikas të prioriteteve dhe objektivave të paraqitura në planin e veprimit dhe menaxhimit për Qendrën Historike të Prizrenit.
55. Dokumentimi i shkatërrimit të trashëgimisë kulturore gjatë luftës
Kosova kërkon llogari dhe dëmshpërblim nga Serbia për shkatërrimin e qëllimshëm të qindra monumenteve të Kosovës. Komisioni shtetëror për dokumentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore nga forcat Serbe, gjatë luftës 1998-1999, në përberje të ekspertëve e akademikëve vendorë e ndërkombëtarë, është duke përpiluar raportin e dëmeve, ndërsa mbi bazën e të gjeturave do të përgatitet edhe kërkesa për dëmshpërblim.
56. Sistemi i integruar për menaxhimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore
Në bashkëpunim me partnerët institucionalë po punohet në sistemin e integruar që do të rregullojë një bazë të të dhënave të unifikuara, për regjistrim, dokumentim, ruajtje dhe menaxhim të
aseteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore.
57. Publikimi i databazës së trashëgimisë kulturore
Databaza aktuale e trashëgimisë kulturore të Kosovës rikthehet në funksion të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Në databazën e brendshme janë regjistruar mijëra asete të trashëgimisë kulturore. Pas mënjanimit të problemeve teknike, baza e të dhënave të trashëgimisë kulturore është rikthyer, dhe është e qasshme për publikun.
58. Përfshirja e trashëgimisë kulturore në dokumente të planifikimit hapësinor
Zhvillimet në zonat urbane dhe rurale, ndërtimet e pakontrolluara, janë disa prej sfidave kryesore me të cilat përballen zonat dhe qendrat historike në Kosovë. Për t’i adresuar këto sfida, ka nisur programi për integrimin e trashëgimisë kulturore në dokumentet e planifikimit hapësinor.
59. Programi i muzeve
Me miratimin e Koncept Dokumentit për Kulturë, në Qeverinë e Republikës së Kosovës, jemi një hap më afër bazës ligjore për rregullimin e veprimtarisë së institucioneve të muzeve në Kosovës. Krahas punës dinamike në bazën ligjore, Programi i Muzeve është ideuar për zhvillimin e muzeve të Kosovës si hapësira edukimi dhe ekspozimi tërheqëse për vizitorët dhe në veçanti fëmijët.
60. Hapja e Muzeut të Burgut të Prishtinës
Ambientet e ish-burgut të Prishtinës janë hapur për publikun përmes ekspozitës së përkohshme të titulluar “Burgu i Idealit”, që përbën hapin e parë drejt shndërrimit të kësaj ndërtese në qendër dokumentimi dhe ekspozimi të krimeve të regjimit jugosllav dhe atij serb kundër shqiptarëve. Ky institucion muzeal do të rrefejë historinë e ish të burgosurve politikë të cilët përjetuan tortura të paimagjinueshme nga regjimet shtypëse.
61. Muzeu Arkeologjik në Prizren
Falë punës së profesionistëve dhe investimeve të Ministrisë së Kulturës, Muzeu Arkeologjik i Prizrenit ka marrë formën e një institucioni modern muzeal. I hapur për vizitorë dhe me një program të veçantë për fëmijët, muzeu ka krijuar standard të ri të dokumentimit dhe prezantimit të historisë sonë.
62. Bursa studimi në profilet deficitare të trashëgimisë kulturore
Mbështetja financiare për studentë të fushave deficitare të trashëgimisë kulturore synon zhvillimin e kapaciteteve profesionale në fushën e trashëgimisë kulturore, me fokus në fuqizimin e autoriteteve publike që e administrojnë këtë fushë.
63. Fuqizimi i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore
Është fuqizuar roli i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Janë realizuar inspektime dhe monitorime të shumta në asete dhe zona të mbrojtura, duke vlerësuar gjendjen e tyre dhe parandaluar punimet pa leje.
64. Rritja e mbështetjes financiare për organizatat dhe profesionistët
Është dyfishuar mbështetja për skenën e pavarur dhe është reformuar skema e granteve për komunitetin e trashëgimisë
kulturore, duke prioritizuar projekte që maksimizojnë ndikimin e investimit në zhvillimin social e ekonomik lokal. Për vitin 2021 kjo mbështetje ka kapur vlerën 913.893 EUR. Krahasuar me vitin 2020 mbështetja është rritur 3.5 fish, ndërsa edhe këtë vit vazhdojmë me mbështetje të konsiderueshme.
65. Bashkëpunim i ngushtë Kosovë-Shqipëri në trashëgimi kulturore
Në fushën e bashkëpunimit kulturor më Republikën e Shqipërisë, janë zhvilluar aktivitete të përbashkëta, me theks të veçantë në shkëmbim të përvojave profesionale ndërmjet institucioneve tona, prezantim dhe promovim të vlerave të trashëgimisë sonë kulturore. Ekspozita që prezantojnë thesarin e pasur të trashëgimisë kulturore të Kosovës, janë prezantuar në instiucionet kulturore të Shqipërisë dhe Kosovës.
66. Ligji Anti-doping
Përmes këtij ligji bëhet rregullimi i fushëveprimit Anti-Doping. Është krijuar baza ligjore për funksionalizimin e Agjencisë Anti-Doping të Kosovës. Ligji dhe Agjencia sigurojnë përmbushjen e një standardi shumë të rëndësishëm ndërkombëtar, njëherit duke ndihmuar zhvillimin e sportit në një ambient të sigurt për sportistët dhe trajnerët.
67. Udhëzimi administrativ për licensimin e federatave të sportit
Me qëllim të rregullimit të veprimtarisë sportive në vend është krijuar baza e nevojshme ligjore për një proces të avancuar të licencimit të federatave sportive si organizata përgjegjëse për zhvillimin e sporteve përkatëse në Kosovë. Ky Udhëzim përcakton kushtet, kriteret, dhe procedurat për licensim duke respektuar ligjet e Kosovës dhe standardet e organizatave ndër-qeveritare dhe sportive ndërkombëtare.
68. Rregullorja për Këshillin për Parandalimin e Dhunës në Sport
Kjo rregullore fuqizon rolin dhe punën e Këshillit Kombëtar për Parandalim dhe Sanksionim të Dhunës në Ngjarjet Sportive, duke i mundësuar inicimin e procedurave në organet kompetente për hetimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive.
69. Rritje e mbështetjes financiare për federatat e sportit
Është rritur mbështetja financiare bazë për funksionim dhe organizim të sportit në nivel vendor dhe përfaqësim të Kosovës në
arenën ndërkombëtare. Mbështetja totale e zotuar për federatat sportive, Komitetin Olimpik dhe Komitetin Paralimpik të Kosovës deri në shtator 2022, është 4.3 milionë euro. Kjo vlerë reflekton rritjen e koeficientit të pikës për të gjitha kategoritë e federatave sportive, trefishimin e mbështetjes financiare për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe gjashtëfishimin për Komitetin Paralimpik të Kosovës në krahasim me vitin 2021.
70. Mbështetje financiare për klubet dhe profesionistët në fushën e sportit
Në vitin 2021 është hapur thirrja publike për mbështetjen financiare të klubeve sportive dhe profesionistëve në fushën e sportit. Përmes Pakos për Ringjallje Ekonomike janë ndarë mbi 1.4 milion euro për sportin. Ndërsa në vitin 2022 është hapur thirrja për Fondin e Mobilitetit për Sport kushtuar klubeve, sportistëve, trajnerëve dhe refereve për pjesëmarrje dhe përfaqësim të Kosovës në aktivitete sportive ndërkombëtare.
71. Hartimi i Strategjisë Shtetërore për Zhvillimin e Sportit
Strategjia Shtetërore për Sportin është dokument i rëndësisë së veçantë për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të sportit vendor. Ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë kanë prioritizuar tetë shtyllat strategjike të sportit duke u bazuar në gjendjen dhe nevojat aktuale të komuniteti sportiv: qeverisjen e mirë sportive, infrastrukturën sportive, financimin e sportit në Kosovë, sportin garues/elitar, trajnerët sportiv, sportin shkollor dhe universitar, gjithëpërfshirje në aktivitet fizik, dhe diplomacinë sportive.
72. Hartimi i koncept dokumentit për sport
Me procesin e hartimit të koncept dokumentit për sport është ndërmarrë hapi i reformimit të tërësishëm të sistemit ekzistues sportiv. Me qëllim të përmirësimit të mjedisit në të cilin zhvillohet fushëveprimtaria sportive, përmes kësaj politike po krijohet bazë e nevojshme për përditësim të thellë të kornizës ligjore dhe institucionale sportive.
73. Mekanizmi i Tryezës së Sportit
Është krijuar mekanizmi i “Tryezës së Sportit”, një platformë profesionale e cila siguron komunikimin e rregullt të palëve të përfshira në sportin vendor: institucionet publike qendrore dhe lokale, federatat sportive, organizatat sportive, gazetarët sportiv, sportistët, trajnerët dhe të tjerë. Ky mekanizëm shërben si platformë për përmirësimin, hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave dhe programeve në sektorin e sportit.
74. Programi “Drejt Malit”
Programi u siguron fëmijëve qasje në aktivitete sportive – malore. Faza e parë e programit është realizuar me pjesëmarrjen e qindrave fëmijëve, ndërsa viteve në vijim ai do të zgjërohet në bashkëpunim me ministritë e linjës.
75. Programi shtetëror për sportin në shkolla
Është hartuar programi “Sporti në Shkolla”. Përmes aktviteteve ekstra-kurrikulare shkollore, ky program ka për qëllim ndërtimin e shëndetshëm dhe zhvillimin maksimal të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë. Zgjërimi i mundësive për fëmijët që të jenë aktiv në sporte të ndryshme, ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve të lëndës së edukimit fizik, furnizimi i shkollave me pajisjet e nevojshme sportive për aktivitete, si dhe identifikimi i talentëve të rinj në sport, janë disa prej komponenteve të përfshira në këtë program.
76. Fondi për shërimin dhe rikuperimin e lëndimeve sportive
Për të siguruar mbështetjen e nevojshme për zhvillimin e karrierës sportive në vend është themeluar Fodin për Shërimin dhe Rikuperimin e Lëndimeve Sportive. Ky fond synon mbështetjen financiare të sportistëve, trajnerëve dhe referëve sportiv për mbulimin e shpenzimeve të shërbimeve mjekësore për shërim apo rikuperim në rast të lëndimeve fizike që ndodhin përgjatë aktivitetit të tyre stërvitor apo garues.
77. Bursa për studime në profile deficitare në sport
Me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve profesionale dhe zhvillimit të kuadrove të reja në fushën e sportit, është krijuar skema e mbështetjes financiare për studime në drejtimet me profile deficitare në sektorin e sportit.
78. Mbështetja e plotë për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare sportive
Është ofruar mbështetje e plotë për organizimin e ngjarjeve sportive ndërkombëtare në komuna të ndryshme të Kosovës: Kupa Botërore e Hendbollit Universitar, Prishtina 3×3 Challenger, FIBA Kampionati Evropian – Divizioni C, dhe gara të tjera kualifikuese në sporte të ndryshme.
79. Programi “Kosova Shtet i Xhudos”
Me qëllim të promovimit dhe shtrirjes së sportit të xhudos në gjithë vendin, ka nisur zbatimi i programit Kosova Shtet i Xhudos. Ky program ka pesë shtylla të veprimit përmes së cilave synohet përmirësimi i infrastrukturës fizike, ngritja e kapaciteteve të trajnerëve të xhudos, masivizimi i sportit të xhudos, zhvillimi i skemës mbështetëse për sportistët elitarë, dhe organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare sportive në Kosovë.
80. Databaza e integruar sportive
Në mungesë të theksuar të informatave të ndërlidhura me të dhënat e pjesësmarrjes në sport të sportistëstëve të të gjitha niveleve, trajnerëve, entuziastëstëve të sportit rekreacional dhe stafit përcjellës, ka nisur projekti i grumbullimit të të dhënave në terren. Këto informata do të shërbejnë si bazë për hartimin e politikave dhe strategjive sportive lokale dhe nacionale.
81. Shpallja e Majlinda Kelmendit “Qytetare me merita të veçanta”
Konsideruar rezultatet dhe kontributin e Majlinda Kelmendit në ngritjen e cilësisë së sportit në vendin tonë si dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës shpalli Majlinda Kelmendin qytetare me merita të veçanta, që parasheh një vlerë monetate mujore për medalisten tonë olimpike.
82. Marrëveshja e bashkëpunimit bilateral sportiv me Hungarinë
Me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Hungarinë, në fushën e sportit, janë zgjëruar mundësitë për zhvillimin e trajnerëve dhe sportistëve vendorë përmes shkëmbimit të delegacioneve të të dyja shteteve në sporte të ndryshme për kampe stërvitore, pjesëmarrje në gara, konferenca shkencore, dhe shkëmbim të përvojave të trajnerëve.
83. Marrëveshja e bashkëpunimit bilateral sportiv me Turqinë
Marrëveshja ndër-shtetërore me Turqinë krijon kushte për bashkëpunim të thelluar mes komuniteteve sportive të të dyja vendeve me fokus në fushën e mjeksisë sportive dhe anti-dopingut.
84. Pranimi i Komitetit Paralimpik të Kosovës në IPC
Me shpalljen e vitit 2022 – Viti i Personave me Aftësi të Kufizuara, është siguruar mobilizim maksimal për mbështetjen e sportit për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë. Si rezultat i mbështetjes së pakursyer, Komiteti Paralimpik i Kosovës u anëtarësua në strukturat përkatëse ndërkombëtare sportive.
85. Palestra e sportit në Greme, Ferizaj
Kanë hyrë në fazën përfundimtare punimet në Palestrën e sportit në Greme. Kjo palestër do të ketë kapacitet prej 1000 ulësesh dhe ofron hapësirë moderne aktiviteti për të rinjtë dhe sportistët tanë.
86. Renovimi i palestrës së sportit në Prizren
Pas renovimit, Palestra e sportit “Sezai Surroi” përveç që ofron kushte shumë më të mira për klubet dhe sportistët e Prizrenit, njëkohësisht plotëson edhe standardet për organizimin e ngjarjeve ndërkombëtare sportive.
87. Qendra nacionale e xhudos në Pejë
Janë përmbyllur punimet dhe është përuruar Qendra Nacionale e Xhudos në Pejë, shtëpia e kampioneve tona olimpike. Përveç krijimit të kushteve të dinjitetshme për zhvillimin e gjenerata të reja të kampionëve të xhudos, po bëhen hapat e nevojshëm për zgjërimin e kësaj hapësire në arenë sportive për organizim të kampeve dhe ngjarjeve ndërkombëtare.
88. Palestra e sportit në Kaçanik
Është përmbyllur një projekt i kahmotshëm i infrastrukturës fizike sportive. Kanë përfunduar punimet dhe është përuruar palestra e sportit në Kaçanik duke u krijuar kushtet e nevojshme sportistëve dhe klubeve sportive të Kaçanikut për zhvillimin e aktiviteteve të tyre stërvitore dhe garuese.
89. Palestra e sportit në Skenderaj
Kanë përfunduar punimet në Palestrën e sportit në Skenderaj, projekt ky i premtuar të rinjëve të Skenderajit që nga viti 2017. Një hapsirë e re për zhvillimin maksimal të talentëve sportivë.
90. Palestra e sportit në Zhegër, Gjilan
Nga një punë e nisur vite më parë dhe mbetur në fazën fillestare, palestra e sportit në Zhegër, me kontratë të re, tashmë po i afrohet fazës përfundimtare. Një hapësirë sportive në shërbim të komunitetit e rinisë së Zhegrës dhe gjithë Gjilanit.
91. Stadiumi i Gjilanit
Nga fillimi i vitit është punuar intensivisht në adresimin e problemeve që e kanë përcjellur këtë projekt për shumë vite. Pas shkëputjes së kontratës me operatorin, aktualisht po zhvillohet procedura për hartimin e projektit të fazës përfundimtare të ndërtimit të stadiumit.
92. Koncept dokumenti për sektorin rinor
Drafti i parë i koncept dokumentit është hartuar, ai pritet të dërgohet në qeveri për miratim në nëntor 2022 duke hapur rrugë për reformën më të madhe në sektorin rinor. Përmes tij synohet amendamentimi i Ligjit për Rini, ri-formulimi i strategjisë dhe dokumenteve të tjera të politikës rinore.
93. Komisioni Shtetëror për Rini
Ky komision është themeluar për të shërbyer si mekanizëm koordinimi mes ministrive përkatëse, si dhe për të ndihmuar hartimin dhe zbatimin e politikës shtetërore për zhvillimin e rininë. Komisioni mban takime të rregullta dhe koordinon qasjen e integruar të qeverisë për programet që synojnë fuqizimin e të rinjve.
94. Dialogu Kombëtar për Rini
Dialogu është proces i komunikimit intensiv me të gjithë hisedarët e sektorit rinor, zyrtarët e rinisë në komuna, qendrat rinore, KVRL-të, këshillin e nxënësve, organizatat rinore dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara. Ky program shërben si pikënisje e një bashkëpunimi më të afërt mes institucioneve publike dhe të rinjve në Kosovë në procesin e politikëbërjes.
95. Marrëveshja e bashkëpunimit rinor me Shqipërinë
Është nënshkruar memorandum i bashkëpunimit me Ministrin e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët në Shqipëri, i cili përfshinë kalendarin e aktiviteteve të përbashkëta. Me këtë marrëveshje, ndër të tjera, mundësojmë shkëmbimin e të rinjve, shkëmbimin e ekspertizës në sektor, mbështetjen e projekteve të zhvilluara mes të rinjve tanë.
96. Muaji i Rinisë
Në muajt gusht 2021 dhe 2022 është mbajtur Muaji i Rinisë në bashkëpunim me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë me programe të shumta. Janë organizuar punëtori, tryeza diskutimesh, ekspozita, mbrëmja kulturore, aktivitete sportive dhe ngjarje të tjera që synojnë fuqizimin e potencialit rinor në Kosovë.
97. Viti Europian i Rinisë
Pas vendimit të Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian për të shënuar vitin 2022 si Vit Europian i Rinisë, edhe vendi ynë po bëhet pjesë e aktiviteteve në mbështetje të të rinjve. Minstria mbështet një mori aktivitetesh rinore në kuadër të Vitit Europian të Rinisë.
98. Portali kosovoyouth.com
Është bërë lansimi i ueb faqes kosovoyouth.com në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Kosovë. Kjo platformë ofron informacion për të rinjtë për mundësi punësimi, pjesëmarrje në ngjarje publike dhe avancim të njohurive dhe aftësive. Kjo platformë do të menaxhohet nga Ministria.
99. Portali kosovovolunteers.org
Me UNICEF-in është punuar në rregullimin dhe ri-lansimin e portalit kosovovolunteers.org. Po ashtu, janë mbajtur takime informuese me të rinjtë për njoftimin me legjislacionin dhe platformën digjitale për punën vullnetare, ndryshimet dhe karakteristikat e reja të platformës, dhe praktikat më të mira në rekrutimin dhe menaxhimin e vullnetarëve.
100. Rritja e mbështetjes financiare për organizata rinore
Për mbështetjen e organizatave që janë aktive në sektorin e rinisë janë ndarë 500 mijë euro nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike në vitin 2021. Në vitin 2021, janë administruar gjashtë thirrje për sektorin rinor për mbeshtetje direkte për projektet e të rinjve në vlerën totale mbi 1.8 milionë Euro. Thirrja për vitin 2022 është në përfundim e sipër.
101. Mbështja nëpërmjet fondit të mobilitetit
Në vitin 2022, përveç granteve në fushën e rinisë, është ndarë fondi i mobilitetit, masë e përfshirë në strategjinë për rini 2018-2023 por që më parë nuk ishte zbatuar. Ky fond mundëson promovimin dhe fuqizimin e rinisë përmes pjesëmarrjes në aktivitete ndërkombëtare.
102. Aktivitetet në kuadër të vitit të personave me aftësi të kufizuar
Qeveria e ka shpallur vitin 2022 si vit i personave me aftësi të kufizuara. Ministria gjatë vitit është duke realizuar 24 projekte për personat me aftësi të kufizuara në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore, rinisë dhe sportit. Është hapur thirrja për projekt propozime për avancimin e të drejtave ku fuqizimi i të rinjve me aftësi të kufizuara është objektiv i veçantë.
103. Qendra Rinore në Kamenicë
Në komunën e Kamenicës është përmbyllur projekti i renovimit dhe funksionalizimit të Qendrës Rinore.
104. Qendra Rinore në Pjetërshan, Gjakovë
Qendra e edukimit jo-formal për fëmijë dhe të rinj në Pjetërshan të Gjakovës është në përfundim e sipër. Kjo qendër rinore e standardeve ndërkombëtare me ambiente multifunksionale do të ofrojë hapësira të reja rekreative dhe kulturore.
105. Qendra multifunksionale në Podujevë
Në Podujevë po punohet drejt ndërtimit të qendrës multifunksionale, projekt i cili do të zbatohet gjatë viteve 2022 dhe 2023 me mbështetje financiare nga Ministria në vlerë prej një milion euro.
106. Qendra multifunksionale në Ferizaj
Po vazhdon të investohet në ndërtimin e qendrës multifunksionale në Ferizaj në bashkëpunim me nivelin lokal.
107. Qendra Rinore në Deçan
Qendra rinore e Deçanit tashmë ka hyrë në fazën përfundimtare. Pas përmbylljes së punimeve, të rinjtë dhe të rejat e Deçanit do ta kenë hapësirën e tyre adekuate për të zhvilluar potencialin e tyre.
108. Qendra Kulturore dhe Rinore në Rogovë, Gjakovë
Hapësira multifunksionale e fshatit Rogovë është në fazën përfundimtare të ndërtimit. Kjo qendër do të jetë në shërbim të artistëve dhe rinisë së gjithë zonës.