100 VJET MOSREFLEKTIM
Milazim Krasniqi
Sot u mbushën 100 vjet nga përfundimi i Luftës së parë Botërore, në të cilën vdiqën 40 milionë njerëz. Shënimi i kësaj date në Paris u bë sot, me pjesëmarrjen e 80 delegacioneve të shteteve të ndryshme. U bë gjithë pompozitet dhe salltanet. Çka u dëshmua sot në Paris, me atë pompozitet e me atë salltanet?
U dëshmua se shtetet përgjegjëse për atë kasaphanë, shtetet fitimtare, nuk kanë mësuar asgjë. Pse? 1. Sepse kremtojnë arritjen e paqes, por pa i emërtuar nxitësit e saj. Siç dihet, nxitëse fillestare ishte Serbia, me atentatin në Sarajevë. Pastaj përkrahja e Rusisë për Serbinë ishte vendimtare, në refuzimin e ultimatumit të Austro-Hungarisë, gjë që realisht e shkaktoi luftën. Mandej ndodhi përkrahja e Francës dhe e Britanisë së Madhe dhe përhapja e zjarrit në luftës në të katër anët e botës. Po të mos inkurahohej e përkrahej Serbia, lufta mund të ishte shmangur. Ndërsa, Serbia sot llogaritet me fituesit, edhe pse ishte nxitësja e luftës.
2. As pas 100 vjetësh nuk është adresuar qartë se çfarë krimesh kanë kryer fituesit e luftës. Evokohen vetëm krimet e humbësve dhe fitoret e fituesve, por jo edhe krimet e tyre. Ndërsa ata 40 milionë njerëz të vrarë në luftë, nuk janë vrarë vetëm nga humbësit, po shumica nga fitimtarët. Arroganca e fitimtarëve në Versajë, krijoi klimën psikologjike e ideologjike që solli Hitlerin në pushtet dhe pastaj edhe Luftën e Dytë Botërore. Sërish krimet e fitimtarëve nuk janë llogaritur.
3. Doktrina e shtetit-komb, mbetet dominante, gjë që u manifestua edhe sot në Paris. (Jo në fjalimin e Makronit, po në sjelljet e Putinit, Trampit, Vuçiqit, etj.) Thjesht, me orientimin triumfalist, tipik modernist, këto shtet-kombe nuk mësojnë kurrë asgjë. Bile brenda doktrinave të tyre agresive imperiale e koloniale, edhe projekti i BE-së duket i përkohshëm, deri në konfrontimin e radhës.
Mësimi i vetëm nga kaspahana e para 100 vjetëve dhe e asaj të para 63 vjetëve është kjo: barbaria imperialiste e kolonialiste duhet të zbrazet në kontinente të tjera, jo në Evropë. Përveç në cepin e saj ballkanik, ku mund të eksperimentohet kundër disa popujve të vegjël, që “nuk janë si ne”, shqiptarët e boshnjakët. Çuditërisht rolin e agresorit edhe këtë radhë ia kanë rezervuar Serbisë, si në atentatin e Sarajevës.