104 zyrtarë të MPB-së me Covid-19, katër nga kabineti i Veliut
104 zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) janë të infektuar me Covid-19, katër prej të cilëve janë zyrtarë nga kabineti i ministrit Agim Veliu.
Kështu ka bërë me dije Roksana Qarri nga MPB-ja, e cila ka shtuar se të gjithë të infektuarit janë në gjendje stabile dhe se janë duke qëndruar të vetizoluar.
“Deri me sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe agjencitë e MPB-së, gjithsej janë të infektuar 104 zyrtarë me Covid -19, ku nga ta 20 zyrtarë janë nga stafi civil, 4 zyrtarë nga kabineti i ministrit si dhe 80 janë zyrtarë policorë. Sipas raportimeve gjendja e tyre është stabile ku të gjithë të infektuarit janë të vetizoluar në shtëpitë e tyre, në përjashtim të 6 zyrtarëve policorë që gjenden në spital për trajtim”.
“MPB-ja është e informuar se gjendja e tyre është stabile për momentin. Po ashtu, disa zyrtarë të cilët janë raste të kontaktit me persona e infektuar me Covid-19, janë në vetë izolim por pa simptome, Ju njoftojmë që MPB-ja është duke punuar me staf esencial sipas rekomandimeve të IKSHPK-së”, ka thënë Qarri për “Klan Kosovën”.