Bie fitimi i BMW, modelet e reja dhe makinat elektrike ulin të ardhurat e kompanisë
Prodhuesi gjerman i makinave, BMW do të ulë më tej kostot, ndërkohë që shpenzimet e mëdha sollën një rënie me 27% të fitimit operativ në tremujorin e tretë.
Investimet në zhvillimin e makinave elektrike, si dhe shpenzimet në rritjen e prodhimit të modeleve të reja X5, X7 dhe seria 8, kanë ulur të ardhurat, ndërkohë që tarifat mes Kinës dhe SHBA si dhe lufta e vendosjes së çmimeve në Evropë po rëndojnë gjithashtu, shkruan “scantv”.
Kompania deklaroi se shpenzimet kapitale do të rriten përsëri në tremujorin e katërt, për shkak të nisjes së prodhimit të versioneve të reja të modelit BMW seria 3.
Të ardhurat përpara interesave dhe taksave (EBIT) arritën në 1.75 miliardë euro, poshtë 1.8 miliardë që prisnin analistët, prej çmimit më të lartë të lëndëve të para, efekteve në këmbimin valutor dhe 679 milionë euro provigjone për tërheqjen mbrapsht të makinave.
BMW, që zotëron edhe Mini e Rolls Royce, ra me 1.9% në vlerë tregu në 75.44 euro për aksion. Ndërkohë që BMW ka patur më pak probleme se sa rivalët Volkswagen dhe Daimler në shitjen e makinave që përputhen me rregullat e reja të ndotjes (WLTP), vendosja e këtyre rregullave solli rritje të konkurrencës, probleme në furnizime dhe zbrite të mëdha në çmime.
Paralelisht, BMW bëri të ditur se do të blejë lëndë të para të veçanta si kobalti, që më pas ti ofrojë te furnitorët e baterive, në mënyrë që të sigurojë furnizime të baterive për makinat elektrike.
BMW po themelon një konsorcium të teknologjisë me prodhuesin suedez të baterive Northvolt dhe kompaninë belge Umivore, që të zhvillojë një zinxhir të baterive në Evropë, që do të merret me zhvillimin, prodhimin dhe riciklimin.