105 euro vlera e koeficientit, deputeti Shala: Qeveria po stimulon shpërnguljen e rinisë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka reaguar pas caktimit të vlerës së koeficientit prej 105 eurosh për pagat e punëtorëve të sektorit publik.
Ai ka thënë se me këto veprime, qeveria Kurti është duke e stimuluar shpërnguljen e rinisë.
“Fatkeqësisht hap mundësinë dhe stimulon ikjen e fuqisë punëtore, në kërkim të alternativave më të mira drejt Evropës. Pra stimulon shpërnguljen e rinisë dhe zvogëlon shpresën për një jetë normale në Kosovë”, ka shkruar Shala në “Facebook”.
Postimi i plotë i Shalës:
Caktimi i koeficientit prej 105 euro nuk është meritor.
Në rrethanat çfarë ndodhet ekonomia e vendit:
– E ekspozuar para një krize që nuk ka qenë tash e dy dekada,
– E ekspozuar para inflacionit mbi 13%,
– E ekspozuar ndaj krizës energjetike,
– Mungesa e ligjit për pagën minimale,
– Rënia e prodhimit vendor, mos realizimi i projekteve kapitale nga qeveria;
Të gjitha këto janë argumente bazike që ky vendim për caktimin e koeficientit, nuk plotëson dhe nuk zgjidh problemet e gjithë atyre që janë përfitues direkt apo jo, të familjeve të tyre që preken nga ligji i pagave.
E pa arsyeshme është goditja që i bëhet sektorit të sigurisë dhe shërbyesve të tjerë.
Fatkeqësisht hap mundësinë dhe stimulon ikjen e fuqisë punëtore, në kërkim të alternativave më të mira drejt Evropës. Pra stimulon shpërnguljen e rinisë dhe zvogëlon shpresën për një jetë normale në Kosovë.