107-vjetori i shpalljes së Pavarësisë e gjen Shqipërinë të shkatërruar dhe në ankth nga tërmetet
Sot shteti i Shqipërisë mbush 107 vjet nga shpallja e Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.
E në ditën ku do të duhej të festohej 107-vjetori i shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria gjendet në një gjendje të jashtëzakonshme, shkaku i tërmetit me magnitudë 6.4 shkallë të Rihterit, që goditi të martën dhe tërmeteve tjera me intenzitet më të ultë që ndodhën.
Nga ky tërmet deri më tash kanë humbur jetën 37 persona, në mesin e tyre edhe dy vëllëzër nga Komuna e Gjilanit, ndërkaq janë lënduar mbi 650 të tjerë.
Përveç viktimave, tërmeti shkaktoi edhe dëme të mëdha materiale ku shumë familje kanë mbetur pa kulm mbi kokë.
Kryeministri Edi Rama ka uruar shqiptarët me rastin e 107-vjetorit të Pavarësisë, duke thënë “Zoti e bekoftë Shqipërinë, shqiptarët pa asnjë dallim”.
“Hyri Dita e Flamurit Kuqezi në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit. Zoti e bekoftë Shqipërinë, shqiptarët pa asnjë dallim, kudo që janë e pavarësisht bindjeve që kanë dhe flamurin më të bukur në botë sigurisht”, ka shkruar Rama në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/