108 raste me TBC brenda gjashtë muajve në Kosovë
Dhjetë raste me tuberkuloz janë hospitalizuar dhe po trajtohen aktualisht në Klinikën e Pulmologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Derisa në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraqitur 108 raste me tuberkulozë në këtë klinikë, numër ky i njëjtë me po këtë periudhë të vitit të kaluar.
Drejtori i Pulmologjisë, Musa Hoxha, në një intervistë për KosovaPress thotë se deri në qershor të këtij viti janë paraqitur 84 raste me tuberkulozë pulmonare, 20 me ekstrapulmonare dhe 4 të tjera me atë latete.
“Sa i përket numrit të rasteve të reja me tuberkulozë të cilat janë mjekuar në Klinikën e Pulmologjisë, pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, kemi pasur 84 raste tuberkulozë pulmonare, 20 raste me tuberkulozë ekstrapulmonare dhe 4 raste tuberkulozë latete. Të gjitha bëjnë diku si shifër rreth 108 raste. Edhe në vitin 2023 (gjashtëmujorin e parë, koincidon që të jetë po i njëjti numër, vetëm që dallon në aspektin e tuberkulozës pulmonare kanë qenë 92 raste, 12 raste tuberkulozë ekstrapulmonare dhe 4 raste latete, por që gjithsej bëjnë po i njëjti numër 108 raste”, thotë Hoxha.