Ismaili rreth arrestimeve në MSh: Do të jemi të pakompromis në luftën kundër korrupsionit
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka folur edhe njëherë për arrestimet e fundit të zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur avanset gjatë viteve 2015-2018.
Ai ka thënë se i vjen mirë që vendimi i tyre për të ndaluar ciklin e keqpërdorimeve që kanë ndodhur në Ministrinë e Shëndetësisë për disa vite, është pasuar me veprime konkrete nga organet e rendit.
Në reagimin e tij, ministri Ismaili ka ftuar organet e drejtësisë që ta hetojnë këtë çështje deri në fund, duke thënë se do të jenë të pakompromis në luftën kundër korrupsionit.
Reagimi i plotë i Ismailit në profilin e vet në “Facebook”:
Më vjen mirë që vendimi jonë për të ndaluar ciklin e keqpërdorimeve të avanseve në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë viteve 2015-2018, ka pasuar me një varg veprimesh konkrete nga organet e drejtësisë.
Arrestimet e ditëve të fundit janë dëshmi e luftës së pakompromis që po bëhet nga Ministria e Shëndetësisë për të vënë rend, duke e goditur çdo dyshim për krim të organizuar dhe korrupsion.
Që nga ditët e para të marrjes së drejtimit të kësaj ministrie, e kam bërë të qartë se nuk do tolerohet asnjë keqpërdorim dhe se të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit.
Përgëzoj edhe njëherë organet e rendit për punën efikase që kanë bërë gjatë këtyre muajve dhe i ftoj që të zbardhin këtë rast deri në dyshimin e fundit.
Lufta e jonë ndaj korrupsionit është e pakthyeshme. Korrupsionin do ta godasim kudo që e takojmë. Tek barnat, shërbimet shëndetësore, e aq më tepër tek zyrtarët institucional.