109-shi i AAK-së kërkon nga qytetarët ta votojnë më 9 shkurt: Do të jem zëri juaj në Kuvend në mbrojtje të vlerave kombëtare dhe çlirimtare
Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me numrin 109, Ramush Ahmetaj, ka bërë një përmbledhje të fushatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ai ka thënë se gjatë takimeve me kategori të ndryshme të shoqërisë ka parë nga afër dëshirën dhe vendosmërinë për ndryshim.
Në këtë kontekst, Ahmetaj ka kërkuar besimin e qytetarëve më 9 shkurt, duke u zotuar se do të angazhohet për mbrojtjen e vlera kombëtare mbi të cilat qëndron shteti i Kosovës.
Krahas kësaj, Ahmetaj ka kërkuar që të votohet edhe Ramush Haradinaj për kryeministër.
“Për herë të parë, jam kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës dhe më 9 shkurt më duhet përkrahja juaj që të jem zëri juaj në Kuvend – për të mbrojtur vlerat kombëtare dhe çlirimtare mbi të cilat është ndërtuar ky shtet! Më 9 shkurt, votoni për Kosovën fituese! Votoni numrin #137 dhe numrin 109!”, ka shkruar Ahmetaj në “Facebook”.
Postimi i plotë i Ahmetajt:
Të dashur qytetarë!
Kanë mbetur edhe katër ditë deri në zgjedhjet e 9 shkurtit – dita kur ju vendosni për të ardhmen e Kosovës! Për Kosovën tonë fituese.
Për tri javë të fushatës, e kam parë nga afër dëshirën dhe vendosmërinë tuaj për ndryshim. Takova të rinj e të reja, studentë, afaristë, bashkëluftëtarë dhe familje të dëshmorëve – të gjithë të zhgënjyer nga qeverisja e keqe dhe të bindur se Kosovës i duhet një drejtim i ri.
Zgjidhja është në duart tuaja! Jepni mbështetjen tuaj për Ramush Haradinajn, kandidatin tonë për kryeministër, i cili me vizionin e tij dhe me mbështetjen e aleatëve tanë, do të çojë Kosovën drejt anëtarësimit në NATO dhe drejt një të ardhmeje më të sigurt.
Për herë të parë, jam kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës dhe më 9 shkurt më duhet përkrahja juaj që të jem zëri juaj në Kuvend – për të mbrojtur vlerat kombëtare dhe çlirimtare mbi të cilat është ndërtuar ky shtet!
Më 9 shkurt, votoni për Kosovën fituese! Votoni numrin #137 dhe numrin #109!