11 BURRAT E KOSOVËS PËRBALLË 4 GRAVE TË BE-së
Lulëzim ETEMAJ
Ekipi Negociator i Kosovës e ka zhvilluar sot në Bruksel një takim njohës, siç është quajtur para disa ditësh ky takim prej njërit nga kryesuesit e Ekipit Negociator, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini.
Nga fotoja e publikuar në media nga ky takim, shihet se përballë Mogherinit, e shoqëruar edhe nga 4 zyrtarë tjerë të BE-së (4 FEMRA dhe 1 BURRË) qëndrojnë hiç më pak se sa 10 anëtarët (BURRA) e Ekipit Negociator të Kosovës, Fatmir Limaj, Shpend Ahmeti, Blerim Shala, Avni Arifi, Behgjet Pacolli, Enver Hoxhaj, Mahir Jagcilar, Dardan Gashi, Visar Ymeri, Dukagjin Gorani plus ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernand Nikaj. Rezultati 2:1 në favor të Kosovës mashkullore! Ky është efekti politik fillestar i kësaj njohjeje politike.
Rezultati tjetër, pakëz më pragmatik: dhjetëra mijëra euro të shpenzuara nga buxheti i varfër i Kosovës.
Shtrohet pyetja e pashmangshme: A ishte vërtet e nevojshme që të udhëtojë në Bruksel një ekip kaq e madhe, kur dihet fakti se dialogu zhvillohet me Serbinë, ndërsa BE-ja ka vetëm rol ndërmjetësues, dhe emrat dhe fotografitë e pjesëtarëve të Ekipit Negociator të Kosovës janë krejt dytësor karshi platformës së tyre, e cila në këtë rast ka mundur fare lehtë dhe krejt racionalisht të prezantohej nga bashkëkryesuesit e këtij ekipi, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.
Kosova ka përvojë të hidhur sa i përketë shpenzimeve të ekipit negociator, përkatësisht mëditjeve tepër të larta të Ekipit Negociator për bisedimet në Vjenë në vitin 2006. Përsëritja e Vjenës në këtë drejtim do të duhej ndërprerë me çdo kusht si nga Qeveria ashtu dhe nga Kuvendi i Kosovës.
11 burrat e Kosovës ulur përballë 4 grave të Bashkimit Evropian, ky është primitivizëm me brirë! Asgjë më shumë nuk pasqyron fotoja e sotme nga Brukseli e Ekipit Negociator të Kosovës. Nga fotot më denigruese të imazhit të shtetit të Kosovës, anipse 100% në përputhje me mentalitetin qeverisës në vend. Fatkeqësisht!