11% e kosovarëve nuk janë në gjendje të bëjnë një javë pushime në vit
Një anketë e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, e azhurnuar në Barometrin e Ballkanit 2021, tregoi se 39% e familjeve në Shqipëri nuk e përballonin ekonomikisht një javë pushime në vit (shih tabelën bashkëngjitur).
Kjo përqindje ishte më e lartë se mesatarja rajonale (38%), por Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kishin një përqindje më të lartë të popullsisë që konfirmoi se nuk mund të bënte pushime vjetore përkatësisht me 45 dhe 50%.
Kosova ishte e vetmja në rajon që kishte përqindjen me të ulët të familjeve, vetëm 11% e tyre që nuk mund të përballonin pushime një javë në vit.
Në Ballkan, shumica dërrmuese e pjesëmarrësve në anketë nuk e dinë nëse do të shkojnë me pushime (69%), pak më pak se një e treta e qytetarëve (31%) tashmë kanë planifikuar udhëtimin e tyre për vitin 2021. Rreth 10% po planifikojnë të udhëtojnë në natyrë ose udhëtim aventure, 9% e tyre planifikojnë të vizitojnë qytete të reja, dhe 6% të vizitojnë familjen dhe miqtë e tyre.
Numri më i madh i pjesëmarrësve të cilët nuk janë të sigurt nëse do të shkojnë me pushime gjatë vitit 2021 janë në Serbi (88%), më pas Shqipëria me 84%, ndërsa në anën tjetër të medaljes qëndron Kosova, e cila ka regjistruar numrin më të ulët të të anketuarve që nuk e dinë nëse ata do të shkojnë me pushime këtë vit, duke arritur kështu në 30% të të gjithë popullsisë së saj.
Kosova gjithashtu ka përqindjen më të madhe të individëve që planifikojnë të vizitojnë qytete të reja (30%) dhe qytetarëve që kanë planifikuar të bëjnë një udhëtim aventure (20%), ndërsa të anketuarit nga Mali i Zi (13%) planifikojnë për të vizituar miqtë dhe familjen e tyre në 2021.
Rajoni vazhdon të bëhet gjithnjë e më i hapur për mbërritjet nga komuniteti i Ballkanit Perëndimor, me 42% të të anketuarve tani që mbështesin migrimin e brendshëm nga një ekonomi tjetër rajonale.
Anketa e këtij viti gjithashtu sheh një rënie me 5 pikë në rangun e të anketuarve që janë armiqësorë (10%). Në përgjithësi, që nga viti 2016, numri i pjesëmarrësve në sondazh që mbështesin ardhjet rajonale është rritur me 14 pikë dhe përfaqëson një zhvillim premtues në migrimin rajonal.
Shqipëria është ekonomia më mikpritëse e rajonit me 49% të të anketuarve që mbështesin migrimin e ardhur nga brenda rajonit. Ndërkohë, Mali i Zi regjistron një rënie prej 22 pikësh në numrin e pjesëmarrësve që janë të hapur për ardhje të reja, duke kërcyer kështu nga epiteti i ekonomisë më mikpritëse të rajonit në atë më jokomunikuese të rajonit (duke përbërë 36% të popullsisë, nga 58% në 2019).
Serbia dhe Kosova kanë përqendrimin më të madh të të anketuarve neutralë në Ballkanin Perëndimor, të dy me 46%. Megjithëse u vu re një preferencë e vogël për turistët nga pjesët e tjera të botës, ekziston një përqindje në rritje e qytetarëve të rajonit që mbështesin më shumë vizitorë nga brenda rajonit./Monitor.al