11 federatat e Evropës Juglindore riafirmojnë përkrahjen për presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin
Njëmbëdhjetë federata anëtare të UEFA-s nga Evropa Juglindore, duke përfshirë edhe Federatën e Futbollit të Kosovës, u mblodhën sot në selinë qendrore të Federatës Shqiptare të Futbollit, për Mbledhjen strategjike të Federatave anëtare të UEFA-s.
Këtë mbledhje e kryesoi presidenti i FSHF-së dhe zëvendës-presidenti i UEFA-s, Armand Duka, teksa ajo u fokusua në aspekte kritike të strategjisë së UEFA-s për zhvillimin e futbollit si: formati i ardhshëm i garave të klubeve të UEFA-s pas vitit 2024 dhe programi i ri shoqërues i solidaritetit, diskutimet mbi çështjet e arbitrazhit dhe zhvillimet e ardhshme, krahasimi i të dhënave e analizat në fushën sportive dhe financat dhe eksplorimi i sistemeve të basteve dhe mundësive në zhvillim për vendet pjesëmarrëse.
Pjesëmarrës në këtë mbledhje krahas FShF-së dhe FFK-së ishin edhe drejtues nga federatat tjera: Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Qipro, Greqia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Sllovenia dhe Turqia.
FFK-ja u përfaqësua nga presidenti Agim Ademi, derisa gjatë punimeve të këtij takimi u diskutua në lidhje me të ardhmen e futbollit evropian, ku të gjithë pjesëmarrësit shprehën njëzëri mbështetjen e palëkundur për presidentin Çeferin dhe administratën e UEFA-s. Presidenti Ademi theksoi rëndësinë e këtij takimi dhe e vlerësoi atë si një mundësi të mirë për të ndarë pikëpamjet dhe për të kontribuar në rritjen e mëtejshme të futbollit në këtë pjesë të Evropës. Presidenti Ademi përgëzoi FSHF-në për një organizim të këtij takimi në nivelin më të lartë në të gjitha aspektet me VIP cod. Po ashtu i pari i FFK-së falënderoi dhe lavdëroi zv/Presidentin e UEFA-s, Armand Duka dhe FSHF-në për punën e bërë dhe organizimin e këtij takimi, por edhe Drejtorin e Asociacioneve Kombëtare të UEFA-s, Zoran Lakoviq.