11 marsi ‘81, parathënia e Republikës së Kosovës
Lulëzim ETEMAJ
Demonstratat e 11 marsit ‘81, të pasuara nga ato të 26 Marsit, 1 dhe 2 Prillit, paraqesin një etapë më vete dhe krejt të veçantë në historinë më të re shqiptare, si për nga numri i pjesëmarrësve në to, ashtu dhe për nga kërkesat e shqiptarëve të Kosovës për të drejta dhe liri njerëzore, politike, sociale dhe kombëtare.
“Kosova Republikë”, krahas kërkesave tjera, ishte njëkohësisht parulla dhe kërkesa kryesore e këtyre demonstratave të nisura në Prishtinë nga studentët e Universitetit të Prishtinës e të përkrahura fuqishëm nga rinia shkollore, punëtorët dhe inteligjencia shqiptare e Kosovës.
Demonstratat e Pranverës së vitit 1981 u shtypën përmes dhunës së egër policore dhe ushtarake që ushtroi Beogradi zyrtar.
Krahas 9 demonstruesve të vrarë dhe 15 të plagosur në këto demonstrata, bazuar në të dhënat e librit të Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha, “Të burgosurit politik shqiptarë në Kosovë 1945-1990”, shkaku i demonstratave të vitit 1981 janë dënuar 3.348 veta me 25.002,8 vjet burg, kurse në periudhën 1981-1989, çdo i treti shqiptar ka kaluar nëpër procedurat e policisë. Këta të dënuar janë trajtuar kryesisht nga udbashët shqiptarë. Janë trajtuar do të thotë kanë kaluar procedurat hetimore, të cilat kryesisht janë karakterizuar me ushtrimin e torturave të egra. Dënimet janë shqiptuar kryesisht nga gjykatat e Kosovës, të dominuara prej gjyqtarëve shqiptarë, mbi bazën e aktakuzave të ngritura po ashtu nga prokurorët në shumicë shqiptarë.
Numri i të dënuarve nuk duhet interpretuar kurrsesi si numër real i mbështetësve të kërkesave të grupeve të organizuara politike, njëherit kërkesës bazike të demonstratave popullore të 1981-s “Kosova Republikë”! Përkundrazi, ai ishte gjithsesi më i madh. Fakti se përpjekjet politike për të drejtat legjitime nuk kanë pushuar kurrë, është tregues i qartë se përkundër ndjekjes shumë të organizuar nga ana e shtetit, shqiptarët e Kosovës ia kanë arritur të ruajnë me sukses organizimin dhe më këtë edhe vazhdimësinë e veprimtarisë politike atdhetare. Si rezultat i ruajtjes së këtij organizimi, veprimtaria politike atdhetare ka shënuar ngritje, duke kulmuar me themelimin, organizimin dhe drejtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e së cilës, së bashku me ndërhyrjen ushtarake ajrore të NATO-s kundër Serbisë, solli lirinë dhe krijoi parakushtet për shpalljen e Republikës së Kosovës, shtet sovran e të pavarur, nga Kuvendi i Kosovës më 17 shkurt 2008.
Duke i vlerësuar e çmuar meritueshëm demonstratat e Mars-Prillit të vitit 1981, institucionet politike shtetërore, qytetarët dhe institucionet shkencore, nderojnë njëkohësisht përpjekjet e pareshtura kombëtare dhe sakrificat e shumta të bëra nga breza të tërë shqiptarësh në shërbim të lirisë, pavarësisë së Kosovës dhe bashkimit kombëtar.