11 plagë në trup e 11 të tjera në shpirt
Kosova po shënon Epopenë e UÇK-së. 25 vjet më parë, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, policia, ushtria dhe paramilitarë serbë sulmuan Prekazin, duke vrarë e masakruar 60 veta, 55 anëtarë të familjes Jashari, 20 prej tyre anëtarë të familjës së Komandantit Legjendar Adem Jashari. Miliona njerëz nga të gjitha viset shqiptare, por edhe të huaj, e vizitojnë Prekazin, ku shihet dhe mësohet e vërteta e luftës në Kosovë.
Në hyrje të Prekazit është shtëpia e Hamit dhe Salë Jasharit, prita e parë e policëve dhe paramilitarëve serbë në sulmin e 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998. Gjurmët e atij sulmi janë edhe sot në këtë shtëpi, e cila tani është nën mbrojte të shtetit.
Në natën mes 4 dhe 5 marsit të ’98-s policia dhe ushtria serbe kishte nisur artileri të rëndë në drejtim të Prekazit. Por i gjithë fshati ishte mobilizuar për të bërë rezistencë, burra, gra, fëmijë e pleq, të cilëve po i u printe Komandant Adem Jashari, bashkë me vëllain e tij Hamzën. Në një përballje të luftës së pabarabartë, për tri ditë luftime në Prekaz, vriten 60 veta, 55 anëtarë të familjes Jashari, prej tyre 20 anëtarë të familjes së ngushtë të Komandant Adem Jasharit.
Valdet Jashari, atëherë ishte caktuar të bënte roje në shtëpinë e parë në hyrje të fshatit. Ai është i vetmi i mbijetuar nga sulmi në këtë shtëpi.
Në një rrëfim për Radio Kosovën, ai tregon mobilizimin e atyre ditëve të Jasharajve.
“Në mëngjes herët, më 5 mars ’98 kam dalë në ballkon, kur ka filluar të zdritet, ka qenë rreth orës 6 të mëngjesit , kanë filluar disa të shtëna me armë rrethit të Prekazit. Në atë mengjes ne ishim të përgatitur paraprakisht. Ka kohë që kemi bërë roje gjithë lagjja”.
Gjatë rojës, një natë më parë, e kishin ndaluar edhe komandant Adem Jasharin, i cili kishte shkuar t’i paralajmëronte se ishte shtuar shumë numri i forcave serbe në afërsi të Prekazit.
“Në mbrëmjen e 4 e 5 marsit, diku në orën 2 të natës ka ardhur komandanti Adem Jashari. Këtu afër shtëpisë e kemi ndaluar. Nuk e kemi parë dhe nuk e kemi ditur që është komandanti edhe kur e kemi ndalur na tha: ‘Merrni pak municion e armatim, po ua lë këtu’. Ai kishte qenë në Likoshan ta shihte Musë Jasharin, i cili ishte plagosur më 28 shkurt dhe po vinte nga atje. Na tha: ‘E di që keni bërë roje mirë, por sonte bëni katër parë sy, sepse fabrika e municionit këtu afër është mbushur me tanke dhe me ushtri e polici’, na tha dhe në mengjesin e 5 marsit kanë filluar luftimet, granatimet”.
Pas tri ditësh rezistencë në shtëpinë e parë të lagjes, shpëton vetëm Valdeti, por i plagosur rëndë, me 11 plagë në trup.
“Këtu kam qëndruar dy ditë, në atë shtëpinë poshtë një ditë e një natë. Ditën e parë këtu është vrarë nana Salë dhe një mysafirë, ditën e dytë dhe të tretë janë vrarë gjithsej 15 veta. I vetmi unë kam shpëtuar me plagë të rënda dhe pas tri dite luftime jam tërhequr zhagas, kam shkuar te një shtëpi në mes të lagjes ku ka qenë familja ime”.
Valdetit i shtohen edhe 11 plagë të tjera në shpirt e zemër, kur sheh që ia kishin vrarë 11 anëtarë të familjes, nënën me 3 vëllezër, njëri prej tyre vetëm 5 vjeç, axhallarët dhe fëmijë të tyre.
“Më janë vrarë të gjithë, nana, tre vëllezër edhe shtatë mixhallarët me gra e fëmijë. Aty dëshmitar është baba që ka shpëtuar. Unë kam ndejtur një natë në këtë shtëpi i plagosur derisa policë, ushtarë e paramilitarë i tërhiqnin kufomat dhe i hidhnin në një kamion të ushtrisë, disa i kanë dërguar në Prishtinë që ua kanë bërë autopsinë dhe disa i kanë lënë te servisi i Lah Tushilës, ku i kanë mbledhur të gjitha kufomat”.
Në shtëpinë, ku kishin qenë të grumbulluar familjarët e Valdetit, kishte shpëtuar vetëm baba i tij Zena. Por, si e kishte kuptuar Zena se djali i tij Valdeti ishte gjallë.
“Baba kur ka shkuar atje i ka identifikuar nanën dhe tre vëllaznit e mi, por ka kërkuar edhe për djalin e katërt. Dikush i thotë që Valdeti është gjallë dhe ai ishte gëzuar pa masë, që të paktën njëri djalë i kishte shpëtuar. ‘Mu duk sikur mu ngjallën të gjithë, kur kuptova që Valdeti ishte gjallë’, kujton Valdeti fjalët e babai të tij, Zenës.
Valdeti kujton se si e gjithë lagjja e Jasharajve ishte mobilizuar që të bënin roje, kujtonte edhe takimet e Këshillit të fshatit dhe kurreshtjen e tij si një i ri për të mësuar se çfarë po ndodhte…Por, si kishin rezistuar edhe gratë dhe të gjitha familjet, pa menduar që të largoheshin për asnjë çast nga burrat.
“Mund të veçojmë rastin në shtëpinë e Komandantit legjendar Adem Jashari. Kur i kanë marrë gratë e fëmijët i kanë vendosur në një traktor që të zhvendoseshin prej aty, ata kanë kërcyer prej traktorit dhe janë kthyer në shtëpi, duke mos dashur t’i linin vetëm burrat”.
Prekazi ishte rrethuar dhe po sulmohej me artileri të rëndë. Por, për tri ditë, derisa ishin vrarë Jasharajt, që po luftonin me aq fuqi sa kishin, nuk kishte mundur të hynte në Prekaz asnjë pjesëtar i këmbësorisë serbe.
“Prej asaj shtëpie që ka pasur rezistencë me armë, atë shtëpi ka synuar ta bëjnë rrafsh. Është shtëpia e Hamit e Salë Jasharajt, shtëpia e Sadikut dhe Qerimit, Kulla e Halit Jasharit është shtëpia e Enver Jasharit, e sidomos shtëpitë e Adem e Hamëz Jasharit. Kanë tentuar disa herë të hynte këmbësoria, por ne sulmonim dhe pastaj ata gjuanin me granatime të rënda”.
Regjimi i Millosheviqit kishte bërë plane të sulmonte Prekazin në mënyrë të organizuar, duke vëzhguar situatën nga afër shumë kohë para 5 marsit të 98-s.
“Fabrika e municionit ka qenë plotë paramilitarë. Natën kur ne bënim ndonjë lëvizje na sinjalizonin nga atje se gjoja ishin duke na parë. Ka qenë krejt hapësira e hapur dhe shumë herë na kanë gjuajtur me armë edhe më herët, edhe ditën edhe natën…”.
Ditën e katërt, më 8 mars, në Prekaz kishin arritur edhe gazetarë të mediave të huaja. Valdeti po i përcillte nga një kënd i shtëpisë ku ishte i strehuar, ku po rrinte i plagosur, por edhe i armatosur.
“Kur kanë hyrë gazetarët unë kam qenë i plagosur në një shtëpi të vjetër dhe nuk kam guxuar të dilja te gazetarët, sepse isha edhe i armatosur dhe kishte shumë policë në oborr. Më vonë i kam parë ato pamje në CNN dhe BBC”.
Në Muzeun e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz janë vendosur fotografitë dhe emrat e të rënëve, shumë gjurmë që identifikojnë të rënët dhe heroizmin e tyre. Aty është i ekspozuar edhe një zingjir ari i nënës së Valdetit dhe lodra e vëllait të tij të vogël, Blerimit 5 vjeçar.
Sot 25 vjet ishte roje në pritën e parë ndaj serbëve që po hynin në Prekaz. Tani Valdet Jashari është oficer në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe i shërben atdheut.
5, 6, 7 Marsi, çdo vit na kujton heroizmin e familjes së Adem e Hamëz Jasharit dhe burrave të tjerë të Jasharajve. Ky heroizëm do të jehojë në breza.
Miliona njerëz nga të gjitha viset shqiptare, por edhe të huaj e vizitojnë Prekazin, ku shihet, ndjehet dhe preket historia e lavdishme e të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës. Aty ku shihet dhe mësohet e vërteta e luftës në Kosovë. /RTK/