11 vjet për historinë pothuajse janë të papërfillshëm
Izmi Zeka
Po bëhen 11 vjet që Kosova shpalli pavarësinë e vendit duke përmbyllur një proces lufte e sakrifice shekullore e më të gjatë. Ishte ai momenti i sendërtimit të aspiratave, luftës, përpjekjeve e sakrificës për liri dhe shtet sovran e të pavarur.
Ishte ai moment feste e përkujtimi për të gjithë ata që u flijuan përgjatë historisë sonë të përgjakshme për lirinë, dinjitetin qytetar dhe pavarësinë tonë. Ishte ai moment bashkimi i ëndrrës sonë dhe reflektim i vullnetit të shprehur qytetar. Ishte ai moment historik që njerëzve të kësaj hapësire, u riktheu dinjitetin e vonuar dhe të drejtën e garantuar kombëtare e historike.
11 vjet pas atij momenti Kosova shënon të arritura dhe sfida në shtet ndërtim. Institucionet tona të dala nga vota e popullit, bënë dhe po vazhdojnë të bëjnë të gjitha përpjekjet që shtetit të ri të sapolindur t’i sigurojnë natyrshëm vendin krahas demokracive të zhvilluara dhe qytetërimit euro-perëndimor. Këto përpjekje kanë sjellë rezultate inkurajuese si në njohjet ndërkombëtare po ashtu edhe në anëtarësimin tonë në mekanizmat ndërkombëtarë, po sigurisht në këto drejtime ka pasur dhe vazhdon të ketë edhe sfida, pas parasysh faktin se jo të gjithë tumirin Shtetësinë e Vendit tonë. Megjithëkëtë ne duhet të jemi të kënaqur me të arriturat, duke ditur faktin se 11 vjet Shtetësi në zhvillimet historike janë pothuaj të papërfillshme. Sigurisht që duhet shumë më shumë angazhim dhe unifikim qëndrimesh të të gjithë neve për çështjet me rëndësi nacionale.
11 vjet më parë u nisëm bashkë, me entuziazmin dhe dashurinë për vendin tonë të ri. U nisëm bashkë me besimin se gjithnjë do të jemi në anën e vlerave më të mira nacionale, politike e morale që ka ndërtuar Kosova jonë, dhe se do të jemi bartës të këtyre vlerave të trashëguara. U nisëm bashkë me kujtimin për ata që na e sollën Lirinë; me besimin se Kosovën po bëjmë shtëpinë tonë, të tillë si e panë dëshmorët e Kombit.
Ju ende duhet të besoni në veten tuaj; në gjykimin tuaj të drejtë me mendje e shpirt; duhet të besoni në Shtetin tuaj dhe Institucionet e tij; në njerëzit që keni zgjedhur. Besimi është virtyt, dhe ne bashkë jemi të virtytshëm. Shteti ynë i ri ndërtohet me dashurinë dhe besimin tonë të përbashkët. Ne po e ndërtojmë atë përditë nga pak…jo me dinamikën që e duam të gjithë, se Shteti jonë është i ri dhe i brishtë, dhe ka aq shumë nevoja…të gjithë ne kemi aq shumë nevoja. Me besimin e thellë, si atëherë kur besuam se do e fitojmë luftën, se do e bëjmë Vendin tonë ashtu si e duam, do t’ia dalim.
Unë zakonisht në mëngjes gjendem përball shtatores së Zahir Pajazitit. Aty më gjeni.