11 VJET SHTET

17 shkurt 2019 | 08:19

Të dielën e 17 shkurtit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë.

Sot qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, festojnë 11-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Me rastin e 11-vjetorit të pavarësisë, institucionet e vendit kanë organizuar aktivitete të ndryshme.
Por, ky do të jetë përvjetori i parë në të cilin do të parakalojë ushtria e Kosovës në sheshin kryesor të Prishtinës, raporton “Epoka e re”.

Republika e Kosovës ka siguruar 116 njohje, që nga data e shpalljes së pavarësisë.

Ndërkaq këtë vit nuk dihet se cili është ky numër i njohjeve, ngaqë disa shtete kanë vendosur të tërheqin vendimin e tyre, duke pritur rezultatin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për nder të 11-vjetorit të shtetësisë do të mbahet një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, drejtuesit e shtetit do të bëjnë homazhe te varrezat e të rënëve për liri si dhe do të mbahet pritja shtetërore e pavarësisë e organizuar nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Sipas agjendës për shënimin e 11-vjetorit të pavarësisë, fillimisht më 17 shkurt, nga ora 8:00 deri në orën 8:30 do të mbahet mbledhja festive e Qeverisë së Kosovës.

Më pas, në orën 8:45, në prani të liderëve shtetërorë para ndërtesës së Qeverisë do të ngrihet flamuri i Republikës së Kosovës.

Aktivitetet për 11-vjetorin e pavarësisë liderët shtetërore do t’i vazhdojnë me homazhet te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova nga ora 9:40 deri në orën 9:50, e më pas do të vazhdojnë me vendosjen e kurorave në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz nga ora 10:45 deri në orën 11:30.

Fotografia e Ramush Haradinaj

Ndërkaq seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës për 11-vjetorin e pavarësisë do të mbahet në orën 12:20.

Kurse në orën 13:00 deri në orën 14:00 do të parakalojnë trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës prej Sheshit “Nënë Tereza” deri te Sheshi “Ibrahim Rugova”.

Pastaj do të organizohet një koktej rasti për të gjithë të ftuarit në parakalimin e ushtarëve të FSK-së në orën 19:30 në “Swiss Diamond”.

Kurse aktiviteti përmbyllës për shënimin e 11-vjetorit të pavarësisë do të jetë pritja shtetërore për të gjithë të ftuarit nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në Hotel “Venus”.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kastrioti e ka fituar derbin e xhiros së 16-të dhe…