11 vjet vuajtje në transferat e Anglisë

14 janar 2019 | 10:21

Robin van Persie u rikthye tek ekipi i Feyenoordit në janarin e vitit të kaluar, aty ku shpërtheu në futbollin profesionist, përpara se të transferohej tek Arsenali.

Sulmuesi i famshëm luajti tetë sezone me “topçinjtë”, ndërsa më pas zhvilloi tre sezone me Manchester Unitedin. Gjatë 11 vjetëve në Premierë Ligë, Van Persi shënoi 144 gola dhe dhuroi 65 asistime.

Më pas tre vjet në Turqi me Fenerbahçen për t’u rikthyer te Feyenoordi i tij i dashur. 35-vjeçari ka folur rreth përvojës angleze për “The Mirror”. Ai nuk ka pasur kurrë probleme me trajnerët apo shokët e skuadrës. Makthi i vetëm i sulmuesit ishin tifozët kundërshtarë. Van Persi ofendohej sistematikisht në ndeshjet jashtë fushës dhe ka vuajtur gjatë për këtë fakt. Tani është rikthyer në shtëpi, aty ku është gjithçka ndryshe. Tash nuk ofendohet nëpër transferime, madje ndodh e kundërta.

Kapiteni i Feyenoordit është i lumtur dhe kundërshtarët e duartrokasin, një ndjesi fantastike të cilën e kishte harruar prej vitesh.

“Në Angli kam pësuar fyerje të vazhdueshme, klithma dhe fishkëllima në çdo ndeshje jashtë fushës. Kështu ka ndodhur gjatë gjithë 11 vjetëve që luajta në Premierë Ligë. Sot është më bukur kur luaj në transferime. Ajo që po përjetoj në kampionatin holandez është një përvojë e bukur, pas viteve të vështira në ishull. E kisha harruar se çfarë do të thotë të marrësh duartrokitje në stadiume të tjera… Që kur jam kthyer në Holandë, ku nuk luaja prej 14 vjetësh, e kuptova se sa e mrekullueshme është të respektohesh nga tifozët e skuadrave të tjera”, ka thënë Van Persi.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lidhur me reagimin e dytë të Milazim Krasniqit për Fjalorin…