112-vjetori i Pavarësisë, Begaj: Politika të ndjekë shembullin e atdhetarëve të 1912-ës

28 nëntor 2024 | 22:18

“Sot ne do ju mbetemi mirënjohës burrave e grave që patën guxim. Ata u bënë arkitektë të shtetit tonë të pavarur”.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj në fjalën e tij në pritjen shtetërore në nder të 112-vjetorit të Pavarësisë tha se “ne mblidhemi për të nderuar kujtimin dhe guximin e atyre që më shumë se një shekull më parë deklaruan e jetësuan pavarësinë e kombit dhe krijimin e shtetit shqiptar”.

“Sot dhe në nëntorët e pafund të lirisë, pavarësisë e zhvillimit të shtetit shqiptar, ne do t’u mbetemi mirënjohës atyre burrave e grave që patën guximin të ndryshojnë rrjedhën e historisë.  Ata vendosën gurin e themelit më të rëndësishëm në historinë e vendit, duke u bërë arkitektët e shtetit tonë të pavarur”.

Sipas kreut të shtetit, “sot sfidë nuk është më vetëm mbrojtja e kufijve, por edhe siguria, drejtësia, ekonomia, arsimi, shëndetësia, teknologjia, demografia, kujdesi ndaj ambientit e mbi të gjitha, mirëqenia e qytetarëve tanë”.

“Atdhetarët patriotë 1912 vite më parë  treguan guxim dhe vizion. Ata lanë pas ndasitë për një qëllim dhe mision të madh: Shqipërinë e pavarur. Sot, më shumë se kurrë, politika duhet të ndjekë shembullin e tyre. Klasa politike duhet të jetë në një dialog të hapur me popullin, të dëgjojë shqetësimet, nevojat dhe ëndrrat e tij. Kthejini sytë nga ata që përfaqësoni”.

Më tej, Begaj vijon duke thënë se “zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë shembull i një faqeje të re, ku interesi i qytetarit dhe shërbimi publik ndaj tij vihet mbi gjithçka tjetër”.

“Kjo është mënyra për të nderuar ata që shpallën pavarësinë dhe për të ndërtuar një Shqipëri që e meriton vendin në Evropë. Hapja e kapitujve me Bashkimin Evropian është më shumë se një proces teknik, është një test i pjekurisë tonë kombëtare. Ky proces kërkon të forcojmë institucionet, të mbështesim drejtësinë dhe SPAK-un, të përmirësojmë cilësinë e jetesës së qytetarëve tanë dhe të ndërtojmë një Shqipëri të denjë për shqiptarët dhe për familjen evropiane”.

Në fjalën e tij, Begaj nuk la pa përmendur dhe Kosovën.

“Ne si komb, dy shtetet tona, Shqipëria e Kosova, duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë fuqi që kemi dhe ta përdorim në shërbim të aleancave që forcojnë rolin tonë në arenën ndërkombëtare. Kosova ka patur, ka dhe do të këtë kurdoherë mbështetjen e Shqipërisë.  Ajo do të ketë mbështetjen e gjithhershme për njohje të reja dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, si dhe arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë edhe anëtarësimin në BE”.

Republika e Kosovës, sipas tij, “është realitet që nuk ndryshon e faktor paqeje në rajon”.

“Nga udhëtimi ynë për pavarësi, deri tek udhëtimi ynë drejt Evropës, sot është momenti për të nderuar të kaluarën, për të festuar të tashmen dhe për t’u angazhuar me përgjegjshmëri për të ardhmen. Në 28 Nëntor, në këtë ditë të bekuar, i uroj çdo shqiptari suksese e arritje të mëtejshme në rrugën e qëndrueshme evropiane të mirëqenies”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vlora, epiqendra e festimeve të zhvilluara sot për ngritjen e…