113 të vdekur nga koronavirusi për një ditë, edhe deputetë
Së paku 113 persona kanë vdekur nga koronavirusi në Iran vetëm gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në 724 numrin e përgjithshëm të viktimave. Gati 14 000 persona janë infektuar.
“Në 24 orët e kaluara janë konfirmuar 1 209 raste të infektimeve dhe 113 persona të vdekur”, tha Alireza Vahabzadeh, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë.
Ndërkohë zyrtarët e tjerë që po merren me luftën kundër koronavirusit në këtë shtet kanë thënë se përhapja e sëmundjes mund të dalë përtej kapaciteteve të spitaleve, shkruan “The Guardian”, transmeton “Express”.
Republika islamike ndodhet nën sanksione të ashpra nga Shtetet e Bashkuara dhe e ka të kufizuar importimin e prodhimeve të ndryshme.
Në këtë shtet më parë me koronavirus janë infektuar disa zyrtarë të lartë, përfshirë deputetët. Disa prej tyre kanë vdekur.