Finlanda e interesuar për zhvillimin e Mitrovicës
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, me të cilën ka biseduar për zhvillimet në vend dhe bashkëpunimin e Kosovës me Finlandën.
Kryetari Bahtiri ka falënderuar mysafirët për interesimin për Mitrovicën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Finlanda dhe populli i saj i kanë dhënë Kosovës dhe Mitrovicës.
Ai ka thënë se është i bindur se bashkëpunimi i mirë i kësaj komune me përfaqësuesit diplomatik finlandez do të vazhdojë edhe më tutje. “Nga një qytet me plotë probleme politike, të sigurisë, zhvillimore, ndëretnike etj. Mitrovica sot është një ndër qytetet më të sigurta në Republikën e Kosovës. Këtë e dëshmojnë edhe faktet nuk ka më tela gjemborë në asnjë cep të komunës, nuk ka tensione dhe probleme ndëretnike, kanë rënë në mënyrë drastike të gjitha llojet e krimit. Kjo është arritur vetëm falë para së gjithash bashkëpunimit të mirë e të ngushtë të udhëheqjes komunale me qytetarë”, ka thënë Bahtiri.
Në këtë takim, Bahtiri ka thënë se është i zhgënjyer dhe i shqetësuar për mos hapjen e urës mbi lumin Ibër.
“Kjo gjë nuk duhej të ndodhte sepse është punuar shumë në këtë drejtim, për arsye se i kam besuar Bashkimit Evropian dhe z. Rakiqi, dhe në fund të procesit për hapje të urës ata ndryshuan qëndrimet e tyre dhe kjo është shumë brengosëse për mua me vetë faktin se urat janë ato të cilat lidhin qytetet dhe mundësojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve e kjo mos të ndodh është jodemokratike dhe jonjerëzore. Andaj për këtë gjë unë kam marrë iniciativë që të bashkojë qytetin e Mitrovicës sepse nuk dëshiroj që dikush të manipuloj me qytetarët e pjesës së veriut që ta ketë trupin në Mitrovicë e kokën në Beograd. Unë do t’ju jap shërbime të gjithë qytetarëve pavarësisht nacionalitetit në tërë territorin e Mitrovicës sepse roli i im këtu është rritja e mirëqenies së qytetarëve të mi”, ka thënë Bahtiri.
Ndërsa ambasadorja Pia Stjernvall i ka thënë Bahtirit se vazhdimisht ka qenë e interesuar për Mitrovicën, andaj edhe ka ardhur për të parë nga afër se si është gjendja, cilat janë vështirësitë me të cilat ballafaqoheni dhe çfarë është perspektiva për të ardhmen.