Gashi: LDK-ja nuk duhet ta anashkalojë procesin e dialogut me çdo kusht
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka thënë se institucionet e vendit duhet t’i marrin përgjegjësitë e veta në procesin e dialogut me Serbinë.
Ndërsa për mospjesëmarrjen në këtë proces të LDK-së, Gashi ka thënë se nuk po i shmangen përgjegjësive.
“Nuk është ikje nga përgjegjësia. LDK-ja do të marrë përgjegjësitë e veta në hapësirën politike në Kosovë. LDK-ja duhet të jetë e hapur për çdo opsion, jo me çdo kusht të anashkalojë procesin” është shprehur Gashi në “Klan Kosova”.
Ai ka thënë se shtylla kryesore e LDK-së është dialogu. “Shtyllë kryesore e LDK është zgjidhja e proceseve me dialog, qasje proaktive për interesin e Kosovës dhe që të krijohet situata e përfaqësimit të dinjitetshëm. Kemi një qeverisje fragjile dhe ka zhvendosje të qendrën vendimmarrjes. Kryeministri po deklaron që nuk do ta marrë përsipër këtë punë[dialogun]. Një pjesë të përgjegjësisë po e bartë te Presidenti dhe një pjesë tjetër te zëvendësi i tij”, ka thënë ai.
Gashi ka thënë se situata e tanishme në të cilën gjendet Kosova nuk është e krahasueshme me periudha historike si Ramubja dhe Vjena, pasi që sipas tij atëherë Kosova nuk ka qenë shtet.
Sa i përket dialogut Gashi ka deklaruar se LDK-ja është mirë që t’i prijë këtij procesi, ashtu sikurse është mirë që t’i prijë edhe Qeverisë.
“LDK-ja i prinë këtij procesi i nëse është në udhëheqjen të Qeverisë ose pjesë e Qeverisë. Përgjegjësitë kushtetuese i ka Qeveria, dhe për pjesën e vet Kuvendi. Kushtetua i përcakton detyrat. Populli i Kosovës ka vendos që LDK-ja të jetë vetëm pjesë e Kuvendit, jo e Qeverisë. Rezoluta e PSD-së ka nonsens politik dhe juridik. Qeveria e ka formuar këtë ekip, por nuk mund të detyrojë, të qesë hapësira joreale si në aspektin politik. Nëse do të bëhej një ekip gjithëpërfshirëse PSD-ja nuk mund të jetë në nivel të barabartë me LDK-në, sepse është njëherë e gjysmë më e vogël”, ka thënë Gashi.