119 persona vdiqën në aksidente trafiku për 11 muaj
Numri i aksidenteve me fatalitet është rritur krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas statistikave të Policisë së Kosovës për 11 muaj (janar-nëntor), në aksidente të ndryshme kanë vdekur 119 persona apo 19 persona më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar afro 400 mijë tiketa trafiku për shoferët që kanë bërë kundërvajtje në trafik, raporton “Gazeta Express”.
Përgjatë këtyre 11 muajve kanë ndodhur 107 aksidente fatale në të cilat kanë humbur jetën 119 persona. Ndërsa përgjatë periudhës së njëjtë të vitit 2016 kanë ndodhur 89 aksidente fatale në të cilat kanë humbur jetën gjithsej 100 persona, shkruan Gazeta Express.
Edhe në vitin 2016 edhe në vitin 2017 kanë ndodhur mbi pesë mijë aksidente me persona të lënduar. 5817 aksidente me të lënduar kanë ndodhur gjatë periudhës janar-nëntor 2017, apo 165 më shumë aksidente me persona të lënduar sesa në vitin 2016.
Nga këto aksidente janë lënduar rreth 11549 persona apo 490 persona më shumë se në vitin 2016.
Ndërsa numri i aksidenteve me persona të lënduar dhe pa persona të lënduar arrin në 16.122 aksidente (janar-nëntor 2017). Policia e Kosovës gjatë kësaj periudhe ka shqiptuar 371.976 tiketa trafiku.