12 aventura fantastike për lexuesit e vegjël në shtëpi

25 prill 2020 | 11:00

Rekomandime për lexuesit e vegjël të moshës 7 – 12 vjeç me veprat më të njohura të letërsisë klasike, – shqiptare dhe të huaj, – dhe të letërsisë bashkëkohore për fëmijët gjatë kohës së qëndrimit në shtëpi: 12 arratisje që do tua bëjnë më të lehta dhe më të magjishme këto ditë të pazakonta që po jetojmë.

Albert GJOKA – Gjatë gjithë këtyre javëve jemi përballur me kërkesa të shumta për të bërë rekomandime për lexuesit e moshës 7 – 12 vjeç: Prindërit janë të shqetësuar për faktin se fëmijët e tyre ndodhen gjithë ditën të ngujuar në shtëpi, dhe aq më keq akoma, janë të fiksuar para ekranit të smartphonit apo televizorit.

Prandaj, e pamë të udhës që të sjellim aventurat më të bukura të letërsisë klasike dhe bashkëkohore për fëmijë, të cilat do të shërbejnë si arratisje të bukura gjatë kohës së qëndrimit në shtëpi. Janë rekomandimet tona si Leximtar dhe Bukinist, janë 12 libra dhe mund të jenë shumë, por ato mund t’u vijnë në ndihmë lexuesve të kësaj grup-moshe në këto kohë të pazakonta.

Po e nisim pa humbur kohë me aventurat tona, të cilat do ta mbushin me gaz shtëpinë tuaj:

  1. “Aventurat e Hakelber Finit” anga Mark Twain

Aventura e parë është ajo e Hakelberi Finit. Ky është libri që kryeson listat botërore, jo vetëm të shitjeve, por edhe të rekomandimeve që japin ekspertët dhe lexuesit. Ndonëse është vazhdim i librit Aventurat e Tom Sojerit, Hak Fini ndërtohet mbi kujtimet e fëmijërisë në qytetin Hanibal në brigjet e “Ujëravet të Babait”, dmth. të Misisipit, lumit më të madh të Amerikës Veriore. Gjatë leximit, do të riktheheni edhe ju lexues të vegjël tek gjërat më të bukura të jetës tuaj. Nëpërmjet këtyre kujtimeve, e tashmja do të kalojë më shpejt dhe më bukur.

Mosha: + 11 vjeç

  1. “Çufo në shtëpinë e çudirave” nga Gaqo Bushaka

Gaqo Bushaka është zgjidhja fantastike për gati tre breza lexuesish; dhe nuk mund të mos lihet jashtë liste as sot. “Çufoja dhe bubi kaçurel” u pasua edhe nga katër vëllime të tjera, të cilat, si atëherë, edhe sot, e ruajnë vitalitetin dhe interesin e gjallë të lexuesve. Skuadra e miqve të Çufos do t’ua bëjë fantastike momentet gjatë shoqërimit me librin “Çufi në shtëpinë e çudirave”

Mosha: + 8 vjeç

  1. “Princi i vogël” – nga Antoine De Saint – Exupery

Ky është një nga librat më të kërkuar të momentit në të gjithë botën: Dhe a e dini pse: Çdo njeriu është një planet më vete, sot më shumë se kurrë më parë. Ndonëse është një libër i rekomanduar për moshat 7-107 vjeç, “Princi i vogël” mund të bëjë të vetëdijshëm cilindo, së paku për dy gjëra: për nivelin e aftësive të tij gjykuese dhe për rrugën që ka përshkuar në këta dhjetëvjeçarë njerëzimi. Natyrisht, mund ta bëjë të vetëdijshëm lexuesin edhe për atë që e vërteta është e bukur dhe e bukura është e thjeshtë. Sot ne kemi nevojë më shumë se kurrë për letërsinë që sjell mjeshtrisht Princi i vogël dhe që na mungon shpeshherë.

Mosha: + 10 vjeç

  1. “Piter Pani” nga James M. Barrie

Kjo konsiderohet një prej arratisjeve më të bukura të letërsisë klasike për fëmijë: Piter Pan që mund të fluturojë dhe që nuk mund të rritet. Djaloshi i kalon aventurat e tij në një ishull të vogël së bashku me grupin e tij të djemve të humbur, sirenat, zanat, piratët dhe ndonjëherë edhe me fëmijë të zakonshëm nga bota tjetër, larg ishullit…Prandaj, kjo aventurë nuk mund të mungojë këto ditë karantine…..

Mosha: + 10 vjeç

  1. “Gjiganti i Madh i Mirë” nga Roald Dahl

Roald Dahli është autori më i dashur për fëmijë jo vetëm për shkak të mjeshtrisë së rrëfimit, por edhe të ironisë së thellë dhe lojës fantastike me fjalën; Ky libër flet për historinë e një vajze të vogël që quhet Sofi, sipas mbesës së autorit, Sofi Dahl: Një natë teksa Sofinë nuk po e zinte gjumi, ajo shikon një gjigant, i cili e merr në shtëpinë e tij në vendin e gjigantëve. Sofia zbulon se gjiganti i madh i mirë mbledh ëndrra të bukura dhe ua dërgon fëmijëve.

Qysh kur u botua së pari në vitin 1982, ky libër për fëmijë plot humor e fantazi ka shkulur gazit miliona të mitur e të rritur anembanë botës. Lojërat e fjalëve aq zbavitëse e të vështira për t’u përkthyer janë sjellë në shqip mjeshtërisht nga shkrimtari Naum Prifti.

Mosha: + 9 vjeç

  1. “Tregime te moçme shqiptare” nga Mitrush Kuteli

Një kryevepër e magjisë popullore shqiptare që vjen në filtrin rrëfimtar të Mitrush Kutelit. Por, kësaj here kemi sjellë atë botim që na ka magjepsur dikur: ku tregimet janë të shoqëruara me ilustrimet fantastike të Gazmend Lekës. Leximi i këtij libri është një rrugëtim fantastik për lexuesit e vegjël në njohjen e magjisë popullore dhe identitetin e të parëve tanë.

Mosha: + 10 vjeç

  1. “Nikolasi i vogël” nga René Goscinny, Jean- Jacques Sempé

Padyshim, kjo është një prej aventurave më gazmore për fëmijët gjatë këtyre ditëve: Bota e Nikolasit dhe e miqve të tij, në shkollë dhe në shtëpi është e mbushur me momente pikante, plot ironi dhe sarkazëm. Ky është një libër ku edhe të rriturit hasin ngjashmëri me fëmijërinë e tyre, ku secili sjell ndër mend se ka patur në klasë tipa si personazhet e librit. Te ky libër do të gjesh jetën tënde të përditshme, personazhe që ngjajnë me shokët e tu të klasës, zënka fëminore, aventura, çapkënllëqe, të cilat të kanë munguar gjatë këtyre ditëve

Ky është libri i parë i serisë. Tregimet janë shkruar me gjuhë fëminore, ashtu siç Nikolasi e sheh dhe e përjeton botën që e rrethon. Humori vjen nga keqkuptimi i Nikolasit ndaj sjelljes së të rriturve. Në faqet e këtij libri do të ndesheni me ilustrimet fantastike të Jean – jacques Sempe.

Mosha: + 8 vjeç

  1. “Harry Potter 1 dhe guri filozofal” nga Joanne K. Rowling

Harry Potter ka vënë gur-themelin e tij në çdo listë rekomandimi, prandaj nuk mund të mungojë as në këtë listë. Ne e nisëm me librin e parë në serinë me 7 vëllime: Harry Potter, 11 vjeç, nuk është një fëmijë si gjithë të tjerët: Ai ka një vragë në ballë në formën e një vetëtime, është bir magjistarësh, dhe tamam ditëlindjen e vet zbulon fuqitë magjike dhe botën misterioze së cilës i përket.

Harry ndjek një shkollë speciale, të populluar nga bufë magjikë, fshesa fluturuese, fantazma dhe piktura që flasin. Në shoqërinë e miqve të ngushtë dhe profesorëve të çuditshëm, nga një mësim te tjetri, jeta e heroit nuk rrjedh në binarët e një jete të zakonshmë dhe monotone.

Përkundrazi. Rreziqe të panumërta e ndjekin. Gjatë tërë serisë së librave të Harry Potter-it, atij i duhet të përballet me magjistarin më të madh të anës së errët, Lordin Voldemort apo në shqip, Lordi Fluronvdekje. Një libër ku magjia rrëfehet si jetë e vërtetë dhe e magjeps edhe lexuesin.

Mosha: + 11 vjeç

  1. “Kronikat e Narnias, Luani, magjistarja dhe dollapi i rrobave” nga C. S. Lewis

Edhe ky është një nga librat në seri me fuqi të jashtëzakonshme ndikuese në formimin e fëmijëve: Është një prej aventurave magjike që e bën për vete çdo lexues dhe ku çdo lexues dëshiron të arratiset: Narnia… vendi pas Dollapit të Rrobave, vendi i fshehtë që njohin vetëm Piteri, Suzana, Edmundi dhe Lusi… vendi ku fillon aventura. Lusi është e para që zbulon sekretin e Dollapit të Rrobave në shtëpinë e vjetër misterioze të Profesorit. Në fillim askush nuk e beson, kur ajo tregon për aventurat e saj në Narnia. Por shumë shpejt, Edmundi dhe pastaj Piteri e Suzana e zbulojnë vetë magjinë dhe takohen me Asllanin, Luanin e Madh. Sa hap e mbyll sytë jetët e tyre ndryshojnë përfundimisht.

Mosha: + 9 vjeç

  1. “Në mbretërinë e fantazisë” nga Jeronim Stilton

Jeronim Stiltoni ka bërë për vete mijëra lexues edhe në Shqipëri me serinë e librave të tij, por “Në mbretërinë e fantazisë” e cila tashmë ka katër vëllime në gjuhën shqipe, shkëlqen. Ne duam që t’ju çojmë edhe këto ditë në mbretërinë e fantazisë, prandaj e kemi rekomanduar këtë libër.

Përmes tij do të shkoni atje ku shkon vetëm mendja plot trille

A do të dëshironit të takonit shtriga, sirena, dragonj, xhinde, xhuxhmaxhuxhë mjekroshë, gjigantë, zana… Por edhe njëbrirësh, katallanë dhe njerëz-ujqër? Do t’ju pëlqente të fluturonit në shpinën e Dragoit legjendar të Ylberit?

Le të nisemi së bashku, atëherë, në këtë udhëtim aventuror në flatrat e Fantazisë!

Mosha: + 7 vjeç

  1. “Çunat e këqij” nga Aaron Blabey

Ky është një rekomandim i guximshëm për djelmoshat 7-vjeçar, sepse është disi ndryshe nga librat që kanë lexuar deri më tani. Është libër me vizatime ky disa personazhe tingëllojnë si djem të këqinj; ata duken si djem të këqinj, madje, vijnë erë djemsh të këqinj. Por, zoti Ujk, zoti Piranja, Zoti Gjarpër  dhe zoti Peshkaqen janë në sfidën e madhe për ndryshim. Këta çuna duan me gjithë mend të bëhen HERONJ. Zoti Ujk po ndan një plan me miqtë e tij për një mision të mirë për Djemtë e Këqinj. Për të mësuar më shumë për këtë mision, ju ftojmë të bëni pjesë të leximeve gjatë këtyre ditëve librin “Çunat e këqinj”

Mosha: + 7 vjeç

  1. “Aventurat e Kapiten Brekushit” nga Dav Pilkey

Shkrimtari i shumëpëlqyer dhe ilustruesi fitues i Medaljes Caldecott, Dav Pilkey, u jep lexuesve të vegjël një aventurë të mrekullueshme me këtë libër jashtëzakonisht zbavitës, plot veprim dhe që lexohet me lehtësi. Me vizatimet e bukura në çdo faqe, Aventurat e Kapiten Brekushit është një libër i përshtatshëm për këto kohë të pazakonta. Për ata që do të ndihen të kënaqur me vëllimin e parë, ndodhen edhe 4 botime të tjera të kësaj serie në shqip.

Mosha: + 7 vjeç

Para se ta mbyllim këtë artikull, kemi edhe një kërkesë të fundit për prindërit: Lexoni bashkë me fëmijët tuaj!Të gjithë këto libra dhe mijëra të tjerë i gjeni tek platforma më e madhe online e librit shqip, Bukinist.al

Për më shumë informacion na shkruani tek: [email protected]

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete…