12 civilë humbin jetën nga sulmet ajrore ruse në Siri
Avionët luftarakë të Rusisë kanë kryer sulme ajrore të reja në zonën e de-eskalimit në veriperëndim të Sirisë, duke vrarë të paktën 12 civilë, shkruan Anadolu Agency.
Grupi sirian i Mbrojtjes Civile (Helmetet e Bardha) njoftoi se nëntë nga viktimat janë të një familjeje, gjashtë prej të cilëve fëmijë, të cilët jetonin në Kaft Taal të provincës Halep.
Një fëmijë tjetër u vra në fshatin Takad të Halepit ndërsa dy civilët tjerë në fshatin Bara të Idlibit.
Turqia ka nxitur fuqishëm përpjekjet për një armëpushim në Idlib pasi rajoni me muaj ka vuajtur nga sulmet e forcave besnike të regjimit të Bashar al-Assadit dhe aleatëve të tij, duke shkaktuar ikjen drejt kufirit turk të rreth 1 milion refugjatëve.
Në shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia u pajtuan për ta kthyer Idlibin në një zonë të de-eskalimit në të cilën aktet e agresionit do të ishin të ndaluara. Që atëherë, mbi 1.300 civilë janë vrarë atje në sulmet nga regjimi sirian dhe forcat ruse pasi armëpushimi vazhdon të shkelet.
Mbi 1 milion sirianë kanë lëvizur afër kufirit turk për shkak të sulmeve intensive gjatë vitit të kaluar.