12 infermierë të FSK-së i bashkohen QKUK-së në luftën kundër Covidit
Dymbëdhjetë (12) infermierë të trajnuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë arritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ata kanë përfunduar të gjitha përgatitjet bazike dhe do të qëndrojnë në klinikat e QKUK-së për 30 ditë, varësisht nga nevoja, që të ofrojnë ndihmën e nevojshme për pacientët e prekur me virusin Covid-19.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se prezenca e infermierëve të FSK-së është dëshmi e një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm në luftën ndaj pandemisë Covid-19.
“Jam i privilegjuar që po fillon ky mision dhe kam shumë besim në profesionalizmin dhe kapacitetin e tyre, po ashtu edhe në ndihmën që do t’ua ofrojnë kolegëve tanë. Ky është vetëm fillimi, javët në vazhdim do të vijnë edhe ekipe tjera”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka deklaruar se bashkëpunimi ndërinstitucional në ballafaqimin me pandeminë është duke dhënë rezultate konkrete.
“Ky aktivitet është një imputo i rëndësishëm në punën dhe përkushtimin, të cilin po e bëjnë profesionistët shëndetësorë. Kjo tregon që bashkëpunimi ndërinstitucional dhe mobilizimi i përgjithshëm për ta luftuar pandeminë, po jep rezultatet e veta”,është shprehur Zemaj.
Në anën tjetër, Shkëlzen Syla, drejtor i përgjithshëm i Qendrës Mjekësore të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë se infermierët do të ndahen në katër njësi dhe, fillimisht, do të nisin punën në Klinikën Infektive.