12 miliardë dollarë kundër urisë, OKB kërkon zhbllokim të eksporteve ukrainase
Me një paketë prej 12 miliardë dollarësh nga Banka Botërore dhe një thirrje e OKB-së për të zhbllokuar eksportet ukrainase të drithërave, komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të avancojë përpjekjet për të shmangur krizën e ushqimit në botë, që është përkeqësuar që kur Rusia pushtoi Ukrainën.
“Nuk ka zgjidhje efikase të krizës ushqimore pa riintegruar produktet ukrainase, si dhe ushqimet dhe fertilizuesit e prodhuar nga Rusia dhe Bjellorusia në tregjet botërore.
Rusia duhet të lejojë eksportin e sigurt të drithërave të bllokuara në portet ukrainase dhe produktet ruse duhet të kenë akses të pakufizuar në tregjet botërore pa asnjë pengesë”, tha Antonio Guterres, sekretar i përgjithshëm i OKB-së.
Nga ana e tyre, institucionet financiare ndërkombëtare i dhanë jetë një plani veprimi me projekte konkrete për të përshpejtuar programet ekzistuese, me qëllim përmbushjen e nevojave aktuale.
“Kjo është një krizë që ka gjasa të përkeqësohet krahasuar me krizën ushqimore të viteve 2007-2008, duke prekur familjet e varfra. Tashmë ne kemi konstatuar pasiguri ushqimore në nivele të larta. Për t’ia dalë, fondi do të përdoret për familjet e varfra duke përforcuar sigurinë sociale”, u shpreh Martien Van Nieuwkoop, drejtor për agrikulturën dhe ushqimin në Bankën Botërore.