12 policë në Kosovë humben jetën si pasojë e infektimit me Covid

15 dhjetor 2020 | 12:41

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në lidhje me zhvillimet e fundit në polici dhe për të gjeturat e raportit për Kosovën për vitin 2020 të Komisionit Evropian.

Mehmeti raportimin e ka filluar me paraqitje e statistikave të punës së institucionit që udhëheq. Ai ka sqaruar se ka rënie të veprave penale, përderisa numri i vrasjeve ka shënuar rritje nga 19 në 25.

“Policia e Kosovës ka evidentuar rreth 35 mijë vepra penale. Numri i rasteve ka shënuar rënie për 7.75 për qind. Numri i vrasjeve ka shënuar ngritje nga 19 në 25 këtë vit. Numri i lëndimeve ka shënuar rënie edhe ai i vjedhjeve”, ka thënë Mehmeti.

Më tutje, ai ka bërë me dije se edhe rastet e dhunës në familje kanë shënuar rritje, kurse numri i aksidenteve ka shënuar rënie, ku kanë humbur jetën 103 persona.

“Numri i rasteve të dhunës në familje ka shënuar ngritje me 6.66 për qind. Ka arrestuar 12 mijë e 44 persona ku kemi një rënie prej 2.4 për qind. 1 047 armë zjarri janë konfiskuar dhe kemi rënie. Gjatë muajit shtator Policia ka regjistruar 222 protesta e tubime të ndryshme ku kemi rënie prej 29.07 për qind”.

“Kemi vërejtur rënie të numrit të aksidenteve ku kanë ndodhur 11 e 998 aksidente. 67 aksidente me pasoja fatale. 103 persona kanë humbur jetën që në raport më vitin e kaluar ka shënuar rënie”.

“Gjatë kësaj periudhe kohore në kuadër të aktiviteteve janë kryer 556 operacione, 939 bastisje dhe 65 plane operative”, është shprehur ai.

Ndërsa deputetët Salih Zyba dhe Elmi Reçica kanë kërkuar që Mehemti ta ndërpres raportimin me statistika dhe të ketë raportim për gjendjen aktuale në polici.

Në anën tjetër deputeti Mefail Bajqinovci, ka pyetur nëse pajtohet me deklaratën e kryeministrit se nuk po zbatohen masat anti-Covid nga policia.

Kurse Mehmeti është përgjigjur se nuk mund të komentojë deklaratat e askujt. Ai ka thënë se nga fillimi i pandemisë kanë humbur jetë 12 policë si pasojë e infektimit me Covid-19.

“Prej fillimit janë infektuar 1 143 policë. 2 678 policë kanë qenë në vetizolim gjatë pandemisë. Kemi pasur sfida e probleme, por operacionalisht i kemi kryer të gjitha punët që është dashur t’i kryejmë”, ka thënë Mehmeti.

Më tutje, deputetja Ganimete Musliu ka reaguar ndaj Mehmeti, duke ju drejtuar se një u.d. nuk mund të amnistohet nga përgjegjësitë.

Ajo ishte e interesuar të dijë rreth gjendjes së refugjatëve në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadori i përgjithshëm për Zyrën e Drejtësisë Penale Globale, Morse…