12 qershori i vitit 1999 ose dita kur filloi ndryshimi i madh
Imer Xhemail Lladrovci
Pas 12 qershorit të vitit 1999 ndryshoi gjithçka në Kosovë. I pari ndryshim i madh është mungesa e policisë dhe ushtrisë serbe në këtë vend, çlirimi i shqiptarëve prej një makthi të madh.
Pak histori. Kosova dhe viset e tjera shqiptare në perëndim dhe në lindje të Shqipërisë londineze u pushtuan nga Serbia në dy Luftërat Ballkanike të viteve 1912 e 1913. Këto luftëra erdhën si rrjedhojë e faktit se Porta e Lartë e ndryshoi politikën e saj ndaj Arnautllëkut, ajo u bë më shpirtgjerë, duke e pranuar shtetin autonom shqiptar brenda Perandorisë Osmane. Kush nuk e kupton Ismail Qemajl Vlorën kur flet për këtë shtet autonom shqiptar, duhet të dijë diçka për backgroudin e tij. Edhe Perandoria Osmane bënte diplomaci, ndoshta nuk e kishte me gjithë mend shtetin autonom shqiptar, por ky qëndrim i Stambollit pragmatik e irritoi Moskën ideologjike, Beogradin dhe Athinën e babëzitur shumë, ato ishin në gjendje të pranonin zgjidhjet paqësore, por jo zgjidhje të tilla që e minonin gjeopolitikën e Moskës dhe ambiciet territoriale të tokave shqiptare në Turqinë evropiane të Beogradit dhe Athinës. Kështu erdhi te Lufta e Parë Ballkanike dhe te Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Diçka vërtet duhej bërë, paçka se gjithçka bëhej mbrapsht. Shekulli i XX po fillonte për ne me një tragjedi të madhe kombëtare: Copëtimin e Shqipërisë. Paqja e Evropës thonin se varet nga fati politik i Shqipërisë. Për ruajtjen e saj tani e tutje duhej të flitej për Shqipërinë si koncept gjeografik dhe jo për Shqipërinë si realitet kombëtar. Asgjësimi i saj shestohej në kokat e diplomatëve të botës, të cilët përhapnin me vetëdije të plotë iluzionin se kështu po e shpëtonin botën nga një katastrofë e madhe e luftës. Kështu po flijohej një komb i lashtë për kinse paqen e kontinentit të vjetër, një popull që në njëfarë mënyre qëndronte në themelet e tij. Dukej si vrasje, por në të vërtetë ishte një vetëvrasje. Legjenda e Kështjellës së Shkodrës, tani me përmbajtje politike, po trokiste edhe një herë tjetër në portat tona. Po bëhej një lojë e ndyrë diplomatike mes të mëdhenjve që nuk merreshin vesh dot sesi ta sundonin këtë botë jallane. Rusia e madhe, në sytë e diplomatëve të saj, nuk ishte mjaftueshëm e madhe. Për më tepër ajo donte ngrohtësi. Në veriun e saj të ftohtë nuk ndjehej rehat. Shqipëria e vogël, në anën tjetër, nuk ishte mjaft e vogël, ajo duhej të bëhej edhe më e vogël, derisa të kthehej në një provincë myslimane në Shqipërinë qendrore.
Konferenca e Ambasadorëve në Londër e vitit 1913 e copëtoi Shqipërinë pa fije mëshire, por e keqja ende nuk kishte marrë fund. Ishte keq, por mund të bëhej edhe më keq. E mira ishte strukur në zemrat e njerëzve. Nuk duhej të dilte që andej, nëse donte të ekzistonte në këtë kaos të madh që vriste gjithçka fisnike. Në ndërkohë kemi mësuar se ishte përgatitur dhe nënshkruar edhe një marrëveshje shumë më e keqe se ajo e dy viteve më parë, marrëveshja e fshehtë e Konferencës së dytë të Ambasadorëve në Londër, ajo e vitit 1915 që e „korrigjonte“ Konferencën e vitit 1913 në kuptimin që Shqipëria të tkurrej në një provincë myslimane me Durrësin si port të vetëm në Adriatik dhe Esad Pashë Toptanin në krye. “Korrigjimet“ nuk u vunë në jetë kurrë ndër të tjera, edhe sepse njëri nga shtetet që insistoi në to, tashmë nuk ekzistonte: Kishte rënë nga skena politike e botës Perandoria Ruse e carit. Bashkimi Sovjetik që i zuri vendin këtij super shteti, në fillim, u bë sikur hoqi dorë nga ambiciet imperiale të carit, por shpejt e ndryshoi kursin e saj në politikën ndërkombëtare, duke iu rikthye ëndrrave të vjetra për Romën e Katërt, edhe pse haptazi kurrë s‘e zuri në gojë. Ajo që nuk duket e nuk thuhet shpesh është më e rëndësishmja në jetë. Dhe, sidomos, në politikë.
As Lufta e Dytë Botërore nuk i solli fat Shqipërisë dhe shqiptarëve. Përkundrazi, një tjetër fatkeqësi të madhe ideologjike që në parim çdo kundërshtar të saj e linte pa varr. Ndarja e saj në Londër në vitin 1913 mbetej edhe më tej në fuqi. Shaban Polluzha deshi të ndryshojë diçka, por u shtyp me gjak kryengritja e tij. Ishte tepër herët për ta bërë më të mirë këtë botë që ishte tërbuar nga infektimi ideologjik. Greqia dhe Jugosllavia, përkatësisht Serbia vazhdonin të komplotonin kundër Shqipërisë. Jugosllavia dhe Greqia kishin orientime të ndryshme në ideologjinë politike, por ato i bashkonte urrejtja për kombin shqiptar. Shqipëria vërtet ishte e vogël, por edhe si e tillë pengonte, ndaj dhe duhej zhbërë krejt përmes ndarjes jugosllave-greke.
Por Kosova , në ndërkohë, nuk e gjente dot qetësinë e saj me Serbinë mbi krye. Ajo e fitoi universitetin dhe autonominë politike në saj të mbështetjes së administratës amerikane të presidentit Riçard Nikson (Richard Nixon) dhe sekretarit të tij gjenial të shtetit Henri Kisingjer (Henry Kissinger). Natyrisht dukja ishte krejt tjetër në fund të viteve 1960 e në fillim të atyre 1970. Atëbotë shumëçka nuk dihej ose ekzistonte një perceptim i çoroditur ideologjik i realitetit politik.
Në vitin 1981, pa u bërë viti nga vdekja e presidentit të përjetshëm Josip Broz Tito, shpërthyen demonstratat studentore dhe mbarë popullorë shqiptare, ku ndër të tjera u kërkua edhe Republika e Kosovës. Ende nuk është zbërthyer enigma e organizimit të tyre. Atëbotë kishte plotë shqiptarë të zgjuar, që s’bënin gjë, por spekulonin se e gjitha ishte një lojë e ngatërruar ruse. Që diçka e madhe po mbruhej në zemrën e Kosovës, për këtë nuk dyshonte askush. Në fillim kjo republikë projektohej në mendjen e njerëzve si një entitet federal, por në vitet 1990 shqiptarët hap pas hapi ndryshuan mendje. Në fakt qëllimi i të gjitha organizatave ilegale shqiptare kishte qenë gjithmonë një Kosovë me viset e saj jashtë Serbisë e Jugosllavisë. Ajo që dikur kishte qenë bashkë duhej të ribashkohej. Kështu e donte logjike e natyrës së gjërave. Qarqet atdhetare kurrë nuk e kishin fjetur mendjen. Të organizuara si grupe ilegale, ato kishin punuar fshehtas dhe hapur për një atdhe të lirë shqiptar. Por për një Kosovë si shtet i pavarur në atë kohë askund nuk bëhej fjalë. Megjithatë, në vitet e vona 1990 gjithnjë e më shumë nisi të flitej për një shtet kosovar si subjekt ndërkombëtar. Në kushtet e reja bashkimi kishte ndërruar formë.
Por shtetet nuk bëhen kurrë vetëm me fjalë. Bërja e shtetit është një gjë tepër e madhe, e ndërlikuar dhe, asnjëherë, një dëshirë e përkorë. Në vitin 1996 doli në skenën Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Ishte e armatosur keq në fillim, por vullnetin dhe vendosmërinë për luftë kundër pushtuesit serb e kishte të madhe sikundër edhe mbështetjen në popull. Jetën e donte secili, por Serbia nuk lejonte jetë tjetër, pos asaj të robit. Kështu politika paqësore e dr. Rugovës po ia lëshonte vendin një politike tjetër: Politikës që bëhej përmes armëve dhe luftës së armatosur. As Sllovenia, as Kroacia e Bosnja më vonë nuk ishin bërë shtete më vete pa luftë. Pse duhej atëherë Kosova të bënte përjashtimin këtu?! Diçka që është marrë me luftë rrallë ndodh të lëshohet pa luftë, sidomos kur ke iluzionin se ke një ushtri të fortë dhe të gatshme për të vrarë secilin që i del përpara.
Dr. Rugova gjithnjë e më tepër kërkonte ndërhyrjen e NATO-s, mirëpo NATO-ja nuk ishte një organizatë bamirëse. Si organizatë e fuqishme ushtarake, ajo mund të ndërhynte aty ku kishte luftë dhe ku kërcënohej ndonjë katastrofë
humanitare. Kosova ishte një vatër potenciale lufte, por aty ende mbretëronte qetësia: Shqiptarët ç ‘është e vërteta ishin tmerrësisht të palumtur e të shtypur, por ata nuk ngrinin krye: Duronin. Një masakër e madhe i kërcënohej popullit shqiptar në këtë krahinë jugore serbe, siç quhej ajo në shtypin evropian, por jo për aq kohë sa shqiptarët pasivë të ishin pjesë e poshtërimit të tyre. Me paraqitjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës( UÇK) gjithçka ndryshoi. Shqiptarët e dikurshëm, që e pranonin nënshtrimin, tani u rebeluan, u hodhën në luftë. Serbia reagoi në mënyrën e saj gjakatare. Por Adem Jashari dhe familja e fisi i tij s’u përkulën. Masakra që pritej ndodhi. Ajo u përsërit edhe shumë herë të tjera anembanë Kosovës. Serbia nuk ndalej para asnjë krimi: Vriste foshnja e fëmijë, gra dhe pleq. Civilët ishin në fokusin e formacioneve të armatosura shtetërore. Kështu ndodhi edhe në Reçak në janar të vitit 1999. Erdhi Konferenca e Rambujesë (Rambouillet), si një përpjekje idealiste për të shmangur luftën, por serbët e shpërfillën këtë shans.
Me 24 mars u ngritën avionët e parë të NATO-s nga baza e tyre në Aviano të Italisë. Filloi Lufta Ajrore kundër Jugosllavisë- Serbisë e Malit të Zi. Me 9 qershor në Kumanovë Millosheviqi (Milošević) u dorëzua, e nënshkroi kapitullimin e tij. Tre ditë më vonë, më 12 qershor 1999, trupat tokësore të NATO-s se bashku me ushtaret e UÇK së marshuan nëpër qytetet e Kosovë.
Kjo ditë e madhe e ndryshoi gjithë historinë tonë kombëtare. 12 qershori i 1999 e solli me 17 shkurt 2008 shtetin që quhet Republika e Kosovës, të cilin ne nuk mund ta ruajmë e zhvillojmë, nëse mohojmë apo nuk e njohim historinë e tij.
Stuttgart, 12.06. 2024
Autori është ish diplomat karriere dhe shef i Konsullatës së Kosovës në Stuttgart dhe Vjenë të Austrisë.