12 QERSHORI, SHFAQJA PREMIERË E LIRISË SË KOSOVËS
Me 12 Qershor 1999 në skenën e Lirisë së Kosovës u ngjiten dy Heronj të mëdhenj: UÇK-ja dhe NATO-ja. Ndërsa nga skena e Kosovës u larguan përgjithmonë forcat kriminale serbe autorët dhe aktorët e tragjedisë në Kosovë. Regjisorë të shfaqjes madhështore të lirisë ishin Populli i Kosovës dhe forcat perëndimore të udhëhequra nga SHBA-të !
Premierës se madhe të 12 Qershorit i parapriu një tjetër premierë lirie ajo e 11 Qershorit 1999 -Dita e Çlirimit të Prishtinës.
HISTORIA NUK RISHKRUHET! PREMIERAT, HISTORIKE NUK KANË REPRIZË!
Lavdi e përjetshme UÇK-së !
Mirënjohje e përhershme për NATO-n, SHBA-ne dhe miqtë tanë !
Me poshtë po e ri-sjellë të plotë komunikatën zyrtare e Zonës Operative të Llapit që njofton hyrjen triumfal të UÇK-së në Kryeqytet.
JU FLET PRISHTINA E LIRË
Prishtinë, 11 qershor 1999
Komanda Ushtarake e Zonës Operative të Llapit dhe Njësitë e saj Gardiste, të cilat së bashku me guerilen BIA, qe tash e një kohë të gjatë veprojnë në kryeqytet, që nga mëngjesi i sotëm edhe zyrtarisht kanë adresë në Prishtinë. Nën intonimin e himnit kombëtar , gardistët kanë ngritur herët në mëngjes flamurin, i cili po valon lirshëm nga ballkoni i objektit ku është vendosur Komanda e Zonës Operative të Llapit.
I pari mysafir që ka vizituar komandën dhe i ka uruar mirëseardhje UÇK-së në kryeqytet është krenaria kombëtare Adem Demaçi, njeriu i flijimeve të mëdha, i cili as në ditët tragjike për asnjë çast nuk e lëshoi Prishtinën. Baca Adem ka mbërritur në Komandë rreth orës 8 të mëngjesit i pritur me nderimet me të larta ushtarake nga komandanti i zonës, Rrustem Mustafa dhe Garda Kombëtare e Zonës Operative të Llapit. Në bisedën e ngrohtë që zhvilloi me pas me Komandant Remin dhe ushtarakët tjerë Baca Adem rikonfirmoj edhe një herë rolin historik të UÇK-së dhe luftës së saj dhe shprehu bindjen se këtë djem trima do të dinë t’i japin vulën edhe proceseve në vazhdim. Komandat Remi e ka falënderuar Bacën Adem për vizitën dhe duke vlerësuar lartë aktin e tij për të qëndruar i palëkundur në Prishtinë ka theksuar se emri i tij ishte dhe mbetet forca morale e UÇK-së.
Rreth orës 14:00 në Komandë e Zonës Operative të Llapit , e cila tashmë ka adresë në Prishtinë, kanë ardhur përfaqësuesit e Komandës së NATO-s për Prishtinën, në kuadër të misionit të KFOR-it. Gjatë takimit me Komandant Remin përfaqësuesit e NATO-s kanë theksuar nevojën e bashkëpunimit dhe të dyja palët janë pajtuar që duhet të punohet që sa më shpejt të krijohen kushtet për kthimin e sigurt të të zhvendosurve. Ky është vetëm fillimi i një procesi të gjatë, në të cilin UCK-ja do të ketë rol të rëndësishëm.
Përfaqësues ushtarakë të NATO-s kanë zbritur sot edhe në Brigadën 151 “Zahir Pajaziti” dhe me drejtuesit e kësaj komande kanë biseduar për modalitetet e bashkëpunimit.
Me rastin e çlirimit të Prishtinës, komanda e Zonës Operative të Llapit dhe komandant Remi ju dërgojnë përshëndetje nga kryeqyteti i çliruar duke i siguruar të gjithë të zhvendosurit nga lufta se shumë shpejt do të kthehen në Kosovën dhe në Prishtinën e lirë që bashkërisht të fillojmë ndërtimin e një jetë të re !
MUHARREM MAHMUTAJ