12 vite burgim ndaj të akuzuarit për vrasjen që kishte ndodhur në vitin 2004

15 qershor 2020 | 17:44

Gjykata Themelore në Ferizaj, të hënën ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për kryerjen e veprës penale “vrasje”, Heset Salihaj.

Ai është dënuar me 12 vite burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe atë nga 20 nëntori i vitit 2017, e deri sa aktgjykimi të merr formën e prerë.

Kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, tha se për këtë aktgjykim janë marrë parasysh rrethanat lehtësuese, duke u nisur nga fakti që i akuzuari Salihaj nuk ka të kaluar kriminale dhe se me këtë lloj të sanksionit do të arrihet qëllimi i dënimit.

Ndërsa, për veprën penale “vrasje e rëndë”, në mungesë të provave, gjykata të akuzuarin Salihaj e ka liruar nga akuza.

I akuzuari Salihaj është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 200 euro, si dhe 50 euro të tjera në emër të kompensimit të fondit të viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me kërkesën pasurore-juridike, të dëmtuarit janë udhëzuar në kontest civil. Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2018, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i pandehuri Heset Salihaj akuzohet se në bashkëkryerje me persona të panjohur, i shtyrë nga motivet nacionale, më 17 mars 2004, në orët e vona të pasdites, me dashje kishte privuar nga jeta Borko dhe Dobrijevo Stoliq.

Siç është thënë në aktakuzë, derisa të ndjerit kishin qenë para shtëpisë së tyre në fshatin Drajkovc të Komunës së Shtërpcës, i akuzuari Salihaj së bashku me disa persona të tjerë të panjohur, kishte shtënë me armën e tij në drejtim të tyre, me ç’rast i ndjeri Dobrijevo Stoliq, nga plagët e marra kishte mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa i ndjeri Borko Stoliq, nga dy lëndime të marra kishte vdekur rrugës për në spital.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim të sigurimit të vendit të ngjarjes, kishin arritur disa pjesëtar të Policisë së Kosovës, ku duke ikur nga vendi i ngjarjes, Salihaj së bashku me personat e panjohur kishte shtënë disa herë në drejtim të tyre, por që nuk ishin qëlluar. Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, nga neni 147, paragrafi 6,10, dhe 11, lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Salihaj po akuzohet se më 21 tetor 2004, rreth orës 01:30, në Ferizaj, me dashje kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Nezir Sherifi, në atë mënyrë që derisa Sherifi kishte qenë duke u kthyer në shtëpinë e tij, Salihaj kishte shtënë disa herë në drejtim të tij, ku nga lëndimet e marra kishte vdekur në vendin e ngjarjes, nga ku i pandehuri kishte ikur por që i kishte mbetur portofoli me dokumentet e tij personale.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “vrasje”, nga neni 146, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim…