12 zyrtarët e KQZ-së të shtrirë në Infektivë janë në gjendje të mirë shëndetësore
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, dr. Basri Sejdiu, i shoqëruar nga prof. Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe dr. Lindita Berisha, ushtruese e detyrës së drejtoreshës në Klinikën Infektive, kanë vizituar sot 12 verifikuesit e KQZ-së, të cilët janë të shtrirë në Klinikën Infektive.
Pas vizitës së tyre, drejtori Sejdiu ka thënë se 12 pacientët janë në gjendje të mirë shëndetësore. “Që nga fillimi trajtimi ka qenë i mirë dhe janë angazhuar dhe konsultuar të gjitha profilet e mjekëve ku është formuar një konsilium mjekësor që ka mbikëqyr rastet”, ka thënë Sejdiu.
Prof. Naser Ramadani, drejtor i IKShP-së, ka thënë se nga e diela janë dërguar mostrat për analiza laboratorike për të konfirmuar apo jo sindromën infeksioze.
“Këto analiza kanë ardhur dhe kanë rezultate të gjitha negative, nuk ka infeksion dhe pritet që në bazë të gjendjes së tyre të lirohen” u shpreh ai.
Prof. Ramadani ka theksuar se në bazë të rezultateve laboratorike nuk ka sëmundje ngjitëse.
Drejtoresha e Klinikës Infektive, dr. Lindita Ajazaj-Berisha, ka thënë se 12 pacientët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe se shumë shpejtë do të lirohen.
Sipas saj, gjendja shëndetësore e tyre është e mirë dhe pritjet dhe e shohim nëse është e arsyeshme të gjithë pacientët do të lirohen për në shtëpi.
/Epoka e re/