120 licenca për trajnerë të futbollit

29 qershor 2019 | 07:09

Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, është shprehur shumë i kënaqur që është licencuar gjenerata e parë në Kosovë për trajnerë në bazë të sistemit të UEFA-s.

120 licenca dhe certifikata për trajnerë janë ndarë nga Federata e Futbollit e Kosovës. Licencat janë ndarë për kurset e organizuara nga FFK-ja për licencën B për një grup, pastaj për dy grupe licenca C, për një grup licenca C për portierë si dhe certifikata “Grassroots Education Cours” për femra.

Të pranishëm në ceremoninë e ndarjes së këtyre licencave ishin nënkryetari i FFK-së, Agim Dibrani, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, drejtori teknik i FFK-së, Michael Ness, përfaqësuesja e Ambasadës së Gjermanisë, Zana Elshani, instruktori i DFB-së, Horst Krieste, menaxherja e Grassroots, Sanije Krasniqi dhe zyrtari i edukimit të trajnerëve, Lorik Fazlija.

Sekretari  Përgjithshëmi i FFK-së, Eroll Salihu, ka theksuar se prioriteti kryesor i federatës është edukimi dhe licencimi i trajnerëve të futbollit. “Para 10 vjetëve kemi qenë të detyruar të bëjmë licencime të tilla në Federatën e Futbollit të Suedisë, pastaj edhe me Federatën Shqiptare të Futbollit, derisa individualisht trajnerët kanë bërë licencime edhe në federata të tjera. Personalisht licencën e kam marrë në Gjermani dhe ka qenë shumë e nevojshme që pikërisht disiplinën dhe procesin e edukimit gjerman ta përfshijmë në sistemin tonë të edukimit, për çka i jemi falënderues DFB-së për bashkëpunim”, ka thënë Salihu.

“Si rezultat i këtij partneriteti, përveç procesit të edukimit, kemi marrë edhe një ekspert gjerman si drejtor teknik dhe kemi arritur që ta bëjmë licencimin e trajnerëve edhe nëpërmjet Federatës Gjermane të Futbollit. Mirëpo, ju jeni gjenerata e parë që licencoheni në Kosovë në bazë të sistemit të UEFA-s, të përcaktuar nga Jira Panel, që i cakton standardet e përgjithshme të sistemit të edukimit. E di që keni pasur një periudhë të vështirë, ngase ky kurs kërkon angazhim e përqendrim, por tash kur e keni përfunduar, sigurisht se e shihni sa i rëndësishëm dhe sa i ka themelet e forta ky licencim”, ka shtuar Salihu.

Ndërsa drejtori teknik Michael Ness ka rikujtuar se ardhjen e tij për punë në FFK e ka mundësuar Komiteti Olimpik i Gjermanisë, Qeveria gjermane dhe Departamenti i Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe se për këto tri institucione edukimi është prioriteti numër një. “Për herë të parë në Kosovë i kemi dy kurse pilote, por presim që shumë shpejt këto kurse të pranohen nga paneli i Jiras, pasi tashmë një gjë e tillë është vetëm formalitet. Besoj se deri në fund të vitit Licenca B do të njihet dhe do të shndërrohet ‘UEFA Licence B’”, ka thënë Ness.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi më i mirë në Kosovë, Kastriot Rexha në intervistën…