Meta dekreton Ramën ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dekretuar këtë të premte kryeministrin Edi Rama, për të pasuar në postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushatin.
Kandidatura e kryeministrit i është dërguar Metës pas refuzimit që ky i fundit i ka bërë propozimit të kryeministrit Rama, Gent Cakaj, për postin e kryediplomatit të Shqipërisë.
Rama e ka gjetur këtë si një zgjidhje të përkohshme, derisa të ngrihet Gjykata e re Kushtetuese, që do të zgjidhë ngërçin mes Kryeministrisë dhe Presidencës.
Njëkohësisht,Meta ka dekretuar edhe shkarkimin nga detyra të ish-ministrit Bushati, raporton “TCh”.
“Emërimi i kryeministrit edhe në detyrën e ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestar të dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin, që ushtrimi i detyrës së ministrit nga Kryeministri është një veprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive, pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar”, është thënë në deklaratën e shpërndarë për medie nga zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi.