127 qytetarë të Kosovës morën pasaporta austriake për tre muaj
Që nga fillimi i vitit, numri i personave që janë pajisur me pasaportë austriake ka rënë në të gjithë Austrinë.
Sipas “Statistik Austria”, në tremujorin e parë të vitit 2021, rreth 2 mijë e 402 persona kanë marrë nënshtetësinë austriake. Në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit ka dy për qind rënie.
Më shumë se gjysma e “austriakëve të rinj” gjatë muajve janar – mars 2021 ishin gra (54.3 për qind), ndërsa përqindja e të miturve (nën moshën 18 vjeç) ishte 31.1 për qind. Pothuajse një e treta e personave të natyralizuar janë lindur në Austri (744 ose 31.0 për qind), raporton “vienna.at”, përcjell “albinfo.at”.
Shumica e personave të pajisur me pasaportë të Austrisë ishin nga: Serbia (235), pasuar nga Turqia (201), Bosnjë e Hercegovina (186), Kosova dhe Izraeli (127 secili), ShBA-ja (125), Rusia (114) dhe Gjermania (83).