“13% e bizneseve të gastronomisë buzë falimentimit”
Zyrtari ligjor në Shoqatën e Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica, ka thënë se 13 për qind e bizneseve të këtij sektori mund të falimentojnë.
Poa shtu Vranica ka bërë me dije se deri më tani 11 mijë punëtorë janë larguar nga puna.
“Sipas raportit hulumtues të cilin e kemi realizuar me 23 nëntor 2020 kemi 89 për qind të bizneseve të cilat kanë punuar me humbje, kemi 11 për qind prej tyre të cilat kanë qenë në gjendje rentabile, 2 për qind prej tyre mund të funksionojnë pa zbatimin e ndonjë pakoje mbështetëse, deri në 13 për qind mund të shkoj falimentimi i bizneseve të gastronomisë. Sipas ASK-së në tre mujorin e tretë kemi pasur 14 milionë euro dëme. 11 mijë punëtorë janë larguar nga puna”, ka deklaruar ai.
Ai ka shprehur shqetësimin lidhur me aksionin e Policisë së Kosovës kryer në disa lokale të Prishtinës.
Vranica ka bërë thirrje që mos të shqiptohen gjoba pas orës 22:00 për pronarët e bizneseve pasi që ata duhet të bëjnë përmbylljen e qarkullimit ditor pas kësaj ore.
“Është evidente që kohëve të fundit zbatimi i aparatit të shtetit ose kontrollit nga ana e zyrtarëve policor është duke u tepruar ndaj lokaleve të gastronomisë sepse po e shohim që pa të drejtë në shumë raste janë duke aplikuar një lloj dhune e cila po zbatohet ndaj disa lokaleve. Kemi raste ku edhe pas përmbylljes së qarkullimit ditor deri në ora 22 po kemi një lloj shpërfaqje të kësaj edhe pse nuk janë duke funksionuar apo bërë biznes. Kjo është e padrejtë sepse orari i funksionimit është deri në ora 22 dhe me shumë të drejtë duhet që të ketë një lloj tolerance për ato lokale të cilat mbyllen dhe po e bëjnë përmbylljen e qarkullimit që kanë bërë gjatë ditës”, u shpreh ai.
Vranica ka thënë se “terrori” i ushtruar ndaj lokaleve në kryeqytet nga ana e Policisë është i padrejtë. “Ne e kemi parë rastin e fundit të ditës së hënë një lokali i është ushtruar një lloj terrori para familjarëve të tyre, kolegëve, pronarëve e cila ishte e papranueshme dhe e padrejtë. Ne për këtë i kemi bërë thirrje organeve të drejtësisë që të zbatojnë ligjin në përpikëri e sidomos pas një revolte të gastronomisë, pas fushatave të realizuara nga ana e subjekteve politike, ku po të njëjtit është bërë mbarëvajtja e të gjithë atij procesi dhe për gjithë ato shkelje s’ka pasur asnjë lloj përgjegjësie nga ana e subjekteve politike, duke mos i paguar as vet gjobat të cilat i ka shqiptuar inspektorati komunal”, ka thënë ai.
Vrancia u bën thirrje organeve të rendit që të aplikojnë standart të njëjtë të respektimit të ligjit për të gjithë. “Thirrja jonë për organet e rendit është që të kemi një lloj standardi të barabartë të respektimit të ligjit dhe të rendit të vendit. Pra të gjithëve në mënyrë të njëjtë dhe të kemi një qasje më proaktive sa i përket mbylljeve. Të na mbyllin dhe të mos ketë subvencionim të bizneseve apo mbështetje financiare nuk është e drejtë. Jemi vendi i fundit që tani po pritet dhe nuk e dimë kur do të fillojmë procesin e vaksinimit. Të gjitha këto masa shtrëngueshme, mos zbatimi i masave që vet po i marrin. Të njëjtit i kanë ndarë 3 milionë për gastronominë dhe për të njëjtat nuk dihet ende çfarë do të bëhet”, ka përfunduar Arian Vranica për “EO”.