13 gjimnastë e përfaqësojnë Kosovën në Slloveni

23 tetor 2019 | 12:58

Tetë gjimnaste dhe pesë gjimnastë do ta përfaqësojnë shtetin e Kosovës në garën ndërkombëtare që mbahet në Slloveni. Kryetari i FGjK-së, Besim Halilaj, ka thënë se kjo garë do t’i shërbejë Kosovës për të ardhmen.

Trembëdhjetë gjimnastë nga Kosova do të marrin pjesë në garat e gjimnastikës që do të zhvillohen për tri ditë me radhë në qytetin e Mariborit në Slloveni. Ekspedita e Kosovës do të niset sonte (e mërkurë) drejt Sllovenisë me shpresë që të ketë paraqitje sa më të mirë në ketë garë ndërkombëtare, që për Kosovën është një gjë e madhe për faktin se ky sport ka filluar me vonesë të mobilizohet. Redaksia e sportit e gazetës “Epoka e re” e ka kontaktuar kryetarin e Federatës së Gjimnastikës së Kosovës, Besim Halilaj, i cili është shprehur mjaft i lumtur se gjimnastët e Kosovës do ta kenë rastin të marrin pjesë në garat ndërkombëtare. Halilaj ka thënë se nuk priten rezultate të jashtëzakonshme në këtë garë për faktin se konkurrenca është e fortë.

“Pjesëmarrja në këtë garë është diçka pozitive për gjimnastikën e Kosovës, pasi Federata e Gjimnastikës më në fund ka arritur ta mobilizojë një ekip solid për të marrë pjesë në aktivitetet ndërkombëtare. Ne nuk presim rezultate shumë të larta për shkak se kemi filluar vonë të mobilizohemi si Kosovë dhe konkurrenca do të jetë mjaft e fortë”, ka thënë Halilaj. “Ne do të marrim pjesë me 13 garues. Tetë prej tyre do të jenë vajza dhe pesë meshkuj, kurse gara do të zgjasë tri ditë. Garat do të jenë ekipore dhe secili gjimnast duhet të përformojë në mënyrë sa më të mirë dhe ne kemi vendosur të shkojmë vetëm në disiplinat ku ata mund të përforcojmë më së miri. Në secilën disiplinë që nuk marrim pjesë do të kemi minues pikë, prandaj edhe pritjet për rezultate të mëdha nuk i kemi. Megjithatë, mund të marrin rezultate të mira garueset më të reja në moshë”, ka shtuar Halilaj.

Numri një i FGjK-së sheh dika shumë pozitive nga kjo garë që mbahet në qytetin e Mariborit. Ai beson se në të ardhmen Kosova do ta ketë më të lehtë të kërkojë medalje në garat ndërkombëtare, pasi dalëngadalë është duke e fituar përvojën që i ka munguar. “Pjesëmarrja në këtë garë do t’i shërbejë pikërisht të ardhmes dhe ky është qëllimi ynë kryesor. Garuesit tanë e kanë shumë të rëndësishme daljen në gara jashtë Kosovës, për faktin se ka rregulla të prera dhe ka takime me gjimnastët e tjerë, ku edhe konkurrenca është e nivelit të lartë. Kjo do t’i ndihmojë gjimnastët tanë të jenë të përpiktë sikurse që është sporti i gjimnastikës”, ka deklaruar ai.

Halilaj ka folur edhe për organizimin për pjesëmarrje në këtë garë dhe, sipas tij, kjo nuk ka qenë e lehtë sepse financat vazhdojnë të jenë problemi kryesor për federatën që ai e drejton. “Organizimi për pjesëmarrje në këtë garë nuk është edhe aq i lehtë, sepse nuk po qëndrojmë mirë financiarisht. Jemi duke punuar me buxhetin e tremujorit të parë, kurse pjesët e tjera financiare ende nuk janë kryer, ani pse jemi ndër të parët prej federatave që e kemi dorëzuar planin në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Nga ana e çështjeve teknike qëndrojmë mirë”, ka përfunduar Halilaj.

Gjimnastet e Kosovës edhe më herët kanë marrë pjesë në garat ndërkombëtare në Slloveni, Itali dhe Maqedoni.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas vendimit që ndeshja ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit të…